E plotë/ Rrëfimet e Luftar Reçit që tronditën botën e krimit, të implikuarit nga Shullazi tek Lul Berisha, roli u Ymer Lalës në vrasjen e Maks Lalës, ekzekutime e djegie kufomash 

E plotë/ Rrëfimet e Luftar Reçit që tronditën botën e krimit, të implikuarit nga Shullazi tek Lul Berisha, roli u Ymer Lalës në vrasjen e Maks Lalës, ekzekutime e djegie kufomash 

SPAK ka parandaluar zbatimin e një plani për eliminimin fizik në Burgun e Drenovës të të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi, i cili me rrëfimet e tij tronditëse ka zbardhur disa krime të vjetra, duke veshur me përgjegjësi penale përfaqësues të krimit të organizuar në Shqipëri. Elton Goskova, i njohur si Reqi i Korçës, bashkë me Ervis Kosovën, kishin tentuar të korruptonin familjarët e Reçit, me qëllim për të ndryshuar dëshminë për disa vrasje të bujshme. Më pas e kanë kërcënuar dhe tentuar ta eliminonin, me anë të helmimit në burg.

Po cilat janë dëshmitë Luftar Reçit që trazuan botën e krimit?

Reçi, i dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e Maksim Lalës, ka rrëfyer në datat 21 tetor, 31 tetor dhe 26 nëntor 2020, të gjithë veprimtarinë kriminale që ka pasur me Lulzim Berishën dhe anëtarët e tjerë të bandës së tij, me qëllim për të zbutur dënimin.

Reçi ka rrëfyer para prokurorëve të SPAK marrëveshjen me Lulzim Berishën për të ndihmuar njëri-tjetrin në goditjen e kundërshtarëve. Ata janë takuar në kazinonë e Reçit tek ish-stacioni i trenit në Tiranë. Luftar Reçi ka pretenduar se sipas paktit, Reçi duhet të vriste Klodjan Saliun, pas ndarjes së Bandës së Durrësit në dy celula. Indrit Taullai, Julian Meçe dhe Plaurent Dervishaj, ishin pjesë e grupit të Lul Berishës. Adriatik Coli dhe Indrit Dokle ishin pjesë e grupit të Klodian Saliut. Mbrëmjen e 26 shkurtit 2005, pranë fshatit Maminas, vritet Klodian Saliu.

Në këmbim të vrasjes së Saliut, Lulzim Berisha do të vriste hasmin e Luftar Reçit në Dibër. Në shkurt të vitit 2005, Reçi ka zbuluar para SPAK se Lul Berisha i ka kërkuar që t’i gjejë kallëpe tritoli për vrasjen e Vajdin Lamajt, në ashensor, në banesën e tij. Reçi ka pohuar se bombën e ka përgatitur bashkë me Indrit Taullain. Reçi ka deklaruar se bombën me të cilën është kryer vrasja e Vajdin Lamajt, ia ka dorëzuar Emiljano Shullazit, i cili del në aleancë me Lulzim Berishën.

Bomba i mori jetën Vajdin Lamajt dhe mikut të tij Artan Arsi. Ndërkaq, Lulzim Berisha ka dështuar për të vrarë hasmin e Luftar Reçit, me anë të shpërthimit, pasi ai lëvizje me fëmijët në makinë.

Mes peronave që u implikuan nga dëshmia e Luftar Reçit janë: Viktor Bajraktari (Imeraj),  Emiljano Shullazi, Indrit Taullai, Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Rusi dhe vetë Luftar Reçi.

Hetimet për këto ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve. Por, pas dëshmisë së të penduarit Luftar Reçi, hetimet u rihapën. SPAK ka dërguar në Gjykatën Speciale për dënimin e Viktor Bajraktarit (Imeraj), Emiljano Shullazit dhe Indrit Taullait, me akuzën e vrasjes kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal

Indrit Rusi, pjesë e grupit, akuzohet për vrasje me paramendim dhe vrasjes me dashje, mbetur në tentativë.

Janë shpallur në kërkim Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj, të cilët akuzohen për vrasje me paramendim dhe vrasjes me dashje, mbetur në tentativë.

Luftar Reçi ka bërë edhe një rrëfim tjetër tronditës për vrasjen e Maks Lalës, i cili nuk dihet nëse është administruar nga Prokuroria. Luftar Reçi ka rrëfyer se ka organizuar vrasjen e Maks Lalës me urdhër dhe porosi të Ymer Lalës, një personazh që ka qenë objekt i akuzave politike gjatë viteve të fundit.

Dëshmia Luftar  Reçit për vrasjet e bujshme

“…në fillim të muajit Shkurt të vitit 2005 kam takuar në Tiranë Lulzim Berishën. Takimi u realizua në vendin e quajtur pranë Stacionit të Trenit në Tiranë. Vend ku është kisha një kazino timen.

Kazinoja ndodhej në një bodrum të një pallati të ndërtuar nga një ndërtues Kosovar me emrin E.A. Ky pallat është pranë stacionit të Trenit. Ishte ora 01:00 dhe erdhi Luli së bashku me Lentin dhe Indritin.

Gjatë takimit Luli me ofroi një marrëveshje sipas së cilës unë duhej të vrisja shtetasin Klodian Saliu dhe ai në këmbim të kësaj do vriste hasmin tim.

Ata më thanë se Klodian Saliu e kishin kundërshtar dhe kishin frikë së bashkë me grupin e tij, mos i vriste. Gjithashtu ata donin ta vrisnin edhe për kontrabandën dhe trafiqet e drogës që bënin në portin e Durrësit, pasi e shihnin si rival.

Sipas Plarent Dervishaj, një polic i portit i kishte thënë Lentit që një natë Klodi me dy persona të tjerë, i kanë pritur tek shtëpia e Lulit për t’ju vrarë.

Sipas Lentit, polici ishte i pirë tapë në momentin që i kishte thënë këtë muhabet.

Pasi ramë dakord që të shkëmbenim hasmit, unë pothuajse gjithë muajin shkurt të vitit 2005 nga mesi i ditës deri vonë në darkë shkoja dhe qëndroja në Durrës me qëllim që ta njihja si fytyrë kush ishte Klodian Saliu si dhe të mësoja lëvizjet e tij.

Kur shkoja në Durrës, çdo ditë fillimisht takoja Lulin, Lentin dhe Indritin dhe më pas me qëllim që të studioja lëvizjet dhe vendet kur rrinte Klodi, ata më jepnin një djalë të ri, të moshës 19 vjeç, i cili e njihte Klodin si fytyrë.

Nëpër Durrës, lëviznin me një makinë tip Benz 250, tip i vjetër me ngjyrë hiri, me targa nga Durrësi që në dijeninë time ishte në pronësi të Indrit Taullaut.

Bashkë me këtë djalin lëviznim në të gjithë vendet ku mendohej se ishte Klodian Saliu.

Mbaj mend për shembull se shkonim diku tek Vollga pasi dyshonim se aty kishte një lokal Klodi.

Në këtë vend nuk e kemi parë asnjëherë.

E kërkonim diku pas bashkisë në një lokal në kat të dytë, ku na tha një natë Indriti në telefon se më duket se ishte atje.

U futëm në lokal, u ulëm në një tavolinë dhe ai djali që ishte me mua pa se nuk ndodhej aty. Kemi kontrolluar në disa lagje të Durrësit ku dyshohej se rrinte Klodiani…

Bëmë prova se si do qëllonim Saliun, një person afër Klodit na informoi për lëvizjet.

…unë, Lenti dhe Indriti filluam që të bëjmë prova për mënyrën se si do të realizonim vrasjen e Klodian Saliut.

Vendosëm që vrasja të realizohej gjatë kohës që Klodi të shkonte të takonte një person në Tiranë.

Një javë rresht kemi pritur që të kalojë dhe në vendoseshim tek një karburant rreth 1.5 km në hyrje të autostradës Durrës-Tiranë. Ndërsa personi që e thërrisnim “Çeçoja”, e linim tek kryqëzimi i rrugës.

Detyra e Çeços ishte që të mbante në vëzhgim automjetin e Klodianit, nëse do të ikte nga Plepat apo do futej në autostradë për në Tiranë.

Luli sapo mori vesh se X person, do të na jepte informacion për lëvizjet e Klodit dhe u sigurua që do të bëhej vrasja, iku në Turqi, me qëllim që të mos dyshohej.

Një natë para se të vritej Klodi, unë kam fjetur në Durrës tek shtëpia e J.. dhe morëm një makinë tip BMË x5, me ngjyrë të zezë të cilës i ishte vendosur një targë italiane.

Me vete kishim armë zjarri dhe më konkretisht unë kisha një pistoletë të markës Bereta marinsash të vitit 2002 me 15 fishekë.

Lenti kishte një automatik të tipit Skorpions dhe dy karikatorë rezervë, kurse Indriti kishte një pistoletë me 15 fishekë e kromuar që ishte e Lulit dhe një pistoletë tjetër me mulli me 6 fishekë.

Në momentin që u errësua ne jemi parkuar tek i njëjti karburant siç e përshkrova pak mësipër.

Kurse “Çeçoja” tek kryqëzimi.

Gjithashtu Lenti dhe Indriti kishin me ngjyrë gri, kur Lenti dhe Indriti kishin siguruar informacionin nga X person, njeri pranë grupit të Klodit se ai lëvizte me një automjet tip

Mercedes 300 me ngjyrë të vjetër, me targat e Durrësit.

Nuk e mbaj mend orën e saktë por pasi kishim rreth 40 deri në 50 minuta që prisnim “Çeçoja” telefonoi Indritin dhe i tha se Klodi, ishte futur në autostradë dhe se në makinë ishin futur dy veta. Çeçoja, i tha Indritit se Klodi po drejtonte makinën.

Ne u bëmë menjëherë gati dhe ishim ulur në këtë mënyrë.

Unë isha shofer, Indriti ishte ulur në vendin e parë të pasagjerit, kurse Lenti ishte ulur në sedijen e pasme mbrapa Indritit, pasi kaloi Benzi në fjalë, unë ndeza makinën dhe u nisëm në ndjekje të makinës ku ishte Klodi.

E arritëm shpejt por nuk e parakalonim dot për shkak të makinave të tjera.

Diku mes Vorës dhe Durrësit, i jemi afruar dhe jemi vendosur paralel me automjetin që drejtonte Klodi dhe nga dritarja e BMË, kanë qëlluar më armë në drejtim të Klodit, Indrit me pistoletë dhe Lenti me Skorpions.

Dua të theksoj se që në momentin që u vumë në ndjekje të makinës së Klodit, kemi mbajtur xhamat e makinës të hapura.

Kemi ecur paralel rreth 10 sekonda, kohë gjatë së cilës Lenti dhe Indriti gjuanin me armë në drejtim të makinës së Klodit.

Më pas automjeti që drejtonte Klodi është shmangur nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.

Pasi makina e Klodit përfundoi në kanal, Indriti bërtiti me të madhe “…O Lal mbaje, mbaje…”. Hapa krahun dhe nga BMË që drejtoja unë, ka zbritur Indriti dhe i është afruar Benzit të Klodit dhe e ka goditur Klodin tre herë me pistoletë me mulli.

Unë isha shumë afër dhe këtë moment e kam fiksuar shumë mirë. Indriti i ka thënë pasagjerit që nëse donte të shpëtonte ta mbyllte gojën…

(Vrasjet e tjera)

Kujtoj se ka qenë muaji shkurt i vitit 2005, besoj nga mesi i muajit, më ka telefonuar nga numri i tij celular te numri im celular shtetasi Lulzim Berisha. Luli më tha më gjej mua nga ato të “nëntat” (që ishin kallëpe tritoli) ku bëhej fjalë për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër, atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im mbante me vete fëmijët e tij dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrisja fëmijët. Luli ishte në dijeni të kësaj ngjarje se më kishte treguar vetë dhe kishte mësuar nga unë se J… më kishte përgatitu minat për ngjarjen e Dibrës dhe për këtë arsye më kërkoi një minë për veten e tij. Për të përgatitur minat me telekomandë më ka ndihmuar nipi im që quhet.,.. i cili është vrarë në vitin 2002

I shkova te shtëpia, ai ma siguroi pas 4-5 minutash […] përpara se të ma jepte bëri edhe provën duke thirrur një djalë nga Instituti Bujqësor që riparonte celularë.

Indriti na tha ta linim montimin, doli jashtë dhe pasi u kthye kishte me vete një pako sa një paketë cigare e cila do të zëvendësonte dinamitin që kishim montuar. Pashë se Indriti ja dha minën me telekomandë, që u përgatit brenda garazhit Emiljanos  [Emiljano Shullazi]. Indriti më tha se Tori [Viktor Ymeri] ka gjetur njeriun e duhur.

(Pjesë nga dëshmuar e Reçit për vrasjen e Maksim Lalës)

Vrasja e Maksim Lalës është urdhëruar nga Ymer Lala. Oferta më është bërë mua nga Ymeri. Kishte një vit që ma kishte bërë ofertën: Aman më mbaro punë, më mbaro punë, do të ndihmoj. Bëhej fjalë për ndihmë reciproke, pra për këmbim. Maksi i kishte deklaruar edhe familjes së vet, edhe shoqërisë së vet, që Ymer Lala do që të më vrasë. Madje i kishte lënë amanet familjes së vet, që mua nëse me ndodh diçka, me ndodh nga Ymer Lala. Pse? Sepse sipas Ymerit, babait i Maksit, i kishte futur në burg babanë në kohën e komunizmit dhe se tani kishte ardhur koha për hakmarrje. Por, në bisedat që kam pasur me Maksin, pasi Maksi ishte afruar tek ne, nuk ishte kjo arsyeja. Kur Ymeri ishte person në kërkim, Maksi ishte ushtar i Ymerit. Maksi i dinte shumë gjëra. Maksi ishte rritur dhe kishte filluar të flasë…

Maks Lala është vranë në 9 maj 2005. Kufoma është gjetur e djegur me benzinë. Këtë muhabet e di e gjithë Dibra.

Ka ardhur momenti për të thënë të vërtetën sepse u lodha. Pasi e kam njoftuar unë me mesazh ‘se mbaroi puna nga Puçi’, në nesërmen kam shkuar dhe e kam takuar tek lokali i vet ‘Olimpiku’ në Tiranë. Aty ndodhej edhe vëllai i vet Fatbardhi. Pasi i kam treguar, pasi ai e dinte se e kisha bërë unë, pasi kisha interesin që edhe ai të mbaronte punën time (për të vrarë hasmin e tij), aq i gëzuar ishte saqë thërriste ‘o babuq, o babuq’, dhe përqafonte vëllain.

Faktet? Po. Ka ardhur në Burrel pas katër viteve, dy herë, Ka ardhur edhe këtu vjet. Dy herë ka ardhur në Peqin. Kam kontaktuar me të vazhdimisht. Për takimet në burg shënohen gjërat. Kam edhe prova të tjera. Unë i kam dërguar shumë letra Ymerit. Në shumë letra i kam kërkuar llogari: Kujt ia kam borxh këtë burg? Filani a u vra për ty? Pse nuk përgjigjesh. Një herë me jepte 1 milionë lekë. 7 muaj mbyllte telefonin. Duhej t’i lutesha dy muaj që të më mbushte telefonin. Një muaj që të më jepte 300 mijë lekë. Ta verifikojë prokuroria përmes telefonit. Para 3 javësh i kam dërguar mesazh në 1 të natës. Kam komunikuar ditë e natë me të, me SMS.

Unë për vetë nuk i kam nxjerrë asnjë pikë gjak Maks Lalës. (e ka vrarë Puçi). Ka një javë që i kam dërguar një letër prokurorit të përgjithshëm, që pas kaq kohësh dua të them të vërtetën. Nuk kam marrë përgjigje akoma. I kam thënë se do të vë në dijeni edhe ambasadorin amerikan. Unë kam rrëfyer shumë gjëra, që po të këtë drejtësi, duhet me u hap një burg i ri në Shqipëri”.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shijak/ Kërcënuan me thikë dy persona dhe u morën celularët, një në pranga, tjetri në kërkim

Shijak/ Kërcënuan me thikë dy persona dhe u morën celularët, një në pranga, tjetri në kërkim