TIRANE, 11 Shkurt /ATSH-E,Xhajanka/- Ecuria e lekut është karakterizuar nga vlera të lehta nënçmimi në tremujorin e fundit të vitit 2014. Indeksi NEER, shënoi një rritje vjetore mesatare për periudhën në analizë me 0.3%, nga tkurrja me 1.8% që shënonte në periudhën janar-tetor 2014.
Ekspertët e bankave bëjnë të ditur se, pavarësisht dobësimit të euros ndaj monedhës vendase, nënçmimi i ndjeshëm i kësaj të fundit ndaj dollarit amerikan duket të ketë mbajtur indeksin në nivele jo shumë të ndryshme nga ato të tremujorit të katërt 2013.
Në terma realë, monedha vendase vazhdoi të shfaqë vlera mbiçmuese (0.3%), si rrjedhojë e rënies më të shpejtë të inflacionit në vendet partnere tregtare të Eurozonës në krahasim me atë në vend. Në linjë me zhvillimet e mësipërme, indeksi i presioneve në tregun valutor nuk paraqet presione të shtuara mbi monedhën vendase.
Në tremujorin e fundit, një euro u këmbye mesatarisht me 139.74 lekë, ose 0.5% më lirë se një vit më parë. Ndonëse në këtë periudhë deficiti tregtar rezultoi në zgjerim, prurjet më të larta valutore në terma vjetorë, të sinjalizuara nga depozitat, si dhe nënçmimi i euros në tregjet ndërkombëtare, duket të kenë dobësuar pozitat e tij edhe në tregun vendas.
Dinamikat brenda tremujorit tregojnë për një forcim më të dukshëm të monedhës evropiane ndaj lekut, veçanërisht gjatë muajit dhjetor (me 0.5% ndaj vlerës mesatare të muajit tetor), të diktuar kryesisht nga një rritje e kërkesës për valutë nga ana e agjentëve ekonomikë.
Ky zhvillim u reflektua edhe në efektin e munguar sezonal karakteristik të fundvitit46. Dollari amerikan vazhdoi të fitojë terren ndaj lekut, si në terma vjetorë (8.4%) ashtu edhe në ato tremujorë (6.1%), duke reflektuar trajektoren e kursit euro/ dollar në tregje ndërkombëtare në tremujorin e katërt. Në këtë periudhë, vlera mesatare e një dollari amerikan ishte përafërsisht 114 lekë, ndër më lartat në dy vitet e fundit./a.g/









