Kryeministri Edi Rama i ka besuar enologut të njohur italian Riccardo Cotarella drejtimin e një projekti të madh për rilindjen e vreshtarisë dhe verës shqiptare, me synimin që verërat shqiptare të futen fuqishëm në tregjet ndërkombëtare.
Riccardo Cotarella
Lajmi u bë publik nga agjencia italiane ANSA, ndërsa vetë Cotarella konfirmoi se është ngarkuar të udhëheqë një projekt të gjerë për modernizimin dhe promovimin e sektorit të verës në Shqipëri. Objektivi kryesor i projektit është ndërtimi i një industrie moderne vere, duke ruajtur identitetin lokal dhe varietetet autoktone shqiptare.
“Shqipëria ka territore me potencial të jashtëzakonshëm për prodhimin e verës, të afta të nxjerrin verëra me personalitet dhe autenticitet të lartë”, deklaroi Cotarella për ANSA.
Ai tha se filozofia e tij ka qenë gjithmonë të zbulojë potencialin e zonave që konsiderohen “periferike” në hartën botërore të verës.
“Filozofia ime e punës është të kërkoj vlerë edhe në territore që konsiderohen periferike. Sot, shpesh surprizat më interesante vijnë pikërisht nga zona më pak të njohura, por me identitet të fortë, dhe Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për t’u kthyer në një prej këtyre rasteve”, u shpreh Cotarella.
Projekti ka lindur nga dëshira e qeverisë shqiptare për të ndërtuar një sistem modern dhe konkurrues të verës, duke vlerësuar njëkohësisht varietetet autoktone dhe traditat lokale. Mes varieteteve që konsiderohen strategjike përmenden Kallmeti, simboli i verës së kuqe në zonën e Shkodrës, por edhe Sheshi i Zi, Sheshi i Bardhë, Vloshi dhe Puls.
“Ideja është të ndërtojmë një identitet enologjik autentikisht shqiptar. Plani parashikon fillimisht një hartëzim të zonave më të përshtatshme për vreshtari, përmes studimeve të tokës, analizave klimatike dhe studimeve mbi ADN-në e rrushit, për të verifikuar përshtatshmërinë e varieteteve të ndryshme sipas territoreve”, shpjegon ai.
Projekti përfshin edhe ngritjen e një kantine eksperimentale pranë Universitetit të Tiranës
“Një nga pikat kryesore të projektit do të jetë ngritja e një kantine të re eksperimentale brenda Universitetit të Tiranës, me laborator për analizat e tokës dhe verës, që synon të kthehet në një qendër reference për gjithë sektorin”, shpjegon Cotarella.
Në projekt janë përfshirë edhe rektori i Universitetit të Tiranës Fatbardh Sallaku, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj, importuesja e verërave Erjola Braha, e angazhuar në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të projektit, si edhe enologu Rodolfo Rizzi./ANSA
Komente










Do ishte fantastike! Duke marrë parasysh faktin që këto janë verëra AUTOKTONE do ishte e udhës që të merrnin edhe çertifikim origjine dhe territoriale, siç e ka Italia edhe të gjitha vendet e BE-së, çertifikim IGP, IGT, DOC, DOP. Le të shpresojmë që së shpejti ti shohim në supermarketet e Europës!
Përgjigju