Edhe njëherë për VV-në dhe Gent Cakajn

Edhe njëherë për VV-në dhe Gent Cakajn

Gent Cakaj

Komunikata e VV-së në përkrahje të vendimit të Presidentit Meta për të mos dekretuar Gent Cakajn ishte e turpshme. Përmbajtja e asaj komunikate është e denjë për t’u arkivuar në muzeun e trashëgimisë enveriste. Kjo komunikatë e poshtër duhet të deponohet në arkivat e fletërrufeve të Partisë së Punës. Propagandat e tilla janë reminishenca të diktaturave të shekullit të kaluar. VV-ja e ka dëshmuar me vite që është një ricikluese e zonja e relikteve të totalitarizmave.të githa potencialet që kanë dështuar të reformohen në përputhje me praktikat demokratike kanë përfunduar në impiantin e kësaj partie. Në nivel bazik, kjo parti është një impiant i ujërave të zeza ku zihet diskursi helmues politik. Për shumëkë VV-ja viteve të fundit është moderuar. Por që nga ndarja e saj ajo i është kthyer dogmatikisht zanatit që ajo e di më së miri: linçimit. Caku i fundit të vrerit të saj proto-fashist ishte Gent Cakaj, Ministri i emëruar për Punë të Jashtme në Republikën e Shqipërisë. Kjo parti pa turpin dhe ndjeshmërinë më të vogël publike lëshoi një komunikatë të egër denigrimi kundër Cakajt. Makineria propagandistike e udhëhequr nga proto-fuhreri Kurti dhe ndjekësit e tij gjetën fjalët më të rënda për të stigmatizuar një figurë të re dhe të papërlyer politike. Pa pikë marre ata akuzojnë edhe Ministren e re të Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, se është mbesa e një spiuni anit-shqiptar. 

Zonja Shahini deri para pak kohësh ishte shumë e afërt me VV-në. Kjo parti e promovonte si intelektuale të denjë dhe të aftë për të bërë politika të arsimit dhe integrimit evropian. Atëherë ajo nuk paska qenë e mbesa e një spiuni, a po çka? Mos rastësisht qenka adoptuar këtyre ditëve?! E vërteta është që kësaj partie nuk i intereson fare se prej cilit rreth familjar e shoqëror vjen. Asaj i intereson vetëm nëse je me ta. Nëse je me ta, amnistohesh nga çdo e kaluar kriminale ose kolaboracioniste. Po t’i pengonte vërtet e kaluara e pjesëtarëve të familjeve që udhëhoqën në Jugosllavi, Rexhep Selimi do të duhej të linçonte Besnik Pulën që është nipi i krye-jugosllavit shqiptar, Fadil Hoxha. Do të duhej të linçonte Agon Hamzën, nipi i Xhevdet Hamzës, një funksionar i lartë jugosllav. Por jo, VV-ja i ka vendosur këta persona në ulëset e ideologëve që furnizojnë strukturën organizative me ligjërime të caktuara politike. VV-ja do të duhej të linçonte Erzen Vraniqin, të birin e Hamdi Vraniqit që punonte në Komunën e Prishtinës gjatë viteve ’90, atëherë kur Kosova bojkotonte regjimin e Millosheviçit. Gjatë asaj kohe, Hamdi Vraniqi kishte dhënë lejen për ndërtimin e Kishës Ortodokse serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës. Por jo, VV-ja mbyllë gojën dhe sytë përballë tyre. Se kjo parti nuk ka asnjë parim në këtë nivel e tregon fakti se deri dje Berat Buzhalën e kanë akuzuar se është “i biri i një udbashi që ishte futur në bunar nga UÇK-ja”, ndërkohë që tani e kanë aleat të fortë politik. 

E njëjta me Veton Surroin. Ditën e 10 shkurtit, që për VV-në është ditë historike, Albin Kurti thoshte se “Veton Surroi e sheh Titon në ëndërr”. Kjo bëhej me qëllimin që t’ua kujtojë qytetarëve se Veton Surroi ishte pjesë e një familje të rrënjosur në luksin e nomenklaturës jugosllave që rëndonte mbi kurrizin e shqiptarëve të Kosovës me dekada të tëra. Është po i njëjti Veton që në kohën kur nën drejtimin e Presidentit Ibrahim Rugova bojkotonin shtetin serb, kërkonte që shqiptarët të merrnin pjesë në zgjedhje me pretekstin se “po forcohet partia e Arkanit”. Pra, rekomandonte të luftohej Arkanin përmes legjitimimit të sistemit të Millosheviçit. Në njërën anë, sot Albin Kurti nuk shkon as te varri i Rugovës për shkak të pacifizmit të titj, e në anën tjetër ka lidhur partneritet të ngushtë me përkrahësit të idesë se zgjidhja e Kosovës në vitet ’90 ishte brenda demokratizimit të Serbisë. Pacifizmi i Rugovës mund të mos ketë qenë metoda më efikase për çlirim, por asgjë nuk i afrohet ligësisë së propozimit të Surroit. Por krejt kjo është e kotë. Për VV-në e kaluara e jote është e rëndësishme vetëm kur nuk pajtohesh me ta. Kur je me ta, disi krejt kujtesa tretet. Askund nuk shihet më mirë se qasja e tyre në raport me Isa Mustafën. Kur ai është me VV-në, ai është një politikan patriot. Kur nuk pajtohet me ta, e gjuajnë me ve dhe e akuzojnë se ishte punëtor i Rrahman Morinës. E shihni që kjo parti nuk ka asnjë parim në këtë nivel? Të gjitha vlerësimet e tyre burojnë nga kalkulimet e tyre në luftën për pushtet. Se a je i mirë a i keq vendosin taktikat e tyre momentale të vetëafirmimit e jo aftësia e tyre objektive e të gjykuarit dhe devotshmëria patriotike. 

Nuk duhet të keqkuptohem. Unë nuk besoj se duhet të përdoret e kaluara e dikujt tjetër për ta neutralizuar politikisht. Individët nuk duhet të shihen si robër të së kaluarës familjare. Askush nuk është përgjegjës për veprat e gjyshërve dhe prindërve të tij. Unë vetëm po demaskoj qasjen dhe standardet djallëzore të VV-së në raport me këtë çështje. Kjo parti ka një qasje të poshtër që akuzon të tjerët se po bashkëpunojnë me shërbimet serbe kundër Kosovës. Por edhe ne kemi të drejtë të dyshojmë se mos ndoshta mu kjo parti po i fsheh lidhjet e veta të dyshimta me këto shërbime përmes linçimit të një politikani premtues?! Jo rastësisht thonë se “mbrojtja më e mirë është sulmi”. “Sulmo të tjerët që të heqësh dyshimet që të tjerët kanë mbi ty!” Vetë Kurti kishte thënë në një studio televizive se “spiuni më së miri fshehet në studio televizive”. Shumë lehtë mund të thuhet se “sekretet fshehen më së miri prapa transparencës së proklamuar”. Sikur rrëfimi i Edgar Alan Poes për “Letrën e Vjedhur”. Vjedhësi i një letre e kishte lënë letrën mbi tavolinën e tij të punës sepse e dinte se kur policia do ta bastiste shtëpinë e tij nuk do të besonte se do ta gjente letrën në atë vend. Policia kishte kërkuar në çdo cep të shtëpisë, por jo edhe aty. Mos po dëshiron edhe VV-ja ta luajë këtë lojë me ne? Të shikojmë pak në tavolinën e tyre se mos po gjejmë diçka!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja