Vora e mbylli në epërsi 2-0 pjesën e parë kundër Bylisit në stadiumin "Selman Stërmasi" të Tiranës, sfidë e cila vlen për raundin e 18-të në Superligë. Të dy golat erdhën nga pakujdesitë e lojtarëve ballshiotë, ndërsa në golin e dytë gaboi portieri Jérémy Vachoux.

31-vjeçari priti një goditje nga jashtë zone në minutën e 24-t dhe tentoi të niste një aksion të shpejtë, por gaboi. Sfera përfundoi në këmbët e Gecit që shënoi golin e dytë.

Pas këtij momenti portieri francez i Bylisit nuk ishte i qetë dhe "shpërthimi" erdhi në minutën e 43-të. Jérémy Vachoux nuk largoi si duhet një pasim, por për fatin e tij topi doli jashtë.

Kaq u desh që ai të ishte i ngarkuar dhe pas këtij aksioni doli vetë nga fusha, edhe pse trajneri Mirel Josa nuk kërkoi një zëvendësim. Në kampin ballshiot u panë të habitur nga ky vendim i portierit, i cili u ndëshkua me karton të verdhë pas këtij veprimi, ndërsa me të dalë nga fusha hoqi edhe fanellën për t'u drejtuar direkt në dhomën e zhveshjes.

Vendin e tij e mori portieri i dytë i Bylisit, Renato Beqja, të cili iu desh pak kohë sa të bëhej gati për t'u vendosur në katërkëndësh.

Veprimi i Jérémy Vachoux nuk është parë më herët në futbollin shqiptar, teksa klubi ballshiot pritet të marrë masa për një veprim që nuk ishte dakordësuar me stafin teknik dhe trajnerin.