E vërteta “lakuriq” e GFI-së

Kisha shkruar më përpara për koncesionin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, që shumica e quajnë rëndom “ngjyrosja e naftës”. Kisha informacion edhe për kërkesën për zhbërjen e saj, bllokimin e negociatave dhe çuarjen e çështjes drejt gjykimit të Arbitrazhit. “Letrat e Panamasë”, por sidomos një reagim publik i kompanisë së shumëpërfolur, më detyruan të shfletoj edhe një herë dosjen voluminoze të fakteve mbi kompaninë “fantazmë”, që thotë se nuk ka asnjë lidhje me shoqërinë GFI Technologies, të listuar në kompanitë off-shore.
Po le të hedhim dritë mbi këtë koncesion banal…
 
Viti 2010 dhe oferta e pakërkuar e Bodes
Dhënia me koncesion e këtij shërbimi ishte paralajmëruar me kohë nga kryeministri i kohës Sali Berisha, kurse në gusht të 2011-s u zyrtarizua plani. Në fund të vitit 2011 u mor vendimi nga Këshilli i Ministrave, kurse në mars ministria e Financave hap zyrtarisht tenderin, duke caktuar datën 14 maj për paraqitjen e ofertave. Prania e një oferte të vetme nuk pengoi anulimin e tenderit, pavarësisht mungesës së konkurrencës, kriter ky, i vendosur në ligjin e ankandeve.

Tregu i karburanteve në vend xhironte në këtë kohë rreth 700 milionë litra në vit, me një vlerë të përafërt prej 1 miliard dollarësh. Në vitin 2010, sipas raportit të IQT-së, në tregun tonë, rreth 10 për qind e sasisë, ose gati 60 milionë litra, rezultuan, pas kontrolleve, me cilësi të dobët pas përzierjeve të ndryshme abuzuese.
“Kontrolli bëhet i mundur pikërisht me anë të sistemit të markimit të karburanteve, ofruar nga shoqëria propozuese, i cili vërteton, jo vetëm nëse përbërja e karburanteve ka ndryshuar mbas pagesës së taksave, por edhe nëse karburanti në qarkullim është i shenjuar, pra ka paguar taksën, apo është karburant i pashenjuar, pra, i futur kontrabandë në tregun shqiptar”, thoshte ish-ministri Bode në dokumentin që shoqëronte buxhetin për vitin 2013.

Ndërsa Berisha ishte më “specifik”. Ja lajmi i ditës: “Kryeministri Berisha deklaroi dje se po kontraktohet një kompani, që do të bëjë shenjimin e naftës, e cila do të lehtësojë punën e Inspektoratit Qëndror Teknik (i cili pritet që të jepet shumë shpejt me koncesion)”. (energjia.al-26.03.2012)
Sipas ish-kryeministrit, nafta e shenjuar do të jetë nafta, që do të përmbushë të gjithë parametrat e tregut, duke qenë se kontrolli i karburanteve ka një rëndësi kapitale për shëndetin e njerëzve (?!).

Ndërsa në mbledhjen e hapur të qeverisë kryeministri i kohës do të deklaronte: “...Në përpjekjen dhe projektin tonë për përmirësimin cilësor të shërbimeve ndaj qytetarëve, por, para së gjithash, nxjerrjen e tyre nga korrupsioni, është jashtëzakonisht e rëndësishme të procedojmë me shpejtësi në dhënien e tyre sektorit privat, në atë që quhet ‘out source’. Praktikat e deritanishme janë shumë të suksesshme. Ne kemi dhënë një seri shërbimesh, ndër të cilat kontrolli i automjeteve, që ka qenë një praktikë problematike kur ky shërbim ishte publik dhe sot kjo praktikë, në tërësinë e saj, është jashtë korrupsionit.

Ne kemi ecur në këtë drejtim. Veçanërisht shumë të rëndësishme janë procedurat e përfunduara për pullat fiskale, të cilat do t’i vendosë në origjinë të prodhimit të mallit një nga kompanitë më serioze në botë … Por, në të gjithë këtë përpjekje, ne nuk kemi përparësi të ardhurat, por përparësi absolute kemi luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e tregut … Kam biseduar me ministrin dhe ai është plotësisht dakord, Inspektoratin Teknik, i cili ka të bëjë me kontrollin e cilësisë, para së gjithash, të karburanteve, por edhe të teknikaliteteve të tjera. Është e domosdoshme të përzgjedhim një nga kompanitë më serioze.

Problemi i karburanteve ka një rëndësi të shumëfishtë për ne. Edhe këtu, para së gjithash, është lufta kundër korrupsionit dhe kontrabandës, sepse, paralel me këtë shërbim, që do t’i dorëzohet sektorit privat, po kontraktohet një kompani tjetër, që do të bëjë shenjimin e naftës. Kështu që Inspektorati do ta ketë shumë më të lehtë. Nafta e shenjuar do të jetë nafta, që përmbush të gjithë parametrat e tregut. Por kontrolli i karburanteve ka një rëndësi kapitale për shëndetin e njerëzve.

Një nga arritjet më madhore, që kemi këto pesë vite, është pozicionimi i Shqipërisë, në raport me parametrat e mjedisit, në vendin e 23-të në botë, ndërsa katër vite më parë ka qenë i 57-ti. Në rast se i referohemi këtij studimi shumë serioz të universitetit të Yale, të bërë me metodat më moderne, i cili merr parametrat më kryesorë për vlerësim në ndotjen e ajrit, të ujit, pyllëzimin, zhvillimin e pyjeve, rezulton se rezerva jonë e madhe për të përmirësuar mjedisin është ajri dhe uji…”
NO COMMENT për Berishën!
 
Zyrtarizimi i dakortësisë së Berishës me Boden
Në 2 tetor 2012 shkruante gazeta “Shqip”: “Bode u jep austriakëve kontrollin e karburanteve (nuk e di pse “u shit” austriake kjo kompani? - shënimi im).
“Koncesioni: Ministri i Financave shpall fituesin për monitorimin e cilësisë” dhe më tej: “Pas më shumë se dy vitesh, ministria e Financave finalizon në heshtje të plotë projektin më të madh në fushën e hidrokarbureve.

Pas privatizimit të “Albpetrol”, dhënia me koncesion e kontrollit të cilësisë së karburanteve konsiderohet tjetër hap i qeverisë për të shitur të drejtat në këtë sektor.
Njoftimi për shpalljen e fituesit është bërë dje, nga ku ministria e Financave, pas gjashtë muajsh negociata, vendos t’ia japë të drejtën bashkimit të kompanive, kryesuar nga austriakët e ‘Global Fluids International’. Bashkë me këtë kompani, janë dhe dy të tjera, ‘Petroleum Consulting Partners’ dhe ‘Cotecna Inspections’, të specializuara në sektorin e kontrollit për cilësinë e karburanteve dhe markimit të tyre, d.m.th, shenjimit me bojë, për ta dalluar nga lëndët abuzuese.

Ofertat në tender ishin paraqitur më 14 maj, por në garë ishte vetëm një ‘zarf’, lëshuar nga tri shoqëritë e bashkuara, me synim ‘Për dhënien me koncesion të shërbimit të markimit dhe monitorimit të karburanteve në Republikën e Shqipërisë’.

Ministria e Financave thotë se e drejta e dhënies me koncesion u dha pas ofertës prej 4 milionë dollarësh, të bërë nga kompanitë, e cila konsiston në realizimin e investimeve. Sakaq, nuk bëhet e ditur se ku do të jenë përfitimet konkrete të kompanisë dhe çfarë ndikimi do të kenë në koston finale të karburantit.
Tregu i naftës dhe benzinës në vend qarkullon vlera në rreth 1 miliard dollarë në vit, ku të paktën 10 për qind e sasisë së karburanteve të hedhura në treg konsiderohen abuzuese për shkak të përzierjes.

Tashmë konsorciumi, i udhëhequr nga austriakët, është ftuar nga ministri Ridvan Bode për të lidhur kontratën, me afat 10 vjet, ndërsa përfitimet llogariten se do të jenë të larta për shoqërinë koncesionare, e cila do të ketë për detyrë të kontrollojë cilësinë e naftës, detyrë kjo që kryhet aktualisht nga Inspektorati Qendror Teknik, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë.
Kompania austriake ‘Global Fluids International’ (kështu u “shit” prej qeverisë), përfitoi nga qeveria në gusht të vitit 2011 bonusin 6 për qind, për shkak të paraqitjes së pakërkuar të ofertës, duke i hapur rrugë të lirë shpalljes së fituesit, rreth një vit më parë. (Gazeta Shqip, 02.10.2012).
 
E vërteta e dokumentave zyrtare - Ja pronari i koncesionit!
Asgjë “austriake” në CV e koncesionarit të markimit të naftës! Ja e vërteta sipas në vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 609, datë 24.08.2011, “Për përcaktimin e Autoritetit Kontraktues për dhënien me Konçesion të Shërbimit të Markimit dhe Monitorimit të Karburanteve në Republikën e Shqipërisë dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë”, përfaqësuar nga ministri i Financave i Republikës së Shqipërisë, Ridvan Bode: (në vijim referuar si “Koncesionari”): Bashkimi i përkohshëm i shoqërive Global Fluids International S.A., (GFI), një shoqëri e themeluar në St. Christopher dhe Nevis, me seli në adresën P.O. Box 556, Main Street, Charlestown, Nevis, me numër regjistrimi C.20985 dhe Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP), një shoqëri e themeluar ne Baar, Zug, Zvicër me seli në adresën Lindenstrasse 6, 6341 Baar, me numër regjistrimi 1034-508-84, rregullisht i pranuar nga Autoriteti Kontraktues me shkresën e ministrit të Financave Nr.14859/20 Prot, datë 10.01.2013, (bashkëlidhur në Shtojcën 1 të kësaj Kontrate)”.

Dhe më tej: “Bashkimi i Përkohshëm kryesohet nga shoqëria Global Fluids International S.A., (GFI) dhe do të përfaqësohet nga Z. Gadi Gonen sipas prokurave të posaçme, të lëshuara përkatësisht nga GFI në datën 06.05.2012 dhe nga PCP në datën 07.05.2012, bashkëlidhur në Shtojcën 1 të kësaj kontrate”.
Kontrata është firmosur nga Ridvan Bode dhe në llogarinë e thesarit është depozituar “Garancia e Kontratës”, shuma prej 208.500 USD, që përkon me 5% të vlerës së projektit, vlerë, e cila, siç rezulton nga formulari i njoftimit të fituesit, dërguar nga ministria e Financave nr.14859/2 datë 21.09.2012, është 4.170.000 USD.

GFI do të realizonte markimin dhe monitorimin e produkteve të bardha (gazoil dhe benzen), produkteve të zeza (solar dhe mazut), naftës bruto, lëndëve djegëse dhe produkteve të ndërmjetme e specifikisht produktet me emërtimet dhe kodet si vijon: naftë D1 (kodi doganor 27101943), naftë D2 (kodi doganor 27101946 dhe 29101948), benzinë pa plumb (kodi doganor 27101245, 27101241), solar/mazut (kodi doganor 27101962, 27101964, 27101968), naftë bruto (kodi doganor 27090090), për të cilat është e detyrueshme pagesa e akcizës apo e rentës minerare në rastin e naftës bruto.
Kaq për hyrje në këtë histori!
 
Një krahasim sa për dijeni
Kompania koncesionale ka hyrë në treg me ofertë të pakërkuar. Çmimi fillestar ka qënë 200 lekë/1.000 litra. “Komisionerët” e tenderit e kanë rritur atë deri në 614 lekë/1.000 litra, aq sa është në kontratë. Nëse do të bëjmë një llogari të thjeshtë, duke kthyer lekët në euro dhe litrat në ton, del se kompania (që u pagëzua në fillim si “austriake”) do të kërkonte rreth 6 euro/ton karburante. A e dini sa është kjo në BE? Dy cent/ton karburant të markuar! Për një anije 15 mijë tonëshe (aq sa janë në përgjithësi anijet importuese në portet tona) kompania GFI ka marrë 15 mijë X 6 euro/ton baraz 90.000 euro. Rreth 500 mijë ton është produkti që IMPORTOHET në tregun shqiptar. Llogaritë dalin vetë. Cilësinë e karburantit shiheni tek makina juaj!
 
“Shpifjet” me shifrat dhe e vërteta lakuriqe
Sipas informacioneve që disponoj, “projekti filloi zbatimin sipas përcaktimeve të VKM nr. 498, datë 30.05.2013, që përcakton procedurat e markimit dhe monitorimit të karburanteve dhe naftës bruto.

Karburantet janë produkti më i rëndësishëm i akcizës, që zë rreth 70% të të ardhurave nga akciza (dhe rreth 37% të të ardhurave fiskale nga të gjitha llojet e tatimeve). Rrjedhimisht, ndjeshmëria në këtë treg është shumë e lartë dhe nevoja për kontroll është e vazhdueshme. Kontrata e markimit kishte dy shtylla:
1.Markimi i karburanteve
2. Markimi i naftës bruto

Operacionet e markimit të karburanteve në terren filluan në shtator 2013, kurse operacionet e monitorimit të tregut të karburanteve të rafinuara filluan më 23 qershor 2014.
Faza e parë e monitorimit të plotë të të gjitha pikave të karburanteve në territorin e vendit u realizua në periudhën 23 qershor 2014 – 24 nëntor 2014. Nga këto kontrolle, rezultoi që rreth 12% e pikave aktive tregtonin karburante të përziera, që nënkupton se karburanti, që shitej në pikë, nuk i kishte paguar totalisht detyrimet doganore dhe të importit. Gjithashtu, gjatë kësaj faze, rreth 6% e pikave aktive refuzuan kontrollin e ushtruar, duke u bërë rezistencë agresive grupeve të monitorimit.

Faza e dytë e monitorimit të plotë të të gjitha pikave të karburanteve në territorin e vendit filloi më 24 nëntor 2014 deri më mars 2015. Kështu, gjatë kësaj periudhe, numri i pikave të tregtimit të karburanteve të verifikuara me përzierje është rreth 9.6% e totalit të kontrolluar, kurse rastet e refuzimeve u reduktuan në 2.1%. Janë aplikuar gjoba dhe penalitete ndaj shkelësve në masën prej 177.181.034 lekësh të reja (ose 1.3 milion USD). Kam një tjetër të dhënë që lidhet, në fakt, me aksionin anti-informalitet të vitit të kaluar, kur GFI ka raportuar se, për periudhën 7 shtator – 22 tetor 2015, janë ushtruar gjithsej 374 kontrolle, prej të cilëve rezultojnë 6 raste me shkelje (!).
NO COMMENT edhe për këtë!

Nëse bëjmë një analizë të përfitim-kostove nga markimi i karburanteve, duke supozuar se gjithë efekti i ndryshimit në zhdoganimet e karburantit vjen nga markimi (pra nuk marrim parasysh rritjet ekonomike apo miradministrimin doganor), duke supozuar, gjithashtu, se barra fiskale për një litër karburant është rreth 1 USD me kursin mesatar të periudhës dhe pagesa e markimit për ton është 6 USD, kemi të dhënat e pasqyruara në tabelën bashkëlidhur:                
 
 
 
 
RRITJA/ ULJA NE ZHDOGANIME
PËRSHKRIMI

Janar -shtator  2014-2013
Tetor -dhjetor  2014-2013
Janar- prill
2015-2014
 
Rritja/ ulja
53.835
7.660
4.434
65.929
# në paketë fiskale
5.004
13.127
10.980
29.111
Efekti i markimit në ton
48.830
-5.467
-6.546
36.817
Përqindja e rritjes
16%
-4%
-5%
 
Efekti monetar i markimit në USD
48.830.367 USD
-5.467.131 USD
-6.545.809 USD
36.817.427 USD
Pagesa  për markimin
2.205.366 USD
794.058 USD
893.300 USD
3.892.724 USD
 
A kanë përfituar shqiptarët nga koncesioni i markimit (të paktën deri në këtë periudhë, sepse më pas ka ngjarje të tjera?!) Nga tabela vihet re që markimi ka filluar në shtator 2013 dhe efekti kryesor ndihet në periudhën e parë: janar - shtator 2014, ku kemi një rritje në sasinë e karburanteve të zhdoganuara, rreth 16% ose 48.8 milionë dollarë. Në raundin e dytë të markimit (tetor-dhjetor 2014) përfitimi marxhinal nga markimi ulet shumë, në -4% dhe ulja vazhdon në -5%. Në total, efekti i markimit ka qënë 36.8 milionë dollarë, ndërkohë që pagesa totale, që publiku ka përballuar, ka qënë 3.9 milionë dollarë.

Analizat e përfitimit në buxhet janë pozitive, por rritja (dobia marxhinale) nga markimi do të bjerë çdo vit, ndërkohë që publiku përballon rritjen.
Një vlerësim i tillë është, gjithësesi, relative, pasi nuk përfshin TVSH-në, humbjet e tjera si rezultat i informalitetit në rrjetin tregtar, si dhe nivelin në rritje të sasisë së naftës bruto të nxjerrë dhe tregtuar.  Gjithashtu, duhet patur parasysh që përllogaritjet janë në kushtet e një ekonomie, që është pothuajse në pikën më të ulët të kurbës, në kushtet kur çmimi i bursës është ndjeshëm më i ulët dhe se rimarrja e ritmeve të rritjes në ekonomi dhe përmirësimi i çmimit në bursë do të sjellë padyshim rritje të prodhimit, si dhe rritje të kostove të markimit.

Edhe në këtë analizë (do të vijojë një tjetër më pas për markimin e naftës bruto), unë nuk e justifikoj/gjej dot deklarimin e kompanisë koncesionare, sipas së cilës “përmes punës së GFI Albania, buxheti i shtetit, gjatë vitit të fundit, i ka rritur të ardhurat me 60 milionë USD shtesë. Është e qartë se këto para janë zhvendosur nga xhepat e abuzuesve drejt buxhetit të shtetit” (!?) - thotë GFI.
Ku? Si? Kur?

Ka edhe një shifër “shpartalluese”, që vjen nga Departamenti i Akcizës i Doganave, kur sapo kishte filluar operacioni i anti-informalitetit. Ja si shkruan departamenti në fjalë: “Në markimin e importeve ka pasur një rezultat, i cili, sipas matjeve të DPD (Dep.akcizës), karburanti i gjetur i pamarkuar në pikat e pakicës është rreth 3.700 ton (?!)”.
Fakti: Në 2015 janë importuar 467 mijë ton karburante! 3.700 ton përbëjnë vetëm … 0.79% të sasisë totale! GFI mund të ketë shifra të tjera, le t’i tregojë!
 
“Kërcënimi” i GFI
Në 15 dhjetor 2015, GFI lëshon këtë deklaratë: “Dëshirojmë t’i bëjmë me dije opinionit publik se GFI Albania, një shoqëri e specializuar në markimin dhe monitorimin e hidrokarbureve, ndërpreu punën në Shqipëri më 10 dhjetor 2015 si pasojë e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore nga ana e Autoritetit Kontraktues (Ministria e Financave). Kushtet e marrëveshjes koncesionare të GFI Albania me Autoritetin Kontraktues parashikonin markimin dhe monitorimin e karburanteve, si dhe të naftës bruto, por Autoriteti nuk respektoi detyrimin ligjor dhe kontraktor të markimit të naftës bruto.
Për rrjedhojë, GFI Albania ka punuar që nga viti 2013 vetëm me 30% të kapacitetit të planifikuar. Megjithë humbjet financiare të akumuluara gjatë këtyre dy viteve, ne jemi krenarë për kontributin tonë në luftën kundër evazionit fiskal:  • Sepse, përmes punës së GFI Albania, buxheti i shtetit gjatë vitit të fundit i ka rritur të ardhurat me 60 milionë USD shtesë, në një kohë që shumë tregues të tjerë fiskalë kanë pësuar rënie;

• Sepse kemi zbuluar dhe i kemi raportuar me prova Autoritetit Kontraktues që disa qindra pika karburanti në vend furnizonin qytetarët me karburante kontrabandë apo të përziera, duke shkaktuar kështu, jo vetëm humbje fiskale, por edhe dëme për ambientin, mjetet motorike dhe shëndetin publik;
• Sepse i kemi vënë në duar Autoritetit Kontraktues një instrument të teknologjisë së lartë, që duhet të përdoret për të luftuar evazionin fiskal edhe në sektorin e naftës bruto, që vlerësohet të jetë në nivelin e 70 milionë dollarëve në vit!

Sqarojmë gjithashtu opinionin publik se, përkundër aludimeve të shprehura në media gjatë këtyre ditëve, ndërprerja e shërbimeve nuk ishte aspak e beftë”! - sqaronte kompania GFI.
Konflikti u zgjidh shpejt, por ai tregoi se si një kontratë e dyshimtë arrin të cenojë interesat kombëtare të një vendi.
Unë përsëri nuk them dot “fali Zot se nuk dinë çfarë thonë!” Vazhdojmë!
 
Pse humbet koncesionari?
Përgjigjet e sakta i gjen në një takim të zhvilluar (me porosi të KM) në datën 21 korrik 2015 në ambientet e ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, ku u zhvillua takimi i tretë me operatorët e prodhimit të naftës (në këtë takim merrnin pjesë edhe ministria e Financave dhe koncesionari i markimit të naftës “Global Fluids International Albania” (GFI). Sipas burimeve zyrtare, në qendër të takimit ishte mundësimi i bashkëbisedimit të gjithë palëve, që e kanë fushë mbulimi sektorin hidrokarbur dhe në qartësim të praktikës zbatuese të procesit të markimit të naftës bruto.
Këtu duhet një retrospektivë. Dhe kjo ka të bëjë me markimin e naftës bruto, për të cilin kompania koncesionare thotë se “Autoriteti Kontraktor (Ministria e Financave) nuk respektoi detyrimin ligjor dhe kontraktual të markimit të naftës bruto”. Pse ka ndodhur kjo dhe a ka “dorë” në këtë bllokim ministria e Financave?

Në Vendimin nr. 498, datë 30.05.2013 (vini re sa afër është kjo datë me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare!) “Për caktimin e procedurave të shënjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës”, në nenin 5.4, thuhet tekstualisht: “… Specifikisht, shërbimi i shenjimit të naftës bruto mund të realizohet vetëm kur nafta bruto është në gjendje të lëngshme. … Për këtë arsye, subjektet e detyruara, që disponojnë naftën bruto, kanë detyrimin të përgatisin naftën bruto për shërbimin e shenjimit, duke e kthyer atë në gjendje të lëngshme me anë të praktikave të njohura, të zbatueshme në industrinë e naftës.

Mospërmbushja nga subjektet e detyruara të kërkesave teknike, që bëjnë të mundur realizimin e shërbimit të shenjimit dhe, veçanërisht, refuzimi për të mbajtur naftën bruto në formë të lëngshme për kryerjen e shërbimit të shënjimit, do të konsiderohen pengesë e qëllimshme e realizimit të shërbimit të shënjimit nga ana e subjekteve të detyruara” - thotë qeveria.
 
Po subjektet çfarë thonë?
Shoqëritë e kërkim - prodhimit kanë shprehur shqetësimet e tyre, nisur edhe nga komunikimi me koncesionarin e markimit, për: 
(a) dhënien e përgjigjeve dhe qartësimin e gjithë pyetjeve që kanë kërkuar në lidhje me procese teknike dhe procedura veprimi. (Përfaqësuesit e koncesionarit GFI u shprehën se këtë ekskluzivitet e kanë vetëm ekspertët e huaj, që kërkojnë të paktën një javë kohë për të dhënë përgjigjet për pyetjet e bëra).

(b) mosdhënie të garancive për produktin e saj të markimit. Shoqëritë e bazojnë qëndrimin e tyre te argumenti se substanca markuese nuk ruan vetitë e saj fiziko-kimike, pasi nafta bruto shqiptare qarkullon në temperatura deri në 80 gradë, ndërsa, sipas kompanive të kërkim-prodhimit, shenjuesi i GFI përdoret në 40-60 gradë. Në vijim të testimit të shënjuesit, pretendohet se është e pamundur të realizohet procesi i markimit në depozitat e naftës bruto me një kapacitet që varion nga 1.500 m3 – 3.000 m3, duke marrë parasysh vetitë fiziko-kimike të naftës bruto, që përmbajnë shtresat e vendburimeve të Shqipërisë, të cilat karakterizohen si nafta me viskozitet të lartë.

(c) mungesë komunikimi (referuar korrespondencës me kompanitë, sepse, sipas “Bankers Petroleum”, nuk ka marrë asnjëherë përgjigje të kërkesave) dhe mangësi etike në komunikimin verbal, duke e vendosur veten në raport me shoqëritë e prodhim-kërkimit në pozitën e kontrolluesit të produkteve të tyre.
(d) mungesë transparence dhe konflikt interesi të koncesionarit në raport me shërbimet që kërkon të kryejë, ku, nga njera anë do të bëjë markimin e naftës bruto dhe në hapin tjetër pasues do të bëjë kontrollin e këtij markimi. Në kushtet kur shoqëritë prodhuese nuk kanë asnjë informacion në lidhje me përmbajtjen fiziko-kimike të shënjuesit ndihen të ekspozuara nga integriteti i GFI gjatë kryerjes së shërbimit.

(e) shoqëritë e prodhimit konfirmojnë se procedurat e markimit (zgjatje në kohë nga procedura), në rastin më të mirë të zbatimit të tyre, do të pengojnë procesin e shitjes, i cili është shumë operativ, në përshtatje me kërkesat e tregut të eksportit dhe përshtatje me kapacitetet transportuese detare.
(f) shoqëritë e kërkim-prodhimit të hidrokarbureve (Bankers Petroleum; Transatlantic; Transoil; Phoenix; Sherwood; Shell-Petromanas)  pranuan që GFI të testojë markimin e naftës bruto në vendburimet e tyre, propozim, të cilin GFI pranoi që ta vlerësojë dhe të kthejë një përgjigje.

Por GFI nuk mundi të kishte një përgjigje. Kompania ka dorëzuar në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris dosjen e përgatitur kundër qeverisë shqiptare, ku kërkon një dëmshpërblim prej disa qindra milionë eurosh. Dhe nuk ndalon këtu, por, në zbatim të klauzolës së stabilitetit në kontratat me shoqëritë e kërkim - prodhimit, këto të fundit do të kërkojnë që të gjithë kostot e markimit të zbriten nga detyrimet, që duhet të llogaritin dhe paguajnë për buxhetin e shtetit.
Ky fakt përbën një kosto në buxhet në raport me përfitimet nga markimi i naftës bruto.
 
Humbjet i paguan edhe konsumatori
Kontrata koncesionare e markimit të karburanteve ka qënë “e kopsitur” në mënyrë të tillë, që të mos kishte mundësi të cekej askund. Vendimi i qeverisë e forconte këtë kontratë, sepse, nëpërmjet aneksit të tij, i krijonte mundësi koncesionarit të markonte manualisht. Nga 11 terminale, ku do të kryhej markimi, vetëm në njërin prej tyre (terminali i ngarkimit i “Bankers Petroleum” në Fier) bëhej markimi automatik. Te të gjithë të tjerët, markimi ishte manual dhe tërësisht abuziv. Kjo, sepse, gjatë procesit të markimit të naftave të bardha, markimi manual sjell probleme, që lidhen me me ekzistencën e gabimit njerëzor.

Ndërkohë, është i pamundur testimi i markimit dhe çertifikimi i tij menjëherë, pasi përzjerja bëhet gjatë lëvizjes së mjetit (shumë kompani janë në gjykatë me Doganat për këtë çështje). Po ashtu, markohen vetëm me një shenjues të gjitha produktet e naftës, pavarësisht çmimit apo përdorimit. Kompania koncesionare indirekt ka zvogëluar luftën kundër evazionit, pasi mund të përzihen produkte me çmime të ndryshme, si solar me naftë, apo holluesi D2 me naftë D1, duke shmangur një pjesë të taksave, si dhe duke ndikuar tek cilësia. Monitorimi nuk jep asnjë rezultat për të tilla përzjerje!

Bëhet aq banale kjo kontratë dhe vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave, pasi aktualisht ka një kundërshtim midis ligjit të akzicës, i cili lejon vetëm markimin e karburanteve të përjashtuara nga taksat dhe VKM-së së markimit, e cila kërkon markimin e karburanteve që nuk janë të përjashtuara (?!?!).
Pas gjithë këtyre, duhet pyetur: A ka potencial markimi dhe monitorimi edhe i naftës bruto për të gjeneruar të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit?
 
Disa konkluzione përpara Arbitrazhit
Shikohet që përfitimet për vitin e parë mund të jenë midis 26.9 milionë dollarë, deri në 42 milionë dollarë. Ndërkohë që kostot e markimit janë 7.2 milionë, deri në 9 milionë USD në vit. Përfitimet marxhinale (rritja nga viti në vit) do të ulen edhe tek markimi i naftës bruto me ritme të shpejta. Pra, do të kemi të njëjtën sjellje si tek karburantet. Për naftën dhe nënproduket e saj që prodhohen dhe shiten në vend, markimi i naftës bruto, si lëndë e pare, 6 USD/ton dhe markimi i produktit të gatshëm me 6 USD/ton e çon barrën për ton në 12 dollarë.

Markimi i naftës bruto e bën fizibël kontratën për koncesionarin, pasi, vetëm nga markimi i naftës bruto, merr tri herë më shumë se sa nga markimi i karburanteve. Por GFI duhet të përdorë dy markues për naftën bruto: një për naftën që eksportohet dhe një për naftën që përpunohet në vend. Pasi, edhe çfarë paguhet në buxhetin e shtetit ndryshon për naftën bruto dhe eksportin. Që do të thotë se, për të gjitha llojet e markimit, duhet të përdoret injektim automatik, jo manual; duhet të përdoren disa lloj shenjuesish për produkte dhe nënprodukte të ndryshme, në mënyrë që të rriten efektet e markimit. Kjo do të thotë, gjithashtu, rinegociim i kontratës, apo humbje në Gjykatën e Arbitrazhit të Parisit në vlerën mbi 250 milionë euro!

Në këto kushte, duke njohur këto vështirësi, GFI “rebelohet”, siç ndodhi më 10 dhjetor 2015, kur bllokoi lëvizjen e mjeteve dhe furnizimin ditor të pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve (ligjvënësi ia jep këtë mundësi ligjore sipas nenit 4.1, pika a) të VKM së sipërcituar, ku thuhet se “asnjë nga produktet e shënjimit nuk do të tregtohet në tregun e Republikës së Shqipërisë apo eksportohet jashtë tij, nëse nuk i është nënshtruar më parë shërbimit të shënjimit të ofruar nga koncesionari”) ?!

 Apo edhe sepse, sipas të njëjtës VKM, “Autoritetet doganore apo tatimore, sipas rastit, nuk do të pranojnë shlyerjen e detyrimeve fiskale nga subjektet e detyruara sipas këtij vendimi, përpara se këta të fundit të kenë kryer shërbimin e shenjimit mbi produktet e tyre” (!)
Koncesionari GFI e di se norma marxhinale e përfitimeve në buxhet do të pësojë ulje drastike, ndërkohë që kostot që përballon publiku dhe buxheti do të jenë me ngritje, sikundër GFI këmbëngul, që vetëm markimi i naftës bruto e bën fizibël kontratën, pasi zë 60-70% të të ardhurave të kontratës.
 
Heshtja e zgjatur e autoriteteve
Marrja me koncesion e një shërbimi të tillë, tarifat e vendosura në mënyrë abuzive dhe, sidomos, madhësia e tregut prej rreth 2.3 milionë tonësh product, nuk mund të mos sillnin reagimin e importuesve. Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, një asociacion që grupon kompanitë më elitare të importimit dhe tregtimit të hidrokarbureve, reagoi, duke kërkuar shpjegime për këtë koncesion, për të cilin as që ishte pyetur. Bëhej fjalë për një treg, që siguronte një fitim jo më të vogël se 15 milionë euro, kur kostot ishin qindra herë më të ulta.  

Argumentat ishin në tavolinë:
a) Në qoftë se tarifa për shërbimin e kësaj kompanie do të paguhet nga kompanitë importuese, gjykojmë se duhet një konsultë ekspertësh për të vendosur këtë tarifa. Si bëhet kjo sot në vendet e BE-së?

i) Nafta dhe benzina, që është për tregun e automjeteve, në mënyrë kategorike nuk ngjyroset më, pasi në treg, (sipas standardeve të BE-së, të cilat i kemi përshtatur plotësisht edhe ne), ka vetëm një markë nafte që është gazoil 10 ppm (ose sipas standardit europian ULSD 10 ppm) dhe një lloj benzine (ose në gjuhën ndërkombëtare ANLD 10 ppm), minimum 95 ron. 

ii) Nga tregu i automjeteve janë hequr gjithë artikujt e tjerë dhe është lënë që ky karburant, për këtë destinacion, do të jetë pa ngjyrë. Dhe kjo për dy arsye: 1) çdo lëndë tjetër e huaj, që mund t’i shtohet karburanteve në tregun e shitjes me pakicë, dallohet lehtësisht nga autoritetet e kontrollit të cilësisë, pasi ky karburant merr një lloj nuance tjetër, të ndryshëm nga ajo standarde dhe 2) pigmenti që përdoret për ngjyrim është kimikat, që ka rezultuar i dëmshëm në procesin e djegies.

iii) Karburantet që përdoren me destinacion, si bujqësia, peshkimi, ngrohja, përpunimi industrial etj, janë karburante me cilësi tjetër nga ajo e automjeteve, vartësisht nga politikat e qeverisë, mund të trajtohen me/pa akcizë për secilin destinacion; përcaktohet një ngjyrë e veçantë për t’u dalluar nga organet e kontrollit në treg, nëse ndërron destinacioni. Në këtë rast, në të gjitha vendet e BE-së nuk përdoret një kompani e veçantë për të bërë markimin, ngjyrosjen, nuk detyrohen operatorët që t’ia blejnë këtë shërbim, por kompania që do të tregtojë këtë lloj produkti ka për detyrë ta sjellë në ngjyrën e përcaktuar me ligj.

Përndryshe, nuk mund të hyjë në treg. Në këto raste, kompania, që do të sjellë - supozojmë - naftë për industrinë, është e detyruar, sipas ligjit, të porosisë në rafinerinë ku bën ngarkesën, nëse për këtë artikull duhet të jetë ngjyra e kuqe, bile përcaktohet me numra (e kuqe 1, 2, 3, 5), e porosit vetë në rafineri dhe rafineria për këtë shërbim nuk kërkon një kosto më të lartë se 0.1 USD/ton.
 
Pretendimi i importuesve
Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure (SHSHH) nuk e fitoi dot gjyqin kundër GFI në Kushtetuese. Kjo është një histori më vete dhe unë nuk do të shkruaj tani për të. Por, po shtoj se, sipas kësaj Shoqate, “ky koncesion paraqet në vazhdimësi pengesa në ushtrimin e aktivitetit në këto drejtime: Markimi i produkteve që shkon në eksport krijon problem tek vendet pritëse, pasi nuk e njohin si element; Në rastet kur një subjekt nuk është dakort me rezultatin e monitorimit, nuk ka të drejtë dhe as mundësi verifikimi;

Produkti që ky koncesionar përdor si markues nuk e di askush se çfarë përmbajtje ka, nëse paraqet rrezik për njerëzit dhe automjetet (ky është i vetmi produkt që importohet pa u analizuar apo çertifikuar në vend); Nga verifikimi në vend rezulton që, me mënyrën që ky koncesionar kryen injektimin, nuk arrin që markuesi të shpërndahet në mënyrë uniforme. Pra, nuk e realizon dot procesin e markimit dhe, për pasojë, në çdo rast ka dështuar me monitorimin (ka gati një vit që nuk kryen monitorim, por vetëm merr tarifën përmes dhunës që i garantojne dy VKM-të e qeverisë).

Sipas SHSHH, rezulton se roli i këtij koncesionari në rregullimin sadopak të tregut është zero. Ngritja e tarifave mbi karburantet nga viti 2013 deri sot dhe rritja e konsumit çdo vit simbas rritjes ekonomike, nuk mund t’i njihet si meritë këtij koncesioni, siç kërkon vetë ai t’ja shesë publikut, sëbashku me shumë të tjerë përfitues të pamerituar koncesionesh - deklaron Shoqata e mësipërme.
 
Ca llogaritje për të parë ku… vidhet!
Nëse në Shqipëri regjistrohen 2.3 milionë ton karburantesh për automjete, traktorë, trena etj, por edhe për pëpunim dhe kosto e markimit-ngjyrosjes është 0.1 USD/ton, atëherë përse duhet që shqiptarët (por edhe bizneset) të paguajnë 15 milionë euro për GFI-në? Kompania ka planifikuar të investojë gjithsej për 10 vjet të kontratës koncesionare, vetëm 4 milionë euro?! Shtoj se kompania “Global Fluids International” përfitoi nga qeveria, në gusht të vitit 2011, bonusin 6 për qind, për shkak të paraqitjes së pakërkuar të ofertës! Kompania ka vendosur një ofertë prej 614 lekë/1.000 litra karburant. A ka një tarifë të tillë ndokund?

Dhe nuk është se atë do ta paguajnë në fund të ditës kompanitë hidrokarbure. Kjo transferohet e plotë në çmimin e produktit, sikundër ndodhi me taksën e qarkullimit të mjeteve, me taksën e karbonit, etj etj. Kjo është logjika normale! Askush nuk hyn në treg për të humbur. Në rastin tonë, doemos ka një humbës dhe ky është konsumatori shqiptar. Kjo ishte një gjë jonormale, pasi, duke u nisur nga pasqyrat e bilanceve të kompanive importuese, në shitjet me shumicë, në asnjë rast ato nuk arrijnë të garantojnë një fitim prej 5 euro/ton, megjithë investimet që kanë bërë për këtë sektor.

Zgjidhjet janë mbi tavolinë dhe, në dijeninë time, ekspertët po ofrojnë disa zgjidhje. Ajo që duhet bërë është prishja përfundimtare e kontratës me GFI-në. Penaliteti që do të vijë nga Gjykata e Arbitrazhit në Paris, (duke e paragjykuar se vendimi do të jetë në disfavor të qeverisë shqiptare) mund të paguhet me përgjysmimin e tarifës së sotme prej 614 lekë/1.000 litra, në më pak se 10 vjet, sa është koncesioni i GFI.

Do të shpëtojmë nga prepotenca e një kompanie që vjen nga hiçi, do të mundësojmë që mafiozë të parajsave fiskale të mos i marrin këto të ardhura, do të sigurojmë një performancë më të mirë për IQTI, (që Berisha nuk arriti dot ta jepte me koncesion, sipas deklarimit të bërë prej tij), por do të relaksojmë biznesin importues dhe atë të prodhim-kërkimit, që paguante dhe paguan ende për një shërbim që, ose nuk e merr, ose e merr në mënyrë abuzive.

Dhe këtu kam një pyetje: Ka ndonjë shqiptar që beson e pranon se, mbas vitit 2013 (kur u “shfaq” GFI) cilësia e karburanteve në Shqipëri është përmirësuar? Ka ndonjë shqiptar tjetër që të mund të tregojë se si një koncesionar, i krijuar si bashkim i përkohshëm kompanish, të tjetërsojë aksionet dhe të rrisë kapitalet (me një kontratë si bashkim i përkohshëm kompanish)? Të rrisë vlerën e aksioneve, ndjeshëm, pas fitimit të kontratës me qeverinë shqiptare, fillimisht nga 3 cent, në 5 cent dhe, më pas, në 16 cent në mes të vitit 2015?

Të zvogëlojë humbjet për shkak të kontratës së nënshkruar me shtetin shqiptar, nga 1 milion dollarë humbje në vitin 2012, në 0.2 milion dollarë në fund të vitit 2013? Të rrisë të ardhurat nga 3.8 milionë dollarë në 2012, në 4.9 milionë dollarë në vitin 2013. Të transferojë pothuajse të gjitha kuotat që kishte te aksioneri i dytë “Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP)”, i cili kishte fillimisht 25% të kuotave dhe u bë me “99.93”, duke qënë ofertë e pakërkuar?

Dhe, në fund fare, të kërkojë miliona euro në Gjykatën e Parisit?!
Ka një logjikë. Çfardo kosto të ketë gjykimi, kontrata duhet mbyllur njëherë e mire, për të mos bërë gabime si ato me koncesionarët e skanimit, të pullave fiskale apo të pasaportave biometrike.
Të paktën njëherë duhet t’i biem drejt e drejt!
 
*) Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Gazetarëve Ekonomikë të Shqipërisë
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave