E mërkura, sido të shkojë, do të jetë një ditë historike për Shqipërinë në Lojërat Olimpike. Për herë të parë tre sportiste të cilat përfaqësojnë kuqezinjtë do të garojnë njëkohësisht në disiplinën ‘Slalom’ të skive. Pa diskutim sytë e sportdashësve do të jenë më së shumti te Lara Colturi, e cila ka shanse reale t’i sjellë kuqezinjve medaljen e parë në Lojërat Olimpike Dimërore.

Në orën 10:00 është parashikuar lëshimi i parë në disiplinën Slalom, njëjtë si Semire Dauti dhe Lisa Brunga, ndërsa lëshimi i dytë në Slalom është në orën 13:30. Shpresat për medalje janë të mëdha, pasi në Lojërat Olimpike garojnë të njëjtat skiatore si në kampionatin botëror ku këtë sezon në disiplinën ‘Slalom’ Lara ka arritur të ngjitet 4 herë në podium.

“I them shqiptarëve të ndjekim edhe garën e të mërkurës sepse kemi një shans të madh. Është një shans i jashtëzakonshëm për Shqipërinë,”-u shpreh Elvis Toçi, kreu i federatës së skive për 'Report Tv'.

Lara Colturi të dielën garoi në disiplinën ‘Slalomi Gjigand’ ku i shkoi shumë pranë medaljes. Në lëshimin e parë u rendit e 4, ndërsa në të dytin ishin pranë triumfit deri në metrat e fundit ku një gabim i vogël i kushtoi shtrenjtë, duke u renditur si përfundim në vendin e 16-të. Deri më tani Deni Xhepa është i vetmi skiator i cili ka mbyllur garimin, duke u renditur i 34 në ‘Super Gjigand’ dhe ‘Slalomin Gjigand’, ndërsa në ‘Slalom’ nuk arriti të kualifikohet. 22-vjeçari duhet theksuar është i vetmi sportist i Shqipërisë që mori pjesë në 3 gara të ndryshme.