Korab Visha dhe Alfred Lita dy të rinjtë që shkuan të parët për të shpëtuar dy turistët zviceranë në malin e Korabit kanë treguar rrugëtimin që bënë derisa i gjetën. Ata thonë se kanë ecur 4 orë në këmbë derisa kanë mbërritur në vendin ku i kishte zënë orteku i dëborës. Falë lokacionit që u kanë dërguar turistët kanë mundur që t’i gjejnë. Pasi i kanë nxjerrë nga dëbora dhe u kanë dhënë ndihmën e parë, më pas siç tregojnë të rinjtë ka mbërritur dhe policia e Kosovë.
“Isha unë dhe Pëllumb Lamallari dhe Korab Visha. Kemi shkuar në orën 9:30 me makinë. Kemi ecur ca rrugë, ishte bllokuar rruga, kemi lënë makinën dhe më pas kemi ecur në këmbë. Nuk i kemi gjetur kollaj. Ishin të mbuluar me borë, vetëm fytyrën kishin jashtë. Dëborë dhe ngrica kishte shumë. Po kontrollonim rrugën për ortek sepse kishim frikë se mos rrëzoheshim edhe ne. Pasi i gjetëm i nxorëm nga dëbora. Pastaj erdhën ndihma nga Kosova”, tha njëri prej të rinjve.
“Më mori daja në telefon, më tha hajde të shkojmë se na kanë humbur disa turistë. U nisëm në këmbë nëpër bjeshkë. Ora mund të ishte 10 maksimumi. Kemi ikur në këmbë, u bëmë grup. Na shkoi katër orë e gjysmë rruga. Ishte shumë e vështirë, frynte shumë, kishte furtunë. I gjetëm me lokacion, na dërguan ata lokacion. Kishin rënë në një shpatë në kufi me Kukësin. Për t'i nxjerrë nga orteku ishte shumë e vështirë. Ne shkuam u dhamë ndihmën e parë i nxorëm nga dëbora dhe më pas na erdhën ndihma nga policia e Kosovës shumë shpejt dhe u dhamë ndihmën e parë. Vajza ishte shumë mirë, kurse djali shumë keq. Pasi i nxorëm nga dëbora u dhamë ndihmën e parë”, tregoi tjetri.
Lajmi kryesor: