Edhe 9 ditë dhe një prej divave më të mëdha të muzikës botërore Dua Lipa do të jetë në Tiranë. Më 28 nëntor, Dua Lipa do të mbajë një koncert që, padyshim do të ngrejë peshë fansat e saj të shumtë. Përmes një postimi në Instagram, Dua Lipa bën të ditur se koncerti do të mbahet në sheshin “Skënderbej”.
“Emocioni është i madh për spektaklin “Future Nostalgia”, i cili do të mbahet në Tiranë, Shqipëri, në sheshin ‘Skënderbej’ më 28 nëntor 2022. Është nder të festosh një ngjarje kaq të rëndësishme - 110 vjetorin e Pavarësisë”, shkruan Dua.
Pak ditë më parë, Dua e konfirmoi vetë koncertin përmes një videomesazhi në anglisht dhe në shqip. “Mezi pres me ju pa në 28 Nëntor për Ditën e Flamurit dhe për 110-vjetorin e Pavarësisë. Ju dua shumë!”, dëgjohet të thotë artistja.
Koncerti i Dua Lipës përkon dhe me Kryeqytetin Europian të Rinisë ku janë zhvilluar mbi 1 mijë aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore. Vetëm pak ditë më parë, Tirana u shpall fituese për vitin 2023 edhe si “kryeqyteti europian i sportit”.