Një sherr i dhunshëm në një lavazh në lagjen “15 Tetori” në Fier ka përfunduar me plagosjen me thikë të një 35-vjeçari.

I plagosuri është Eldi Gremi, i cili është paraqitur për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit rreth orës 11:40 të së dielës me goditje në pjesën e barkut.

Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka nisur në ambientet e lavazhit dhe më pas ka degraduar në përdorim të mjetit prerës. Dyshohet se në thelb të sherrit është një përplasje për pagesën e qirasë, pasi 35-vjeçari është pronar i subjektit, ndërsa autori i dyshuar mendohet të ketë qenë personi që e kishte marrë me qira.

Policia ka identifikuar autorin e dyshuar si  Albi Kajolli, 25 vjeç, banues në Fier, i cili është shpallur në kërkim.

Dyshohet se ai ka goditur me thikë 35-vjeçarin gjatë konfliktit dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Forcat e policisë vijojnë kontrollet për kapjen e tij, ndërsa hetimet janë në vijim për sqarimin e plotë të rrethanave.

Njoftimi i Policisë së Shtetit 

Zbardhet ngjarja e ndodhur pak orë më parë në lagjen “15 Tetori”, Fier, ku u plagos me mjet prerës (thikë) shtetasi E. G., 35 vjeç. Policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe vijon punën për kapjen e tij. Pas njoftimit se në Spitalin Rajonal Fier është paraqitur i dëmtuar shtetasi E. G., 35 vjeç, i cili dyshohet se ishte plagosur me mjet prerës (thikë) gjatë një konflikti. Shërbimet e Policisë kanë ndërmarrë menjëherë veprime për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, pavarësisht mosbashkëpunimit të të dëmtuarit, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar. Policia ka shpallur në kërkim shtetasin A. K., 25 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se gjatë një konflikti ka plagosur me mjet prerës (thikë) në pjesën e barkut  shtetasin E. G. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë