“Si shoqëri duhet të punojmë më shumë”. Kjo është fjalia që po trazon sot debatin publik në Gjermani, e thënë nga lideri socialdemokrat dhe zëvendëskancelari Lars Klingbeil, i cili ka prezantuar një plan të gjerë reformash për shtetin social.
Ky është një moment jo i zakonshëm sepse edhe e majta po mban një qëndrim që tradicionalisht i përkiste së djathtës, duke kërkuar më shumë punë dhe më pak varësi nga sistemi i ndihmës sociale.
Reforma që propozohet është më e madhja në dy dekadat e fundit, pas asaj të ish-kancelarit Gerhard Schröder në fillim të viteve 2000, e cila e nxori vendin nga kriza dhe i dha vite të tëra begatie.
Plani i ri parashikon disa masa kyçe: ulje taksash për rreth 95% të qytetarëve, por rritje për 5% më të pasurit; taksim të fitimeve të jashtëzakonshme; nxitje të punës përmes pagesës më të mirë të orëve shtesë dhe kufizimit të punës me kohë të pjesshme.
Një tjetër pikë e fortë është sistemi i pensioneve. Aktualisht, rreth 60% e gjermanëve dalin në pension para kohe, një trend që qeveria synon ta frenojë. Reforma parashikon lidhjen më të fortë të pensioneve me vitet e kontributeve dhe kufizimin e daljeve të parakohshme.
Ndryshime priten edhe në sistemin shëndetësor, ku sot shteti mbulon plotësisht edhe bashkëshortët që nuk punojnë, një kosto që mund të rishikohet.
Megjithatë, këto reforma vijnë në një moment të vështirë ekonomik. Pavarësisht një plani masiv investimesh publike prej rreth 1 trilion eurosh, ekonomia gjermane po rrezikon stagnimin, madje në disa projeksione rritja për vitin 2026 mund të jetë vetëm 0.2%.
Instituti prestigjioz Ifo paralajmëron se fondet publike mund të përfundojnë thjesht në shpenzime të zakonshme, pa dhënë efekt real në ekonomi.
Në planin politik, sfida është edhe më e madhe. Partia socialdemokrate po humbet terren elektoral, ndërsa votuesit tradicionalë po largohen, me një pjesë që po shkon drejt së djathtës ekstreme.
Vetë Klingbeil e pranon se përpara ka një betejë të fortë: në një vend ku çdo grup interesi mbron privilegjet e veta, reformat pritet të hasin rezistencë të fortë.
Në fund të fundit, Gjermania ndodhet përballë një zgjedhjeje të qartë: të reformojë sistemin dhe të kërkojë më shumë sakrifica, apo të rrezikojë një krizë më të thellë ekonomike dhe sociale.
Komente







