24-vjeçaria që u gjet e copëtuar me gurrë poshtë një ure në Qafë-Thanë, punonte si kamariere në një motel në qytetin e Prrenjasit. Moteli quhet "Landi" dhe se sipas informacioneve të mbledhura nga policia e Korçës, 24-vjeçarja Fatjona Sula, herë pas herë kryente dhe rolin e prostitutës. Pikërisht kjo gjë ka bërë xheloz të dashurin e saj, shtetasin Çelnik Meleqi, 27-vjeçar, i cili dyshonte shumë rreth pozicionit të të dashurës së tij. Nisur nga kjo situatë, dy të dashuruarit kanë debatuar katër ditë më parë njëri me tjetrin. Sherri ka ndodhur në mbrëmje, dhe pas konfliktit dy të dashuruarit kanë hipur në makinë dhe janë larguar në drejtim të paditur. Të paktën këtë version ka marrë policia e Korçës nga pyetja e dëshmitarëve, ndërkohë që nga hetimet e kryera është arritur të ndërtohet e gjithë dinamika e krimit. 27-vjeçari nga fshati Rajcë i Prrenjasit, e ka marrë në dashurën e tij, duke i premtuar se do e çonte në banesën e saj në fshatin Ostrenjë të Librazhdit, por teksa ata udhëtonin së bashku Meleqi e ka kthyer automjetin në drejtim të kundërt, duke udhëtuar në drejtim të "Qafë Thanës". Teksa kanë ngjitur kthesat e kësaj rruge, dhe kanë kaluar në anën e Pogradecit, 27-vjeçari e ka marrë me forcë viktimën duke e çuar poshtë urës së re, që është ndërtuar mbi rrugën e vjetër të "Qafë-Thanës".

VRASJA ME GURË
Teksa 24-vjeçarja kundërshtonte dhe përpiqej të largohej nga duart e të dashurit të saj, ajo është përballur me një dhunë fizike nga ana e tij. Policia bën me dije se në trupin e viktimës janë konstatuar shenja dhune, si goditje me grushta, shkelma dhe sende të forta. Ndërkaq pas gjithë këtyre, autori i krimit e ka goditur disa herë me gurë në kokë të dashurën e tij duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas vrasjes, për të zhdukur çdo gjurmë, autori i krimit e ka qëlluar disa herë sërish me gurë viktimën, me qëllim për t’i prishur identitetin. Më pas ai është larguar, për në banesën e tij, ndërkohë që trupi i pajetë i nënës së dy fëmijëve ka qëndruar poshtë urës të paktën katër ditë më rradhë. Ka qenë një çoban i zonës, i cili teksa kulloste delet e tij, ka konstatuar se poshtë urës, ndodhej trupi i pajetë i një femre, të cilën ai nuk ishte në gjendje ta njihte. Kanë qenë familjarët e saj, të cilët nga mungesa prej katër ditësh në shtëpi të vajzës së tyre, kanë shkuar në vendngjarje për të parë nëse trupi i pajetë ishte i 24-vjeçares apo jo. Gjatë verifikimeve të kryera në morg, ata kanë arritur të njohin Fatjona Sulën, nëpërmjet katër tatuazheve që viktima kishte bërë në trup.

PËRDHUNIMI PARA VRASJES
Sipas aktit të ekspertimit të përpiluar nga mjekësia ligjore në Korçë, ka rezultuar se viktima 24-vjeçarja Fatjona Sula, ishte përdhunuar para vrasjes. Siç duket autori i krimit ka dashur të shfryjë epshet e tij seksuale për herë të fundit, dhe më pas t’i japë fund lidhjes së dashurisë me 24-vjeçaren. Sipas policisë së Korçës, arrestimi i tij është bërë në banesën e tij në fshatin Rajcë, ndërkohë që dyshimet flasin se autori i krimit e ka shfrytëzuar 24-vjeçaren si prostitutë në disa motele në Maqedoni.

(Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com)

(Gre.M/Shqiptarja.com)