Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka konfirmuar marrëveshjen për armëpushim dyjavor, të negociuar me ndërmjetësimin e Pakistanit.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia Mehr, thuhet se marrëveshja është arritur me miratimin e liderit të ri suprem të Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei.
Sipas deklaratës, marrëveshja konsiderohet një “fitore për Iranin”, ndërsa bëhet e ditur se negociatat për një marrëveshje të përhershme do të zhvillohen në Islamabad.
Deklarata e plotë
Këto negociata do të nisin në Islamabad me mosbesim të plotë ndaj palës amerikane, dhe Irani do të caktojë një periudhë dyjavore për zhvillimin e tyre. Ky afat mund të zgjatet me marrëveshje të palëve.
Është e domosdoshme që gjatë kësaj periudhe të ruhet uniteti i plotë kombëtar dhe të vazhdojnë me forcë festimet e fitores.
Negociatat aktuale janë negociata kombëtare dhe një vazhdim i zhvillimeve në terren; është e nevojshme që i gjithë populli, elitat dhe grupet politike të besojnë dhe të mbështesin këtë proces, i cili zhvillohet nën mbikëqyrjen e udhëheqjes revolucionare dhe niveleve më të larta të sistemit, duke shmangur në mënyrë rigoroze çdo deklaratë përçarëse.
Nëse dorëzimi i armikut në terren shndërrohet në një arritje vendimtare politike në negociata, ne do ta festojmë së bashku këtë fitore të madhe historike; në të kundërt, do të luftojmë krah për krah në terren derisa të përmbushen të gjitha kërkesat e kombit iranian.
Duart tona janë mbi këmbëz, dhe në momentin më të vogël të gabimit nga ana e armikut, do të përgjigjemi me gjithë forcën.
Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare
Lajmi kryesor:
Lufta/ Trump: Do pezulloj bombardimet ndaj Iranit për 2 javë, por të hapin menjëherë Hormuzin! Teherani pajtohet: Tërheqje poshtëruese! Negociatat nisin të premten











