Një barkod (QR Code) i vendosur në tabelën informuese të Kalasë së Libohovës, në vend që t’u jepte turistëve informacion për monumentin, i çonte në një faqe me përmbajtje pornografike. Rasti u zbulua nga vetë vizitorët. Pasi skanonin kodin me telefon, në ekran u shfaqeshin pamje të papërshtatshme. Ata njoftuan më pas autoritetet lokale.

Drejtori i Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, Ardis Duka thotë se pas publikimit të rastit, barkodi është hequr nga tabela informuese për Kalanë e Libohovës.

I kontaktuar nga Report Tv, Duka deklaron se barkod i ishte vendosur rreth 6 vite më parë, në kuadër të një projekti të realizuar nga një organizatë jofitimprurëse. Në atë kohë ishte krijuar edhe një faqe interneti vetëm për Kalanë e Libohovës, ku turistët mund të merrnin informacion për monumentin.

Sipas Dukës, faqja ishte lënë pa mirëmbajtje dhe më pas është hakeruar. Duka thotë se do të verifikojnë kontratën e projektit, për të parë se çfarë parashikonte dhe kush kishte përgjegjësinë për mirëmbajtjen e faqes.