Ka dhe të tjerë që nuk paguhen. Por ata i paguan fshehtaz propaganda, partia, OJQ-ja, korrupsioni, mafia.
I vetmi në Shqipëri që shkruan, lexohet, pëlqehet, dhe nuk paguhet asnjë dyshkë, asnjë kacidhe, asnjë groshë, asnjë qindarkë, kurrë dhe nga askush, jam unë kolonjari i krisur që shkruaj për qefim tim dhe kënaqësinë e atyre që lexojnë xhevahiret e mia.
Nuk paguhem, jo sepse s'më paguajnë. Më lusin të më paguajnë. Por jam unë që refuzoj të paguhem.
Po të paguhem, shëndeti im keqësohet. Më merren mentë. Më dridhen gjunjët, më vjen për të vjellë. Shkrimet nuk buçasin, nuk magjepsin, nuk ekzaltojnë, nuk lumturojnë.
Po të mos paguhem, si në fakt po ndodh prej kaheri, ndjehem i freskët, i fuqishëm, i shëndetshëm. Gjaku më buçet. Gjymtyrët lëvizin, Shkrimet sokëllijnë.
Jo se shkrimet e mia u duken të këqia, dhe paret që duhet të më japin u duket sikur nuk i meritoj. Përkundrazi. S'lënë rast pa ma thënë se u pëlqejnë, i lexojnë nga dy e më tepër herë.
Që nuk paguhem, nuk është pra çështje sasiore, kaq apo aq, as problem cilësor, mirë apo keq.
Që është më mirë të mos paguhem se të paguhem, është zgjidhje që ma ka mësuar përvoja me gjithë nazet e saja.
Ka ndodhur që më ka rrejt menia. Kam pritur të paguhem. Ndërkohë jam ngathtësuar, më ka rënë rendimenti dhe cilësia.
Kam plot arsye dhe raste pse po të paguhem më gjen belaja, po të mos paguhem më shkon fjollë jeta.
Nuk dua të paguhem sepse nuk dua të dorzohem. Dua të vazhdoj të luftoj, të kacafytem, të përgjakem. Me thikë në fyt, vaj në vesh, sqepar në kurriz, me ç'të mundem.
Pranoj me kënaqësi të mos paguhem, si e vetmja mënyrë të mbetemi të kënaqur të dy, edhe unë edhe ai. Dhe të shihemi në sy. Ai me çiltërsi. Unë me dinakëri.
Nuk preferoj të paguhem, që të mos më afrohen asnjë qime, të më rrinë larg për arësye higjenike.
Kam gjithato vjet që shpenzoj naftën time, makinën time, kohën time, duke u endur nëpër zgëqet e Shqipërisë, ku qëmtoj, dhe gjej, dhe shkruaj, për karaktere të çuditshme dhe vende të magjishme, dhe nuk paguhem për të mos e braktisur statusin e Nositit që ushqen zogjtë me mishin e vet.
Nuk paguhen, për të ndejtur sa më larg banalitetit, përuljes, lëpirjes, pagesës, ndotjes, përdhosjes, dhe sa më afër ajkës, elitës, dritës, si mbi trotuar para një vetrine me pula të pjekura ku bukën thatë e shoqëroj me erën e mishit që vjen nga brenda restorantit.
Nuk paguhem ngaqë nuk dëshiroj që idetë e mia të konsiderohen aq të vlefëshme sa tu korespondojë një çmim, sado i lartë.
Nuk paguhem, për të dëshmuar atë që dihet prej shekujsh, se mediokrit paguajnë njëritjetrin, të epërmit i shpërblen Zoti.
Nuk paguhem, për ta bindur kallaballëkut se Fjala e zgjedhur, e bukur, e rëndë, është e vetmja që nuk pranon shpërblim.
Nuk paguhem, sepse po të paguhesha, do rreshtnin së më quajturi materialist.
Nuk paguhem, për të mos e ndotur Artin me peqe-lepen.
Nuk paguhem, për të mos i kërkuar asnjë hoxhe dhe asnjë prifti të më falë mëkatin e të qënët lakè, hyzmeqar, skllav.
Nuk paguhem, për inat të atyre që asgjënë e thonë me zë të lartë.
Nuk paguhem, që askush të mos mendojë se shkruaj ngaqë kam stomak që duhet mbushur, rroba që duhen veshur, këpucë që duhen mbathur.
Nuk paguhem, për të dëshmuar se Destini i çdokujt që shkruan bukur është vuajtja e pandalur.
Nuk paguhem, si i vetmi shteg që kam gjetur për të mos u bërë vidhë, burgjì, mrrokull, e asnjë makinerie.
Jam gati të paguaj që të mos paguhem.
Komente








