Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vlorë, ku pas një sherri mes disa personave, njëri prej tyre ka ndërruar jetë.

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se viktima është 63-vjeçari Ismail Aliaj. Nga sherri mbetën të dëmtuar dy persona, babë e bir, të cilët përfunduan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Fatkeqësisht 63-vjeçari Ismail Aliaj nuk arriti dot t'u mbijetojë plagëve të rënda të marra në kokë dhe ndërroi jetë. Sipas burimeve, mësohet se personat e përfshirë në konflikt ishin të njohur me njëri-tjetrin.

Autorët janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim, ndërkohë Policia dhe Grupi Hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Njoftimi i Policisë:

Vlorë / Informacion paraprak

Sot, rreth orës 15:00, në vendin e quajtur “Rruga e Çipave”, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi I. A., 63 vjeç, është goditur me grushte nga dy shtetas, tashmë të identifikuar nga shërbimet e Policisë dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi  I. A, ka humbur ndjenjat dhe është transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku më pas ka ndërruar jetë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon intensivisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.