Lillehammer, Norvegji - Kupa e Botës për Skitë Alpine në kategorinë e femrave mbylli sezonin 2025-26, me ndalesën e fundit që u zhvillua në pistën e Lillehammer në Norvegji. Pas garës së sotme, kampione e sezonit u shpall amerikania Mikaela Shiffrin me 1410 pikë në total, ndërsa Lara Colturi e mbylli sezonin në vendin e 15-të të përgjithshëm me 535 pikë.

Gara e sotme në Slalomin Gjigant

Lara Colturi nuk ishte në formën e duhur, duke e mbyllur këtë garë në pozicionin e 17-të, ndryshe nga sa na ka mësuar me katër podiume këtë sezon. Me kohën e përgjithshme 2 minuta, 19 sekonda e 24 të qindtat, italo-shqiptarja që përfaqëson ngjyrat kuqezi doli jashtë 'top 10' skiatoreve më të mira.

Colturi e mbylli lëshimin e parë në vendin e 11-të me kohën 1 minutë, 09 sekonda e 18 të qindtat, ndërsa pas lëshimit të dytë u pozicionua në vendin e 23-të me kohën 1 minutë, 10 sekonda e 06 të qindtat.

Gjatë këtij sezoni Lara siguroi katër podiume, dy vende të dyta (Levi dhe Gurgl) dhe dy vende të treta (SHBA dhe Semmering).

Mikaela Shiffrin kampione për herë të gjashtë

Paçka se në garën e sotme Shiffrin u rendit në vendin e 11-të, ky pozicion i mjaftoi për të marrë pikët që lanë pas Emma Aicher, duke bërë që amerikania me 1410 pikë të sigurojë titullin kampion bote për ski për herë të gjashtë në karrierë.

Gara e sotme u fitua nga kanadezja Valerie Grenier me kohën 2 minuta, 16 sekonda e 79 të qindtat. Pas saj Mina Holtmann e Norvegjisë dhe Julia Scheib e Austrisë.

Renditja e garës së sotme