E shkarkoi Vettingu, Kuvendi shpall vakancën në Kushtetuese për vendin e Fatos Lulos

E shkarkoi Vettingu, Kuvendi shpall vakancën në Kushtetuese për vendin e Fatos Lulos

Fatos Lulo, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Kuvendi ka shpallur vakancën në Gjykatën Kushtetuese për vendin e Fatos Lulos, i cili u shkarkua nga Vettingu pasi nuk justifikonte pasurinë. Në një njoftim të publikuar në faqen online të Parlamentit specifikohen kriteret për të kandiduar për anëtar të institucionit më të lartë gjyqësor të vendit. 

Aktualisht, Gjykata Kushtetuese përbëhet vetëm nga dy anëtarë, kreun e saj Bashkim Dedja dhe Vitore Tushën, të dy kaluan me sukses procesin e Vettingut dhe u rikonfirmuan në detyrë. 

Njoftimi i Kuvendit për vakancën në Gjykatën Kushtetuese

Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në nenet 125, 127, pika 1, shkronja “ç” dhe 179, pika 2, të Kushtetutës, dhe në nenet 7, pika 2, 7/a, 7/c, dhe 7/dh, pika 2, të ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, me qëllim plotësimin e “vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të mbarimit para afatit ligjor të mandatit të z.Fatos Lulo, shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

v      Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:

-         të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

-         të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;

-         të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;

-         të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;

-         të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

-         të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

v      Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

-         të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i  së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;

-         të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;

-         të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

v      Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:

-         vjetërsisë në profesion;

-         përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;

-         kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;

-         treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;

-         ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;

-         informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.

       Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

-         Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant;

-         Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/e-mail);

-         Fotokopje të kartës së identitetit;

-         Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërtetohet përmbushja e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. 

-         Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.

-         Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.  Formulari gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.

Kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e mësipërm, duhet të paraqitet brenda datës 24 gusht 2018 në zyrën e protokollit të Kuvendit, ose me postë në adresën:

Kuvendi i Shqipërisë, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 4, Tiranë,

Lista e kandidatëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë, brenda 30 ditëve nga hapja e procedurës së aplikimit, dhe bashkë me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale