Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Aman të Jordanisë, ka shprehur mirënjohje për Mbretin Abdullah II bin Al-Hussein, për rolin e tij të rëndësishëm në organizimin e një tjetër aktiviteti kuptimplotë në kuadër të Procesit të Aqabas.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se në këtë takim, Shqipëria dhe Jordania bashkë-udhëhoqën tryezën e madhe të udhëheqësve të komuniteteve fetare të Ballkanit.

“Aman, Jordani – Mirënjohje të thellë, Mbretit Abdullah II bin Al-Hussein, për një tjetër aktivitet kuptimplotë në kuadrin e Procesit të Aqaba-s, ku Shqipëria krah Jordanisë udhëhoqi tryezën e madhe të udhëheqësve të komuniteteve fetare të Ballkanit”, shkroi Rama. 

Procesi i Aqabas është një nismë diplomatike e nisur nga Jordania, e cila synon të forcojë sigurinë stabilitetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Procesi i Aqabas u nis nga Mbreti Abdullah II i Jordanisë në vitin 2015, ndërsa emrin e ka marrë nga qyteti Aqaba në jug të Jordanisë, ku u zhvillua takimi i parë.