Kryeministri Edi Rama foli sot në takimin e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion për mbylljen e fazës së parë të projektit për zbatimin e planit për integrimin europian Shqipëria 2030 në BE.
Kreu i mazhorancës theksoi se puna ka një vit që po rëzohet, por sulmet nuk kanë reshtur për 6 muaj me radhë ndaj tij, kryetarit Fatmir Xhafaj dhe të gjithë stafit të punës që sipas tij “ngrënë të shara” të pafundme.
Rama tha se Shqipëria është e vendosur, pavarësisht akuzave për “thurje komplotesh prej tij apo Xhafës për të zhbërë reformën në drejtësi, apo planit të errët për të bllokuar SPAK”.
Fjala e kryeministrit Edi Rama:
“Fatmiri tha se ky është një proces që ka nisur një vit më parë dhe unë e marrë këtë konstatim korrekt dhe dua të them se puna e bërë dhe dokumenti analitik prej 700 faqesh janë pjesë e gjysmës së dytë të këtij viti.
Ndërkohë që gjysma e parë e vitit është konsumuar me frymën e skepticizmit të dyshimeve dhe të kundërshtive, padiskutim pastaj dhe të akuzave por ato janë element që nuk dua ta përfshij këtu, lidhur me këtë që ne jemi sot këtu për të diskutuar, pasi është përmbyllur një fazë e parë shumë e rëndësishme, themelore për këtë proces.
Dhe kundërshtitë, dyshimet, hezitimet, kanë qenë vërtetë shumë shqetësuese për mua personalisht, kanë qenë shqetësuese se ne nuk e kemi luksin të humbasim kohë për gjëra që janë të qarta për ne si drita e diellit.Por nga ana tjetër kanë qenë një provë shumë kokëfortë e faktit se pjesa e dërmuese e mbështetësve të sinqertë të rrugës europiane të Shqipërisë, e këtu përfshi të gjithë, nga dashamirësit deri te kritikët, nuk e kanë idenë se çfarë është kjo fazë e negociatave për anëtarësimin në BE, fare. Se përtej asaj që duket dhe lexohet sipërfaqësisht, kjo fazë është një fazë marramendëse përsa i përket detyrave konkrete që duhet të kryejë Republika e Shqipërisë dhe jo vetëm qeveria, gjithë sistemi i republikës së Shqipërisë.
Ambicia jonë është ta anëtarësojmë Shqipërinë brenda kësaj dekade, shtuar këtu dhe plani i dakordësuar, shumë agresive së bashku me KE, që Shqipëria t’i përfundojë të gjitha detyrat brenda vitit 2027, na e bën të pamundur të jetojmë qetësisht, me skepticizmat, dyshimet, lëre pastaj me akuzat apo përpjekjet për ta penguar procesin.Dhe u gjet një fjalë magjike që të dëgjoni se Fatmir Xhafa dhe Edi Rama kanë plan të errët për të bllokuar SPAK dhe kthyer përmbys reformën në drejtësi, prandaj bëjnë mbledhje sekrete në partinë socialiste dhe po thurin një komplot.
Natyrisht që kur përmend SPAK dhe drejtësinë ka sensibilitet dhe forca që angazhohen për të dalë menjëherë në mbrojtje. Nuk e kisha të mundur ta evitoja këtë çështje këtu, se dua t’ia kujtoj të gjithëve, duke filluar nga miqtë tanë të respektuar, aleatët tanë strategjik, të gjithë ata që janë përfshirë në proces si ekspertë të shoqërisë civile, të gjithë atyre që hëngrën të shara dhe s’e kishin imagjinuar se do i dëgjonin ato gjëra. Dhe u them mos i kini merak, konsiderojini si hudhra për të penguar syrin e keq, për të mos ju marrë mësysh".
Lajmi kryesor: