Një fëmijë vetëm 12-vjeç po ruante kopenë e deleve në fshatin Rusan të Delvinës kur u sulmua nga 6 qen stani. Ngjarja e rëndë u shënua pasditen e së enjtes, 24 gusht 2023, në vendin e njohur si stanet e Rusanit.

I mituri u transportua me urgjencë në spitalin e Sarandës ku iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale. Sot gjendja e tij shëndetësore paraqitet e stabilizuar, por ka plagë të shumta në këmbë, kofshë e krahë, siç shihet në këto pamje të siguruara nga Report TV nga dhoma e spitalit.

Bluzat e bardha jashtë kameras thanë se ky është një rast i rallë për ta, por ia kanë dalë ta mbajnë në jetë 12-vjecarin. “Ka kafshime të shumta në trup, plagë të thella dhe hemoragji, por fatmirsisht nuk është prekur arteria kryesore”, tha një mjek.

Prindërit e tij nuk ndodhen në spital, ata janë shoqëruar në polici për të dhënë dëshmi për ngjarjen. Po kështu çobani i kopesë që ishte dëshmitar okular i ngjarjes së paprecedentë po pyetet për rrethanat.

Report TV përmes burimeve mëson se 12 vjecari po kthehej nga kullota në stan me tufën e bagëtive. Ishte i vetëm kur ndeshi në një kope tjetër me bagëti dhe 6 qen stani e sulmuan. Hetimet për këtë rast të rëndë vijojnë nga policia e Sarandës.