Është thelluar skandali në Parkun Arkeologjik të Butrintit, ku po ndërtohet një lokal brenda ambienteve të parkut. Gazetari i Report Tv, Limos Didani, ka shkuar te parku i Butrintit dhe ka kërkuar të futet brenda për të parë nga afër atë që po ndodh, por nuk është lejuar.

Administrata e Parkut Arkeologjik e ka ndaluar gazetarin, edhe si vizitor për të prerë biletë të rregullt, ndonëse ai ka kërkuar të paguajë. Shitësi i biletave i ka thënë gazetarit Didano se ka urdhër për të mos e lejuar atë të hyjë në ambientet e parkut, ku po kryhen ndërtimet. Pas kësaj, gazetari është nxjerrë jashtë rrethimit nga roja i parkut.

“Mëngjesin e sotëm kam shkuar për të hyrë në Parkun Arkeologjik të Butrintit. Roja më komunikoi se nuk mund të hyja. Më pas, kërkova të futem si vizitor, duke lënë jashtë mjetet e gazetarit. Sërish nuk jam lejuar dhe po qëndroja aty. Në këtë moment, është njoftuar roja e sigurimit, i cili më ka nxjerrë jashtë. Roja më komunikoi se duhet të dilja jashtë. Sipas informacioneve që kam vazhdohet të punohet brenda parkut”, tha gazetari. 

Drejtori i Parkut: Duhet leje nga Ministria e Kulturës
Menjëherë pas skandalit, Report Tv kontaktoi drejtorin e Parkut të Butrintit, Gjergji Mano, i cili tha se duhet leje nga Ministria e Kulturës për t’u futur brenda.

“Për t’u futur brenda duhet të marrë leje nga Ministria e Kulturës. Nuk lejohet më shumë se dy herë, as turistët”, tha Mano për Report Tv.

Report Tv ka denoncuar skandalin e ndërtimit të lokalit në Parkun Arkeologjik, ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, pritet të flasë për këtë çështje ditën e nesërme te Komisioni i Medias. 

Ndërkohë, nuk ka ende një qëndrim zyrtar nga Ministria e Kulturës, edhe pse Report Tv ka tentuar disa herë të marrë një përgjigje nga ministrja Kumbaro. E pyetur nga gazetarja e Report Tv nëse është konsultuar me UNESCO-n për këtë ndërtim, ministrja tha prerë “patjetër”, duke e quajtur ndërtimin 100% të rregullt. 

Por, Report Tv nuk u mjaftua me përgjigjen e Kumbaros dhe zhvilloi një intervistë ekskluzive me Drejtoreshën e Trashëgimisë Botërore në UNESCO, Dr. Mechtild Rossler. Kjo e fundit pohoi të kundërtën e ministres Kumbaro, duke thënë se është njohur me skandalin që po ndodh në Butrint vetëm në fund të javës së kaluar, dhe se ka kërkuar informacion shtesë nga institucionet shtetërore shqiptare më 9 tetor 2017, pra dy ditë pasi ministrja deklaroi se ishte konsultuar me UNESCO.

 

ke
Ky shkrim është përgatitur në bashkëpunim me Osservatorio Balcani e Caucaso për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi vetëm e Shqiptarja.com dhe nuk mund të pretendohet në asnjë mënyrë se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com