Kur mendojmë për një kaktus, imazhi që na vjen ndër mend është ai i ikonës në WhatsApp: një trung i gjelbër, i trashë, i mbuluar me gjemba dhe me dy degë të drejtuara lart, ashtu siç jemi mësuar ta shohim në filmat vizatimorë.

Bëhet fjalë për Saguaron, kaktusin shekullor që rritet në shkretëtirën e Sonorës, në Arizona, dhe që është atraksioni kryesor i Parkut Kombëtar Saguaro, 24 kilometra larg qytetit të Tucsonit. Në një sipërfaqe prej rreth 370 kilometrash katrorë, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2020, gjenden mbi 2 milionë ekzemplarë të kësaj bime, që ngrihen si kulla nën rrezet e diellit.

Saguaro, me emrin shkencor Carnegiea gigantea, është ndër kaktuset më të njohura në botë, si për përmasat, ashtu edhe për jetëgjatësinë. Kur arrin pjekurinë, mund të shkojë deri në 15 metra lartësi dhe të jetojë deri në 150 vjet. Disa studiues besojnë se këto bimë mund të jetojnë edhe 200 vjet, megjithëse përcaktimi i moshës së tyre të saktë është i pamundur.

Një bimë me përmasa të tilla, e përshtatur me temperaturat ekstreme të shkretëtirës, duket se do të ishte ndër më rezistentet ndaj ngrohjes globale. Por verat e fundit, me temperatura mbi 43 gradë Celsius, kanë vënë në rrezik mbijetesën e këtyre kaktuseve.

Përpara vitit 2020, shkalla e vdekshmërisë së tyre ishte 1-2%, në përputhje me ciklin natyror të jetës. Në vitin 2021, kjo shifër u rrit në 4%, ndërsa në vitin 2023, gjatë verës më të nxehtë, arriti në 7%.

Aktualisht, sipas një reportazhi të agjencisë Reuters, shkalla e vdekshmërisë varion nga 4 në 5%. Ndonëse më e ulët se niveli rekord i vitit 2023, ajo mbetet mbi mesataren e vdekshmërisë natyrore për shkak të moshës së bimëve.

Pse kaktuset gjigante po shemben brenda pak sekondash?

Në rrjetet sociale po qarkullojnë video që tregojnë kaktuse gjigante të cilat shemben papritur, duke u copëtuar brenda pak sekondash. Por çfarë e shkakton këtë fenomen?

“Kur një Saguaro vdes, ai vazhdon të qëndrojë në këmbë, thahet, dehidratohet dhe gradualisht shpërbëhet. Por nëse shembet papritur, brenda pak sekondash, atëherë vrasësi është nxehtësia”, shpjegon Stefano Colombo, nga fidanishtja Cactus Colombo.

Sipas ekspertëve, problemi nuk qëndron te temperaturat mbi 43 gradë Celsius gjatë mesditës, që në raste të caktuara arrijnë edhe në 50 gradë. Këto temperatura Saguaro është në gjendje t’i përballojë.

Problemi është se, për shkak të ndryshimeve klimatike, temperaturat mbeten të larta edhe gjatë natës. Në vend që të ulen, ato qëndrojnë në 30 gradë Celsius, duke mos i dhënë bimës mundësinë të ftohet.

Ekspertët e konsiderojnë temperaturën prej 30 gradësh gjatë natës si pragun përtej të cilit kaktusi fillon të vuajë.

Sa më shumë net të tilla të ketë, aq më e vështirë bëhet për bimën të kryejë proceset që i mundësojnë të ushqehet.

Në kushte të tilla, kaktusi aktivizon një mekanizëm mbrojtës, duke kaluar në një gjendje pushimi vegjetativ veror, të njohur si estivacion.

Në vend që të hapë poret e tij, të quajtura stoma, për të përthithur dioksidin e karbonit, të nevojshëm për fotosintezën dhe prodhimin e lëndëve ushqyese, bima e ndërpret këtë proces në pritje të kushteve më të favorshme klimatike.

Me fjalë të tjera, çdo natë e nxehtë është një natë gjatë së cilës kaktusi mbetet pa u ushqyer.

Numri i netëve me temperatura mbi 30 gradë është rritur ndjeshëm

Por sa është rritur numri i netëve të nxehta në rajonin e Phoenixit, ku rriten këto kaktuse?

Sipas përllogaritjeve të Reuters, në vitet ’60 regjistroheshin mesatarisht 9 net në vit me temperatura mbi 30 gradë Celsius. Gjatë dekadës së fundit, kjo mesatare është rritur në rreth 25 net në vit, ndërsa në vitin 2024 u regjistruan 29 net të tilla.

Në këto kushte, edhe bimët më rezistente të shkretëtirës e kanë të vështirë të mbijetojnë.

Për më tepër, kaktusi, i cili përbëhet në masën 90% nga uji, humbet një pjesë të rezervave të tij për shkak të avullimit të ujit nga trungu gjatë temperaturave ekstreme.

Humbja e ujit, e kombinuar me pamundësinë për t’u ushqyer, bën që indet e bimës të humbasin fortësinë dhe aftësinë për të mbajtur peshën e saj. Si pasojë, kaktusi shembet.

Vdekja e këtyre bimëve nuk do të përbënte një problem kaq të madh nëse kaktuset e vjetra do të zëvendësoheshin vazhdimisht nga të rejat.

Por që një Saguaro të arrijë pjekurinë duhet të kalojë të paktën gjysmë shekulli. Vetëm pas 50 vjetësh fillojnë të formohen degët karakteristike anësore.

Më pak se një në një milion fara arrin të zhvillohet në një kaktus të rritur

“Më pak se një në një milion fara të Saguaros arrin të zhvillohet në një kaktus të rritur, pavarësisht se çdo bimë prodhon nga 20 deri në 40 milionë fara gjatë jetës së saj”, shpjegon Colombo.

Një pjesë e farave hahen nga kafshët, të tjera bien mbi gurë dhe nuk arrijnë të zënë rrënjë, ndërsa të tjera nuk gjejnë kushtet e nevojshme për të mbirë, për shkak të ekspozimit ndaj diellit dhe mungesës së ujit.

Për më tepër, edhe një vit pas mbirjes në natyrë, kaktuset e reja kanë përmasat e kokës së një gjilpëre. Për këtë arsye, ato mund të shkelen, të shtypen ose të hahen nga kafshët.

“Që një Saguaro të arrijë një metër lartësi, duhen nga 20 deri në 40 vjet. Pas kësaj, rritja, që në fazën e parë është shumë e ngadaltë, përshpejtohet”, shpjegon eksperti.

A mund t’u përshtaten kaktuset ndryshimeve klimatike?

Gjithçka duket se është kundër mbijetesës së këtyre kaktuseve, veçanërisht nëse mendojmë për popullatën e tyre në shekullin e ardhshëm. Megjithatë, ka studiues që besojnë se këto bimë mund të arrijnë t’u përshtaten edhe ndryshimeve klimatike.

Sipas një studimi shkencor të Universitetit të Readingut, në Angli, të publikuar në revistën Biology Letters, kaktuset kanë një aftësi të jashtëzakonshme për të evoluar në kohë rekord, duke zhvilluar mutacione me një shpejtësi të pakrahasueshme me organizmat e tjerë në Tokë.

Sipas studimit, ky evolucion i shpejtë lidhet me aftësinë e kaktuseve për të ndryshuar formën e luleve të tyre me kalimin e kohës, për shembull, duke kaluar me shpejtësi nga lulet e ngushta në formë tubi tek ato të gjera dhe të hapura.

Ky evolucion, sipas studiuesve, nuk duket se varet nga kafshët që kryejnë pllenimin e luleve.

Studiuesit mendojnë se gjenomi i kaktuseve ndodhet në një gjendje evolucioni jashtëzakonisht të përshpejtuar.

Kromozomet e tyre bashkohen, ndahen dhe riorganizohen me një shpejtësi të paparë te familjet e tjera të bimëve. Kjo aftësi mund t’u mundësojë kaktuseve të rishkruajnë ADN-në e tyre për t’iu përshtatur kushteve ekstreme klimatike.

Megjithatë, kjo hipotezë mbetet ende për t’u vërtetuar./CorrieredellaSera