SHKUP - Nesër pasdite do të mësohet nëse shtetasi britanik i cili ndërroi jetën në Klinikën e sëmundjeve infektive ka qenë i prekur nga virusi vdekjeprurës, Ebola. Sipas korrespodentes së A1 Report Zerieta Jajaga autoritetet shëndetësore në Shkup janë në pritje të rezultateve nga analizat e mostrave që dje janë dërguar në Hamburg të Gjermanisë. Ministria e jashtme e Maqedonisë konfirmoi identitetin e shtetasit britanik që ndërroi jetë, ai është Kolin Xhefri.

Bëhet fjalë për biznesmen I cili ishte edhe kryetar i Këshillit për investime të huaja në Maqedoni. Sipas disa mediave maqedonase arsyeja e vizitës së tij në Maqedoni ka qenë angazhimi i tij si këshilltar i qeveris për investime të huaja, e cila ka financuar qëndrimin e tij në vendin tonë. Nga qeveria nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë. Kompetentët besojnë se nuk ka raste tjera të dyshimta të Ebolës në vend, e as te kolegu i britanikut të ndjerë.