E vështirë, jo e pamundu

E vështirë, jo e pamundu
Në kalendarin e gjysmës së parë të këtij viti, dy janë momentet që vlerësohen se mundësuan hedhjen e një hapi të madh përpara të Shqipërisë në rrugëtimin e integrimit evropian. Konkretisht, pasi Policia e Shtetit demonstroi vendosmërinë për zbatimin e ligjit, me ndërhyrjet në Qendrën e kultivimit të drogës – Lazarat, si edhe kur Qeveria arriti të zgjidhë konfliktin me kompaninë CEZ, ministrat e Jashtëm të 28 Shteteve Anëtare të BE i thanë unanimisht më 24 Qershor një ‘Po!’ dhënies së statusit të Shtetit kandidat për nisjen e përfshirjes e tij në Unionin e zhvillimeve më të mëdha dhe vlerave më të larta në krejt kontinentin tonë të përbashkët.

Pas një akti të tillë, gjatë hedhjes së syve drejt Shqipërisë, gjithë vëmendja e kancelerive dhe organeve të Bashkimit Evropian u përqendrua te përshpejtimi i pesë reformave të rëndësishme, si shtysë për të nisur çeljen e negociatave të zgjerimit brenda një kohe të shpejtë. Kjo shtysë është konsideruar e arritshme, sidomos ngaqë Qeveria shqiptare ka aktualisht një mandat të qartë dhe ngjashmëri të politikave me aleatin e vet qeverisës, që do të mundësojnë përmbushjen e kritereve politike dhe administrative të përcaktuara nga Brukseli.

Bashkimi Evropian si një lloj tërësie federative, por edhe Shtete të veçanta të tij kanë theksuar që ndërmjet priroteteve të vëna perpara Shqipërisë, pa dyshim që më kyçi është ai që ka të bëjë me rritjen e besimit publik te sistemi gjyqësor, nëpërmjet arritjes së pavarësisë reale, paanshmërisë konkrete, transparencës së gjerë, efiçencës së vazhdueshme dhe përgjegjshmërisë së plotë të gjyqësorit. Të pestë këta elementë janë në qendër të vlerësimit politik për anëtarësimin në BE, sepse pa ‘to nuk mund të pretendohet për sigurimin dhe respektimin e sundimit të ligjit brenda vendit. Por, ndërkohë dihet që elementë të tillë nuk janë dhe nuk mund të jenë fillesat e një nisme të zakonshme. Përkundrazi, ato janë derivate apo konkluzione të përftuara nga ndërmarrja e një reforme të thellë në drejtësi.

Në këtë kuadër, aktualisht Shqipëria inkurajohet që të bëjë sa më parë strategjinë e re në këtë fushë, për një periudhë kohore të shtrirë në vitet 2014 – 2020, efektet e zbatimit të së cilës do të ndjeheshin në shumë fusha të tjera. Për shembull, jo më kot në Takimin e Berlinit, mbajtur më 28 Gusht të këtij viti dhe që u cilësua si Konferenca e parë e Ballkanit Perëndimor, veç të tjerash, u nënvizua që rritja e qëndrueshmërisë ekonomike në këto vende, pra rritja e qëndrueshme e prosperitetit të qytetarëve të tyre, që do të bëhet e mundur falë tregjeve të hapura dhe investimeve të huaja, domosdoshmërisht duhet të përkojë në këtë kontekst me krijimin e një klime të besimit te sistemi gjyqësor dhe tolerancës zero ndaj korrupsionit.

Por hartimi dhe zbatimi i strategjisë që përmendëm më lart, sigurisht që nuk është një punë e lehtë apo e pamatshme. Si e tillë ajo nuk lë shumë vend për opinione subjektive. Përkundrazi, kjo strategji duhet të përmbajë në mënyrë konkrete përfshirjen dhe modernizimin e institucioneve të drejtësisë, duke filluar që nga KLD – organ i qeverisjes së këtij sistemi në dy shkallët e para të tij, për të vijuar me Gjykatën e Lartë, Prokurorinë, ndoshta edhe me Gjykatën Kushtetuese, në harmonizim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Njëherazi, mbi bazën e angazhimit të qeverisjes shqiptare me këtë organ të Këshillit të Evropës, por edhe me organizma të tjera të Bashkimit Evropian, si EURALIUS, nuk mund të mos jenë dhe të bëhen të mundshme edhe ndryshime në Kodin Penal dhe në Kodin Civil, përcaktimet ligjore për kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, publikimi i listës së gjykatësve sipas rangut dhe vlerësimi i punës së tyre për vitet 2005 – 2006, por edhe për vitet pasuese,  forcimi i sistemit disiplinor ndaj këtyre të fundit dhe krijimi i një gjurme provash për dënimet në vijim të masave disiplinore.

Pa u ndalur edhe te objektiva të tjerë, që mund të arrihen  së bashku, në kompleksitet dhe pa ndërprerje, aspak në formën e një fushate të bujshme, ndoshta është me rëndësi të theksohet edhe këtu, se destinacioni i këtij misioni jo fort të lehtë duhet të konfirmohet nga përmbajtja e nenit 2 të Traktatit të Bashkimit Evropian, sipas të cilit, Unioni bazohet në respektimin e shtetit të së drejtës. Mirëpo, e drejta nuk mund të përmblidhet vetëm te ajo e shkruar, përderisa çdo ndërtesë juridike mbështetet edhe mbi një sërë parimesh të së drejtës të pakodifikuar, pa të cilat nuk mund të ketë ‘shtet të së drejtës’.

Pra, përdorimi i këtyre parimeve të përgjithshme të së drejtës do të ndikonte fuqishëm për ta nxitur edhe jurisprudencën të zërë vend të rëndësishëm në kuptim të ligjshmërisë, sepse këto parime janë rregulla juridike që përbëjnë një prej instrumenteve të kontrollit të ligjshmërisë.

Puna në këtë drejtim thuhet se ka filluar prej disa kohësh, duke u ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë grupe specialistësh të kualifikuar, të cilët gjithsesi do të ishte mirë që projektet e hartuara prej tyre t’i konsultonin publikisht hap pas hapi me përfaqësues të grupeve të interesit: me gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë të ligjit. Sidoqoftë, një mision i tillë vështirësohet edhe më shumë po t’i referohemi jo vetëm përshtypjeve të krijuara brenda vendit, por edhe atyre jashtë tij, që nuk e mohojnë, madje shprehen me zë gjithnjë e më të lartë, se opozita këtu ka ende ndikim për emërimet në drejtësi.

Për ilustrim, mund të përmendim një raport të Agjencisë prestigjoze Britanik të Kërkimeve dhe Analizave “The Economist Intelligjence Unit” (i publikuar veçse afro 1 muaj më parë) ku thuhet që Shqipërisë i është kërkuar të ndërtojë një regjistër me hetimet dhe çështjet e ndjekura nga prokuroria ndaj të dyshuarve për korrupsion, por pavarësia e gjykatave është e limituar. Sipas këtij raporti, ndikim kanë edhe sherret politike mes Partisë Socialiste në pushtet dhe Partisë Demokratike në opozitë, por jo vetëm këto, pasi Presidenti Bujar Nishani është një ish figurë e lartë e PD. Dhe kjo do të thotë që opozita ka një kontroll të konsiderueshëm në emërimet në drejtësi.

Megjithatë (pa iu qepur alternativës: rastësi apo reflektim?), të nesërmen e bërjes të njohur të raportit që përmendëm më lart Presidenti Bujar Nishani në cilësinë edhe të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë deklaroi në paraqitjen e një projekti të zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Korçës, se: “Reforma në Drejtësi përbën jo vetëm një rekomandim të qenësishëm të raportit të progresit të Komisionit Evropian, por edhe një domosdoshmëri të kohës, në vijim të konsolidimit të shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale në Shqipëri”. Se për çfarë konsolidimi të demokracisë funksionale në Shqipëri e hedh fjalën ai, kjo kërkon një analizë të detajuar, nga e cila ai mbase do të dilte zbuluar. Zbuluar, për vetë rolin praktik të luajtur nga Nishani gjatë mandatit të vet si Kryetar i Shtetit dhe, njëherësh, i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Mjafton të përmendet vetëm rasti i fundit, që nuk do ndonjë kujtesë të mprehtë, për të ndjerë përthyerje të aksit në ushtrimin e funksioneve të tij, kur merr në mbrojtje të hapur institucionale Zëvendëskryetarin e KLD dhe një anëtar tjetër të këtij organi ndaj akuzave të mbështetura në dokumente për shkelje të ligjit. Por, nuk është vendi në këto rradhë për t’i kushtuar vëmendje këtij fakti, për më tepër që akuza ndaj këtyre zyrtarëve të lartë, shoqëruar me kërkesën e një grupi të madh deputetësh për shkarkim nga detyrat që mbajnë, nuk është objekt i drejtpërdrejtë i reformës në Drejtësi.

Ajo që tërhoqi, tej retorikave të zakonshme, interesimin për atë deklaratë të Presidentit të Republikës ishte bërja publike e një nisme të tij për organizimin e një tryeze të rrumbullakët ‘Për reformën gjyqësore në Shqipëri’, e cila është parashikuar të ngrihet të hënën e ardhshme, më 6 Tetor. Pra, interesimi ka qenë dhe mbetet jo pse Qeveria ia ka lënë Nishanit protagonizmin e organizimit të kësaj tryeze, por a do të jetë ky në gjendje të përfshijë aktivisht në ‘të edhe përfaqësues të Partisë Demokratike?! Sepse, si të gjitha reformat e tjera, veçanërisht ajo në Drejtësi kërkon gjithpërfshirje edhe të aktorëve profesionistë, edhe të faktorëve politikë. Nëse në aktivitetin e të hënës së ardhshme ndodh një pjesëmarrje e gjerë e të tillë aktorëve dhe e këtyre faktorëve, prapseprapë ekziston rreziku që jehona të jetë sa e zhurmshme, aq edhe e shkurtër.

E zhurmshme, sepse pas frazave të gjata mbi rëndësinë e kësaj reforme të pranuar prej hallit apo prej mallit nga secili krah i tryezës, mund të vijojnë debatet e zjarrta për vënie kushtesh ndaj mazhoirancës, plotësimi kokëulur i të cilave do të kompromentonte rëndë qëllimin dhe përmbajtjen e vetë kësaj reforme, që tek e fundit do të thotë përmirësim të ndjeshëm të gjendjes në këtë sektor, nëpërmjet ndryshimeve të thella. E shkurtër, sepse që tani përpara Takimit të thirrur nga Presidenti i Republikës, emisarë të forcës kryesore të opozitës shprehen publikisht për zgjedhjen e tyre: çdo diskutim, detaj dhe akord me mazhorancën mund ta bëjnë vetëm jashtë aulave parlamentare.

Ndërkohë që, ashtu siç theksohet në Deklaratën Përfundimtare të Samitit të Berlinit: “Në një demokraci shumëpartiake, opozita gjithashtu duhet të luajë rolin e saj parlamentar dhe gjithashtu duhet të jetë e garshme të marrë këtë rol”. Një parim i përgjithshëm ky, që u vu në dukje edhe në Deklaratën e fundit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, sipas së cilës: “Aktorët politik në Shqipëri duhet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të mos nxitojnë në vendimet për bojkotimin e punës së Parlamentit”.

Megjithatë, sido që të jenë qëndrimi i Partisë Demokratike: pro përpjekjeve të përbashkëta për integrimin evropian të vendit, apo pro motos që shpalli prijësi i saj i fantaksur për protesta në çdo rrug dhe cep pallati, gjithmonë gjenden zgjidhje të drejta. Aq më shumë shtohen mundësitë për ‘to, kur rruga e pakthyeshme ku ka hyrë Shqipëria është sa e gjatë, aq edhe e gjerë, gjatë së cilës ka kohë, ka edhe vend, për të lënë mënjanë grupe të caktuara, dhe të tjera grupe të nxitojnë për t’iu bashkuar shumicës.      


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   


 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë