E majta, ofertë aleatëve PD, sinjale
bashkëqeverisjeje me PDIU, PDK

E majta, ofertë aleatëve PD, sinjale<br />bashkëqeverisjeje me PDIU, PDK
TIRANE - Nisin negociatat për zgjerimin e koalicionit qeverisës, ndërkohë që ende nuk është certifikuar rezultati përfundimtar. Pavarësisht dominimit total të Kuvendit nga koalicioni i majtë me 85 deputetë duke e lënë koalicionin e djathtë me 55 deputetë, mazhoranca e re pritet të zgjerohet akoma për të mbërritur ndoshta në limitet e mbi 90 deputetëve.

Një zgjerim të tillë e kishin paralajmëruar kreu i PS Edi Rama dhe kreu i LSI Ilir Meta, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, teksa në një konferencë të përbashkët për mediat thanë se mazhoranca e majtë do të jetë akoma më e gjërë se sa koalicioni aktual.

Mësohet se sinjali i parë nga mazhoranca e re e majtë ka shkuar në drejtim të kreut të PDIU Shpëtim Idrizi, që nga këto zgjedhje ka dalë me 5 deputetë. Ftesa bashkëqeverisëse me PDIU e çon koalicionin e majtë në kufinjtë e 90 deputetëve.

Një fakt të tillë e ka pranuar dhe njëri ndër deputetët e PDIU, kryetari i kësaj partie në Vlorë Dashamir Tahiri. Deputeti i kësaj partie, i rizgjedhur në Vlorë thotë se janë gati të kalojnë në krahun e PS. “Ne bashkëpunojmë me të gjithë shqiptarët për të mirën e vendit.

Dhe PS shqiptare është, edhe ata shqiptarë janë” tha Tahiri për një të përditshme. Ndërkohë që burimet brenda PDIU saktësojnë se kanë mbërritur dhe ofertat e para për një koalicion qeverisës me PS. Ku duhet theksuar se vetë kreu i PDIU Idrizi te PS mori mandatin e deputetit dy herë radhazi.

“Politikat e mia s’kanë qenë asnjëherë bllokuese. Politikat e mia janë përparuese dhe në dispozicion të politikës shqiptare. Janë në të mirë të Shqipërisë”, vijonte deputeti i partisë përfaqësues çame Tahiri.

Nga ana tjetër mësohet se sinjale kanë shkuar dhe në drejtim të përfaqësuesve të tjerë politikë që kanë marrë mandate në aleancë me Berishën.

Bëhet fjalë se mund të ketë një kalim të mundshëm të kreut të PDK Nard Ndoka në krahun e koalicionit qeverisës, parë dhe në këndvështrimin se vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve iku nga opozita e drejtuar nga Rama për të kaluar te e djathta e drejtuar nga Berisha.

Por mësohet se të gatshëm janë dhe deputetë të tjerë të koalicionit të djathtë për të kaluar majtas në koalicionin qeverisës duke paralajmëruar një shumicë të frikshme prej 93 deputetësh, aq sa duhen dhe për të ndryshuar Kushtetutën.

Ish-deputeti socialist Kadeli, por dhe ish-deputetë të tjerë të PS apo që janë te e djathta, mund të kalojnë në anën e së majtës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë