Në takimin e radhës me qytetarë, që kanë gjetur zgjidhje pas denoncimit të rasteve të tyre në platformën e bashkëqeverisjes, ka qenë edhe një vlonjate, Arjana Mamushi e larguar nga puna, si pjesë e administratës së ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Ajo tregoi kalvarin që kishte hequr nëpër gjyqe, e vetme, pa avokat, për vite, deri në ankesën në platformë, e më tej në vendimin final të gjykatës për rikthimin në detyrë dhe pagesën për gjithë dëmin e shkaktuar. Pas fjalës së gruas, Rama nuk mohoi të pranonte se i vinte shumë zor nga e gjithë sa kishte ndodhur.
Arjana Mamushi: Pas 7 vitesh në administratë, vendosa në 2014 të konkurroja në fushën e turizmit, në profilin tim. Konkurrova dhe fitova përmes DAP, por pasi u certifikova si nëpunëse, drejtorët nuk më konfirmuan si nëpunëse, vendosa ta ndiqja në gjykatë dhe e kam mbrojtur e vetme pa avokat dhe fitova. Gjykata vendosi që të rikthehem në vendin e punës dhe të paguhem, apelohet nga ministria dhe e rifitoj në shkurt të 2018. Lidha një kontratë me përmbarues, por kjo cështje nuk po merrte drejtim, më pas iu drejtova platformës dhe më pas jam thirrur dhe më thanë se kjo situatë do të marrë drejtim
Rama: Nga Vlora je?
Gruaja: Po
Rama: Më vjen shumë zor që ka ndodhur kjo gjë se jam deputet i Vlorës, dhe nuk kemi kujt t’ja hedhim fajin, përgjegjësia është direkt e Qeverisë, një e metë jotja është që nuk e ke bërë më përpara këtë kërkesë se platforma ka kohë që ekziston dhe duhet të kishe marrë më shpejt përgjjgje. Unë të siguroj që shkaktarët e kalvarit do ndëshkohen, drejtori apo drejtorët që të kanë mohuar të drejtën dhe të kanë persekutuar në kuptimin më të plotë të fjalës do largohen.
Gruaja: Janë larguar
Rama: Epo mirë kjo tregon që edhe pjesa tjetër që them është e vërtetë, që kur fitojnë viktimat e abuzimit të administratës ndëshkohen xhelatët dhe më vjen shumë mirë që xhelatët e tu janë larguar.