Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të hapin një qendër karantine në Kenia për rastet e dyshuara ose të konfirmuara me Ebola, ndërsa virusi po përhapet në Republikën Demokratike të Kongos.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA nuk do të lejojë asnjë rast të Ebolës të hyjë në territorin amerikan. \“Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë asnjë rast të vetëm të Ebolës të hyjë në Shtetet e Bashkuara”, tha ai gjatë një mbledhjeje të kabinetit të thirrur nga Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Rubio theksoi se autoritetet amerikane po punojnë “pa pushim” për të frenuar përhapjen e virusit në vendet e prekura, veçanërisht në Republikën Demokratike të Kongos, si dhe për të monitoruar çdo rast të mundshëm që mund të hyjë në SHBA.
Sipas një zyrtari amerikan të cituar nga Ëall Street Journal, qendra e karantinës në Kenia do të përdoret kryesisht për amerikanët që duhet të largohen shpejt nga Kongo dhe të izolohen pa qenë nevoja të udhëtojnë menjëherë drejt SHBA-së. Zyrtari tha se qëllimi është që pacientët të marrin trajtim cilësor duke shmangur rreziqet e një udhëtimi të gjatë.
Çfarë po ndodh në Kongo?
Ndërsa SHBA po planifikon qendra karantine dhe po forcon kontrollet kufitare, situata në Republikën Demokratike të Kongos po del jashtë kontrollit. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se përhapja e Ebolës po përkeqësohet nga luftimet dhe kaosi në lindje të vendit.
Drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e quajti situatën një “përplasje katastrofike mes sëmundjes dhe konfliktit”, duke thënë se ekipet mjekësore nuk mund të izolojnë të sëmurët apo të fitojnë besimin e komuniteteve “kur bombat po bien”.
Sipas të dhënave, deri tani raportohen mbi 220 vdekje të dyshuara nga Ebola, ndërsa rreth 1 mijë persona po shfaqin simptoma të virusit. Autoritetet po përpiqen të gjurmojnë mbi 3,600 kontakte të personave të infektuar, por situata e sigurisë po e bën pothuajse të pamundur kontrollin e shpërthimit.
Provinca Ituri, epiqendra e shpërthimit, është prej vitesh nën konflikt të armatosur. Sulmet ndaj qendrave shëndetësore, zhvendosja masive e banorëve dhe mungesa e infrastrukturës kanë paralizuar reagimin ndaj epidemisë.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo është një nga format më të rrezikshme të Ebolës, për të cilën aktualisht nuk ka vaksinë apo trajtim të miratuar. Për shkak të frikës nga përhapja, Uganda ka mbyllur kufirin me Kongon, ndërsa SHBA, Kanadaja dhe vende të tjera kanë vendosur kufizime të forta udhëtimi.
Çfarë është Ebola?
Ebola është një virus shumë i rrezikshëm që shkakton hemorragji të rënda dhe mund të jetë fatal në shumë raste. Virusi u zbulua për herë të parë në vitin 1976 pranë lumit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos, prej nga mori edhe emrin.
Sëmundja përhapet përmes kontaktit direkt me gjakun, lëngjet trupore apo trupat e personave të infektuar. Simptomat fillojnë zakonisht me temperaturë të lartë, lodhje, dhimbje muskujsh dhe më pas mund të kalojnë në gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme.
Shpërthimi më i madh i Ebolës ndodhi në Afrikën Perëndimore mes viteve 2014-2016, kryesisht në Guine, Liberi dhe Sierra Leone, ku humbën jetën mbi 11 mijë persona. Që prej asaj kohe, virusi është rikthyer disa herë në vende të Afrikës Qendrore, veçanërisht në Kongo.
Ekspertët e konsiderojnë Ebolën një nga viruset më vdekjeprurëse në botë, pasi në disa shpërthime shkalla e vdekshmërisë ka arritur deri në 90%.
Komente






