KAVAJË- Babai dhe dy djemtë e tij të mitur kanë humbur tragjikisht jetën në plazhin e Vilë Bashtovës. Tragjedia e familjes Halilaj nga Tirana, u shënua mesditën e kësaj të diele ku Elvis Halilaj 50 vjeç dhe dy djemtë 13 dhe 15 vjeç nuk kanë arritur të dalin më nga deti si pasojë e rrymave të forta detare.

Burime për Report TV bëjnë me dije se të tre viktimat kanë shkuar thellë me not dhe deti ka qenë i trazuar. Megjithatë, në atë zonë mësohet se nuk ka as vrojtues, ndërsa nga pamjet e siguruara nga Report Tv shihet qartë se kulla e vrojtimit ngjan si një skelë hekuri, pa asnjë mjet ndihmues për rojën e plazhit për të shpëtuar qytetarët. Mungesa e kullës së vrojtimit është shkelje ligjore dhe në rast se nuk merren masa rrezikon që tragjedi të tilla të përsëriten sërish!

Dëshmitarët thonë se ngjarja ka ndodhur në mesditë rreth orë 12.45. Sipas pushuesve babai së bashku me dy djemtë ishin shumë thellë dhe rrymat i tërhiqnin akoma më shumë duke pamundësuar daljen e tyre në breg. Sipas të njëjtave dëshmi njëri prej djemve kishte shfaqur probleme me daljen nga detit për shkak të rrymave dhe i ati dhe vëllai janë futur për ta ndihmuar. Ambulanca ka mbërritur në vendngjarje rreth gjysmë ore pas ngjarjes. 

Trupi i parë i pajetë që është nxjerrë nga deti, ka qenë Elvis Halilaj, më pas kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupave të dy fëmijëve të tij të mitur. Plazhi Vilë-Bashtovë ndodhet (44.5 km) larg qytetit të Durrësit, përkatësisht 38 minuta me automjet. 

Këtë të diele plazhet e zonës së Durrësit dhe Spillesë janë shënjuar me flamur të kuq në mesditë për shkak shtimit dhe fortësisë së rrymave detare duke mos lejuar pushuesit të futen në det, por plazhi ku ndodhi tragjedia është një zone e veçuar publike ku nuk ka roje apo struktura për të pushuesit. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndonëse jemi në mesin e sezonit turistik, një problematikë që haset është mungesa e vrojtuesve të plazhit që bën edhe të pasigurt qëndrimin e pushuesve që zgjedhin bregdetin shqiptar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:51
Mbytja e babait me dy djemtë e mitur, kulla 'false' e vrojtimit në plazhin e Vilë-Bashtovës si skelë, pa asnjë mjet për të shpëtuar pushuesit

 

Në plazhin e Vilë-Bashtovës ku u mbytën babai Elvis Halilaj bashkë me dy djemtë e tij të mitur nuk ka roje vrojtimi. Gazetari i Report Tv Artur Korriku thotë se shqetësim në vijën bregdetare në atë zonë mbetet fakti se ka mungesë të rojeve bregdetare e nëse nuk merren masa rrezikon që tragjedi të tilla të përsëriten.

Siç shihet nga pamjet e siguruara nga Report Tv, kulla e vrojtimit në plazh është si një skelë hekuri, pa asnjë mjet ndihmues për rojën e plazhit, siç janë gomonet apo litarët. Po ashtu e nevojshme është edhe vendosja e kufizuesve në det.

Ora 16:46
Mbytja e babait me dy djemtë në Vilë-Bashtovë, dëshmitari: I pari u mbyt djali 13 vjeç! Roja e njerëzit u futën t’i shpëtojnë, por kishte dallgë

Për Report Tv një dëshmitar okular ka treguar për momentet e tragjedisë që ndodhi mesditën e sotme në plazhin e Vilë-Bashtovës në Kavajë, ku u mbyt babai Elvis Halilaj bashkë me dy djemtë e mitur.

Ai tha se ishte fëmija e vogël që po luftonte për jetën ne det, e më pas filluan dhe ata dy të tjerët. Sipas tij vendi ku u mbytën ishte larg bregut e se roja bregdetare shkoi për t’i dhënë ndihmë, por deti kishte dallgë dhe ishte i trazuar.

‘Unë me sytë e mi pashë, që i pari ishte fëmija i vogël që po luftonte për jetën, më pas filluar të 3. Roja shkoi i pari për t'i dhënë ndihmë, por ishte shumë larg e kishte dallgë. Pastaj u futën të gjithë njerëzit. Roja i bregdetit i kapi i pari. Vetëm bërtisnin njerëzit. Kur dolën, dolën të pajetë. Shpejt dolën, nuk ishte faji asnjërit, por i vetë personave.’- u shpreh pushuesi që pa tragjedinë.

Ora 16:27
Babai shkoi të shpëtonte dy djemtë e mitur, si ndodhi tragjedia e rëndë në plazhin Vilë-Bashtovë

 

Një tragjedi ka ndodhur mesditën e sotme në plazhin e Vilë-Bashtovës. Gazetari i Report Tv Artur Korriku, nga vendi i ngjarjes ku ndodhi tragjedia tha se babai, Elvis Halilaj u fut në det që të shpëtonte dy djemtë e tij të mitur rreth 13 dhe 15 vjeç dhe ka mbetur edhe vetë i mbytur. Mësohet se i pari që është mbytur ka qenë djali i vogël.

Deti ka nxjerrë në breg të parin babanë e 2 djemve të mitur dhe më pas janë nxjerrë edhe dy djemtë pak më vonë. Viktimat janë dërguar në morgun e spitalit të Kavajës.

Gazetari Artur Korriku thotë se shqetësim në vijën bregdetare në atë zonë mbetet fakti se ka mungesë të rojeve bregdetare e nëse nuk merren masa rrezikon që tragjedi të tilla të përsëriten. Po ashtu e nevojshme është edhe vendosja e kufizuesve në det.

Ora 14:46
Babai dhe dy djemtë u mbytën në plazhin e Vilë-Bashtovë, në zonën bregdetare të Durrësit janë ngritur flamujt e kuq! E rrezikshme për not

 

Këto janë pamjet që Report Tv ka siguruar nga zona bregdetare e Durrësit ku janë ngritur flamujt e kuq pasi është me rrezik dhe nuk lejohet notimi në detin e trazuar. Kjo sinjalistikë është paralajmëruese. Në këtë zonë, ishte Elvis Halilaj bashkë me 2 djemtë që u mbyt sepse rryma detare i mori para.