Itali - Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë ku një nënë i ka marrë jetën të birit vetëm 9-vjeç. Krimi makabër u regjistrua dje në Muggia, në provincën e Triestes.

Autorja është identifikuar si Olena Stasiuk, një ukrainase 55-vjeçare, e cila sipas mediave italiane, përdori një thikë të madhe kuzhine për ta vrarë dhe më pas u përpoq të kryente vetëvrasje duke prerë kyçet e duarve të saj.

Trupi i pajetë i fëmijës u zbulua të mërkurën në mbrëmje nga policia, pas njoftimit nga babai. Ky i fundit nuk mund të kontaktonte gruan, pasi ishin të ndarë prej kohësh.  Ajo duhet t’ja kthente djalin babait në orën 9 të mbrëmjes, por i mori jetën.

Gruaja, u vu nën arrest dhe u dërgua në Spitalin Cattinara. 55-vjeçarja vuante nga probleme të shëndetit mendor, ajo ishte nën kujdesin e Gjykatës dhe Qendrës së Shëndetit Mendor. Sipas raportimeve fillestare, kjo ishte një nga herët e para që ajo e mbante fëmijën vetëm.