Pas një seri shtyrjesh, dje ministrja e Inovacionit nënshkroi me shoqërinë gjermane Rohde&Schwartz kontratën për dixhitalizimin e RTVSH. Çmimi është ai që ishte fiksuar në garën e drejtuar në qershor të vitit 2013 nga ministri Genc Pollo i Partisë Demokratike, pra 21.56 milionë euro.
Pyetja e parë që del është se ç’kuptim pati vonesa për dy vjet kur nuk iu kursyen qeverisë dhe vendit as edhe një qindarkë dhe kur nga subjekti fitues nuk u arrit të merrej asnjë lëshim tjetër çfarëdo. Kështu që nuk mund të kuptohet entusiazmi i ministres Milena Harito e cila, pasi hodhi firmën në kontratë, njoftoi e kënaqur në Facebook: “Më në fund”! “Më në fund” është një shprehje gëzimi që zakonisht përdoret pasi ke fituar një betejë të gjatë, por kurrsesi pasi e ke humbur.
Pyetja e dytë lidhet me procedurat e garës. Tenderi i organizuar nga ish-ministri Genc Pollo i PD-së u kundërshtua nga opozita e atëhershme (sot në pushtet) si një aferë korruptive. Vetë Pollo e konsideroi aq pak transparent, saqë, ndoshta për të shmangur pasoja gjyqësore, vendosi ta anulojë. Shoqëria gjermane Rohde&Schwartz, e cila u ndje e dëmtuar nga ky vendim, paraqiti rekurs në Gjykatë dhe ministrja Milena Harito (tashmë në krye të Ministrisë) u paraqit si palë në proces kundër Rohde&Schwartz. Praktikisht, me pozicionimin e saj, ministrja deri në atë çast i jepte të drejtë Genc Pollos. Në shkallë të parë, Ministria e humbi gjyqin sepse Gjykata vendosi në favor të kompanisë gjermane, duke i njohur asaj të drejtën mbi tenderin. Ministria e Inovacionit e pranoi humbjen dhe nuk paraqiti apel “për të mos humbur më kohë”. Por nuk kuptohet entusiazmi, me të cilin Harito komentonte dje këtë vendim të gjyqtarëve, që në fund të fundit binte në kundërshtim me qendrimin e saj.
Ja çfarë shkruan ajo në Facebook: “Kontrata zbaton vendimin e Gjykatës, i cili i kthen të drejtën kompanisë gjermane Rohde&Shwartz, e drejtë, e mohuar padrejtësisht në procesin e realizuar nga qeveria Berisha. Ky vendim zbatohet plotësisht sot në përpjekjen tonë të përditshme për kthimin në vend të shtetit ligjor e të parimeve kushtetuese”. Por, nëse Rohde&Schwartz kishte të drejtë, atëhere përse Ministria mori pjesë si palë në procesin e shkallës së parë, duke bërë që të humbej kohë kot më kot? Nuk mjaftonte që Ministria të tërhiqej që në seancën e parë dhe të pranonte se kompania gjermane kishte të drejtë e në këtë mënyrë të përshpejtonte afatet e vendimit në favor të saj?
Pyetja e tretë ka të bëjë pikërisht me afatet. Edhe një herë, Milena Harito deklaron se “nënshkrimi i kontratës për kalimin e RTSH në transmetime dixhitale mundëson respektimin e afatit botëror për transmetimet audiovizive”. Afati për kalimin përfundimtar në dixhital të transmetimeve të televizioneve shqiptare është 17 qershori. Me të vërtetë ministrja mendon se mund të mjaftojnë tre muaj për të ndërtuar dy rrjete dixhitale të RTSH-së e të respektohet kështu afati i kërkuar nga Bashkimi Evropian? Ky objektiv teknikisht është i pamundur.
Dhe kështu bëhet, madje, qesharake, kur konkludon, duke thënë se “Shqipëria u bashkohet vendeve të rajonit dhe të Evropës perëndimore, të cilët e kanë realizuar tashmë këtë proces”. Jo, zonja ministre, Shqipëria, për fat të keq, mbetet i vetmi vend në rajon dhe në Evropën perëndimore që të mos ketë nisur ende procesin e dixhitalizimit, të cilin të tjerët, në të kundërt, e kanë përfunduar prej kohësh.
Praktikisht ministrja Harito ka deshtuar me sukses.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Mars 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)