Romelu Lukaku ka lëshuar një mesazh të fortë para çerekfinales së Kupës së Botës 2026 kundër Spanjës, duke bërë të qartë se Belgjika nuk synon të ndalet në këtë fazë të turneut.
Sulmuesi i “Djajve të Kuq” theksoi se skuadra e tij ka cilësinë, përvojën dhe forcën mendore për t’u përballur me një nga favoritët kryesorë të Botërorit, ndërsa kërkoi një paraqitje perfekte në sfidën që do të zhvillohet sot në orën 21:00 në Los Angeles.
“Nëse kemi arritur deri këtu, nuk do të luajmë vetëm për të humbur dhe për t’u kthyer në shtëpi. Kjo është një fazë vendimtare, kemi talentin e nevojshëm dhe duhet të jemi perfekt”, deklaroi Lukaku.
Pavarësisht besimit te Belgjika, 32-vjeçari nuk kurseu vlerësimet për Spanjën, duke e cilësuar si një ekip me identitet të qartë loje dhe me futbollistë të nivelit të lartë.
“Spanja është një ekip shumë i fortë që ka luajtur me të njëjtën formulë që nga viti 2018. Lojtarë si Ferran Torres u japin atyre shumë thellësi në lojë”, u shpreh ai.
Lukaku shtoi se Belgjika është përgatitur maksimalisht për këtë duel dhe beson se skuadra ka gjithçka që nevojitet për të siguruar një vend në gjysmëfinale.
“Spanja është një ekip shumë i kompletuar, me lojtarë inteligjentë. Duhet të zhvillojmë një ndeshje perfekte. Ne jemi shumë mirë të përgatitur dhe kemi asetet për t’u përballur me ta. Jemi në një gjendje të shkëlqyer, si fizikisht ashtu edhe mendërisht”, theksoi sulmuesi belg.
Në konferencë, Lukaku foli edhe për rolin e tij te kombëtarja, duke zbuluar se ka zhvilluar bisedime me trajnerin Rudi Garcia për mënyrën se si mund të kontribuojë edhe më shumë për ekipin.
“Dua të ndihmoj sa më shumë, brenda dhe jashtë fushës. Mund të ndikoj në lojë, të qetësoj tensionet dhe të mbështes ekipin. Gjithçka ka të bëjë me kolektivin”, deklaroi ai.
Në përfundim, Lukaku theksoi se interesi i kombëtares ka qenë gjithmonë prioriteti i tij.
“Ky ka qenë burimi im i motivimit gjatë viteve të fundit. Gjithmonë mendoj së pari për ekipin kombëtar dhe vetëm pastaj për veten time”, përfundoi sulmuesi belg.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente







