Ekonomia u rrit me 3.75% në tremujorin e tretë të vitit, që përkon me sezonin veror. Njësoj si edhe në gjashtëmujorin parë të vitit edhe për periudhën korrik-shtator ‘shpëtimi’ i ekonomisë ka ardhur kryesisht nga rritja e pagave të administratës publike, sektori i turizmit dhe pasuritë e paluajtshme. Ndërsa sektorët tradicionalë si bujqësia dhe industria vijojnë të tkurren.
“Në sektorin e bujqësisë së pyetjeve të peshkimit ka vijuar rënia me 1.73%. Kjo rënie është ndikuar kryesisht nga niveli i çmimeve në sektorin e industrisë. Industria nxjerrëse dhe industria përpunuese e tekstileve kanë vijuar rënien”, tha Ibrahimaj.
Edhe pse ekonomia në 9-mujor ka rezultuar nën objektiv, ministrja Delina Ibrahimaj thekson se sinjalet janë që viti të mbyllet me rritje ekonomike 3.9%
“Pritshmëritë për tremujorin e katërt dhe për përfundimin e vitit janë për arritje të parashikimit të rritjes ekonomike prej 3.9%”, tha Ibrahimaj.
Në këtë nëntëmujor rritja ekonomike rezulton afro 3.73%, ndërsa institucionet vendase dhe të huaja kanë parashikuar që i gjithë viti të mbyllet midis shifrave 3.5 dhe 4% rritje në raport me vitin e shkuar.
Por përtej bumit turistik shifrat tregojnë një rritje modeste të konsumit në sezonin turistik me vetëm 1.25%, që dëshmon edhe një herë trendin e pushuesve që shpenzojnë pak në Shqipëri. Ndërsa rritja e konsumit është udhëhequr nga shteti me rritje prej 7.72%.
Në konferencën e fundit për vitin 2025, ministrja tha se edhe për vitin që po vjen pritshmëritë janë pozitive prej një rritje ekonomike në nivelin 3.7 deri në 4%.
Komente









