Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër pas ndërprerjes së punimeve për vendosjen e një mozaiku kushtuar Nënë Terezës në kryeqytet, duke kërkuar sqarime publike nga Policia e Kosovës për urdhrin që çoi në ndalimin e punimeve.

Sipas mediave të Kosovës bëhet fjalë për një mozaik me sipërfaqe 33 metra katrorë, i cili po vendosej në sheshin “Zahir Pajaziti”, përballë ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë. Sipas Ramës, Komuna kishte dhënë lejen përkatëse për realizimin e projektit, pasi është institucioni kompetent për dhënien e lejeve në hapësirat publike të kryeqytetit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi situatën si skandaloze, duke pretenduar se punimet janë ndaluar pa një vendim të publikuar dhe me argumentin se urdhri kishte ardhur “nga lart”.

“Skandaloze! Kujt i përgjigjet shteti ynë? Urdhrave politikë?! Policia duhet ta sqarojë publikisht këtë deklaratë, ta identifikojë personin që dha urdhrin dhe ta bëjë publik vendimin mbi të cilin veproi!”, shkroi ai.

Kryetari i Prishtinës kërkoi gjithashtu të bëhet e ditur se kush e ka urdhëruar ndërhyrjen, mbi çfarë baze ligjore është marrë vendimi dhe nëse ka pasur presion politik ndaj Policisë së Kosovës.

“Kush është ‘lart’ në Kosovë? Kush mund ta ndalë me një fjalë goje një punë për të cilën Komuna ka dhënë leje? Kërkoj llogari nga Policia e Kosovës. Me çfarë vendimi u ndalua vendosja? Mbi cilën bazë ligjore? Kush e kërkoi ndërhyrjen dhe kush e urdhëroi? Kush bëri presion politik mbi Policinë?”, shtoi Rama.

Deri në momentin e raportimit, Policia e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë nuk kanë dhënë një reagim zyrtar për arsyet e ndërprerjes së punimeve.

Ndërkohë, mbetet e paqartë se mbi çfarë vendimi është mbështetur ndërhyrja për ndalimin e vendosjes së mozaikut, ndërsa kërkesa e kryetarit të Prishtinës është që autoritetet përgjegjëse të bëjnë publike arsyet dhe përgjegjësitë institucionale për këtë rast.