Kur mendojmë për pushime në qytet, Nju Jorku, Parisi apo Roma zakonisht janë në krye të listës, por kohët e fundit Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është bërë qyteti më i preferuar evropian për britanikët, shkruan Courtney Pochin në të përditshmen britanike “Metro”.
Tirana, kryeqyteti i gjallë i Shqipërisë – dikur një zonë gri komuniste deri në vitet 1990 – ka pësuar një rigjallërim të madh vitet e fundit, duke tërhequr një numër në rritje turistësh të huaj.
Falë transformimit të saj, kulturës interesante, ushqimit të lirë dhe të shijshëm, si dhe atmosferës së gjallë, ekspertët e udhëtimit e kanë quajtur Tiranën “qytetin më të ri turistik në Evropë”.
Duke filluar nga viti i ardhshëm, turistët britanikë mund të rezervojnë një udhëtim drejt kryeqytetit shqiptar për vetëm 65 paund, pasi kompania ajrore “Ryanair” ka rritur numrin e fluturimeve nga Liverpuli në Tiranë.
Nga vera e vitit 2026, turistët britanikë do të jenë në gjendje të fluturojnë për në Tiranë nga aeroporti “John Lennon” i Liverpulit.
Kjo për shkak se linja ajrore me kosto të ulët, “Ryanair” po shton një avion të gjashtë – si pjesë e një investimi amerikan prej 600 milionë dollarësh (rreth 449 milionë paund), në veriperëndim të vendit.
Fluturimi me “Ryanair” për një udhëtim vajtje në Tiranë kushton 65 paund.
Tirana është shtëpia e shumë ndërtesave të pikturuara me ngjyra, shumë rrugëve për këmbësorë dhe shesheve publike, të cilat, sipas “Lonely Planet”, e bëjnë atë “një vend kënaqësie për të shëtitur”.
Turistët që duan të mësojnë rreth historisë së vendit, mund të vizitojnë disa nga muzetë duke përfshirë Muzeun Historik Kombëtar, si dhe Bunk’Art, i cili është një ish-bunker i Luftës së Ftohtë, në periferi të qytetit – i transformuar në një muze historie dhe arti bashkëkohor.
Adhuruesit e natyrës, mund të eksplorojnë Parkun Kombëtar të Malit Dajti, i cili është shtëpia e malit më të arritshëm në Shqipëri.
Ai ndodhet 25 kilometra në lindje të Tiranës, dhe mund të shijoni një udhëtim piktoresk 15-minutësh me teleferik deri në lartësinë 1611 metra. Asnjë vizitë në Tiranë nuk është e plotë pa eksploruar Sheshin Skënderbej, sheshin kryesor të qytetit.
Këtu do të gjeni muzeun e historisë, Pallatin e Kulturës, Operën Kombëtare, Bibliotekën Kombëtare, Bankën Kombëtare, Xhaminë e Ethem Beut, Kullën e Sahatit, Bashkinë, Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Energjisë.
Ekspertët e udhëtimit, gjithashtu rekomandojnë të vizitoni “Sky Bar” për një pamje 360 gradë të qytetit; të ngjiteni në Piramidën e Tiranës – një ish-muze dhe një pikë referimi në qytet; të vizitoni disa nga kishat dhe xhamitë mahnitëse; Parkun Rinia dhe Kalanë e Tiranës. Vende të tjera që duhen vizituar me patjetër përfshijnë Parkun e Liqenit të Tiranës, në pjesën jugore të qytetit.
Nëse dëshironi të udhëtoni pak më shumë, vetëm një orë larg ndodhet Liqeni i Bovillës, në pjesën verilindore të Tiranës, i vendosur midis dy maleve. Shumë kompani ofrojnë ture në këmbë dhe ecje në zonën piktoreske. Gjithashtu, shijoni gatimet tradicionale shqiptare, duke përfshirë tavën e kosit, fërgesën, si dhe byrekun./Metro
Komente











