Qytetarët e Kosovës, edhe këtë vit, nuk kanë arritur t’i sigurojnë vetes bukën. Tokat e mbjella me grurë edhe këtë herë nuk kanë qenë shumë “pjellore”.
Përfundimisht, edhe sivjet nga sezoni i korrje-shirjeve, Kosova nuk do të mund t’i plotësojë nevojat e saj për grurë.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, këtë vit kanë qenë të mbjellë me grurë rreth 67.000 hektarë tokë.
Por, kjo nuk po mjafton.
Profesori i bujqësisë, Imer Rusinovci, ka thënë se këtë vit ka një trend në rritje të sipërfaqeve të grurit, por sipas tij, prodhimi nuk do të jetë siç është planifikuar.
“Për dallim nga vitet e kaluara, sivjet është një trend më i madh i sipërfaqeve të mbjella me grurë dhe planifikimet, pritshmëritë kanë qenë më të mëdha në raport me vitet e kaluara.
Por, pranvera ishte e ftohtë, kishte reshje të vazhdueshme, pati shumë ngastra kultivuese të atakuara nga patogjenet dhe sëmundjet dëmtuese, dhe për pasojë, prodhimi nuk do të jetë ai i planifikuar. Edhe këtë vit do të varemi nga importi i grurit siç e kemi pasur traditë edhe në vitet e kaluara fatkeqësisht”.
Sipas tij, arsyet janë nga më të ndryshmet, por para së gjithash, reshjet e vazhdueshme në mars, prill, maj e qershor zgjatën mbjelljet pranverore dhe shtynë afatin optimal të korrjeve-shirjeve të grurit.
Rendimenti më i ulët prej 40%
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, ka thënë se këtë vit, rendimentet janë shumë të ulëta.
Ai thekson edhe vonesat e realizimit të subvencioneve nga programi i pagesave direkte.
“Kur ta marrim mesataren, frikësohemi shumë se rendimenti do të ulet me rreth 40%. Kur janë në pyetje investimet te gruri, çmimet e larta të pesticideve, plehrave e materialeve në përgjithësi ndikojnë sepse bujqit nuk kanë mundësi, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, dhe nuk mund të investojnë sa duhet. Rrethanat e tilla të sivjetme nuk mbahen mend për një kohë të gjatë, një kohë e papërshtatshme për grurin”.
Tahiri thotë se bujqve u mungon mbështetja.
“Mirëpo, edhe ata që dinë se çfarë masash duhet të marrin, për shkaqe ekonomike hezitojnë, nuk kanë mundësi të investojnë, të bëjnë mbrojtjen siç duhet.
Edhe subvencionet po vonohen. Përderisa bujku nuk ka mundësi të mbulojë koston e prodhimtarisë, ai nuk është i stimuluar. Shumë fermerë po tërhiqen, sepse ka raste se dështojnë dhe po tërhiqen prej prodhimtarisë së grurit dhe kulturave të tjera bujqësore”.
Kryeministri Albin Kurti, pasi mori pjesë në fillim të fushatës së korrje-shirjeve në një fshat të Kosovës pati thënë se rreth 67 mijë hektarë janë mbjellë me grurë sivjet, apo 32% më shumë sesa vjet.
“474 euro për hektar është mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë, apo rritje prej 216% krahasuar me qeveritë e shkuara: 150 euro për sipërfaqe, 150 euro për plehrim, 120 euro për rendimentin (4 tonë për hektar) dhe 54 euro për derivate (heqja e akcizës për naftë)”.
Gruri, me cilësi të dobët
Përveç sasisë së pamjaftueshme të grurit që Kosova ka siguruar sivjet, cilësia e tij nuk është e duhura.
Udhëheqësi i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, ka treguar se cilësia e kësaj kulture bujqësore varet nga rajonet ku mbillet.
“Gruri duhet të ketë një cilësi minimale për përpunim të miellit. Gruri i këtij viti ka pasur kualitet aq të dobët, sa nuk ka mundësi që të prodhohet miell.
Ky grurë, i këtij kualiteti, mund të përpunohet si ushqim për kafshë, por jo si ushqim për njerëzit. Gruri është lënda e parë për prodhimin e miellit dhe si e tillë konsiderohet produkt strategjik për sigurinë kombëtare.
Për shkak të kushteve jo të favorshme atmosferike, këtë vit fushata e korrje-shirjeve ka nisur më 15 korrik.
Disa zona në Kosovë gjatë këtij viti janë përballur me vërshime. Në janar, komuna e Skenderajt, ajo e Mitrovicës së Jugut, Klinës dhe Istogut u goditën nga vërshimet. Në qershor, komuna e Pejës u përball me vërshime.
207 kilogramë për frymë
Në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në kuadër të mbjelljeve vjeshtore të vitit 2022, janë mbjellë 71,008.20 hektarë sipërfaqe me kulturën e grurit.
Në Kosovë, ndër vite, rendimenti mesatar i grurit në nivel vendi varion nga 3,500 deri në 4,500 kilogramë për hektar. Ndërkohë, në mungesë të sasisë së nevojshme të grurit, Kosova prej vitesh importon tonelata të tëra me grurë e miell, në vlerë të miliona eurove.
Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2021, konsumi mesatar i grurit për frymë, duke përfshirë edhe produktet me përmbajtje gruri, është 207 kilogramë, ose mbi 410.000 tonë grurë.
Në vitin 2021, fermerët e Kosovës prodhuan 280.000 tonë grurë. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës për atë vit, janë importuar nga shtete të ndryshme të Europës 115.000 tonë lloje të grurit dhe miellit./ Monitor (Fatos Shala)
Bliheni ne Shqiperi,matrapazet tane po e lene ne fusha te grumbulluar e te mbuluar me plastmas,me mire t'jua haje miu se sa t'a shesin ,kurse ju vareni nga importi!
Përgjigju