Një ngjarje e rëndë u regjistrua sot në fshatin Gullbovc të Malishevës ku dy vëllezër, Driton dhe Naim Morina u vranë me armë zjarri para shtëpisë së tyre.

Personi i dyshuar për krimin e rëndë është identifikuar si Astrit Isufi, bashkëshorti i motrës së viktimave. Kjo e fundit kishte ardhur në shtëpinë e vëllezërve për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tyre.

Sot, në momentin kur ende po vinin njerëz për ngushëllim, Isufi ka shkuar për ta marrë bashkëshorten, por pasi është larguar disa metra nga oborri, është kthyer përsëri dhe ka shtënë me armë zjarri ndaj dy vëllezërve që qëndronin para derës së shtëpisë.

“Rreth orës 11:30, jemi njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vllezër), janë dërguar në QMF-në e Kijevës si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Golluboc të Malishevës. Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin, deri më tani është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore. Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, tha zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës Sheremet Elezaj.