Edmond Leka: Vlora me Ramën
kryeministër, do jetë mbretëreshë

Edmond Leka: Vlora me Ramën<br />kryeministër, do jetë mbretëreshë
VLORË - Edmond Leka, (foto) kryetari i Partisë Socialiste të qytetit të Vlorës, në një intervistë për shqiptarja.com tregon optimizmin që kanë vlonjatët, e të gjitha strukturat e Partisë Socialiste të qarkut të Vlorës, por edhe të të gjithë Shqipërisë, do të sjellin Rilindjen në 23 qershor. Padyshim, Vlora ndihet e vlerësuar nga kandidimi në të i kryeministrit të ardhshëm Edi Rama, sipas zotit Leka, dhe kjo do të shtojë energjitë e tyre për t’u impenjuar maksimalisht edhe këto tetë ditë para zhvillimit të zgjedhjeve.
 
Zoti Leka, si kryetar i PS së Vlorës çfarë impakti ka sjellë në këtë qytet kandidimi i pari në listën e deputetëve të kryetarit të PS, Edi Rama?
Nuk ka as më të voglin dyshim se kandidimi i kryeministrit të ardhshëm Edi Rama në qytetin e Vlorës, është vlerësimi më i madh që i është bërë ndonjëherë këtij qyteti, pse jo, le ta pranojmë që nga shpallja e Pavarësisë. Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, nëpërmjet kandidimit të tij në këtë qytet, u ka shtuar dozën e optimizmit që kurrë nuk i ka munguar gjithë qytetarëve të qarkut Vlorë, por ndër të tjera, edhe shtimin e besimit, se ky qytet i bukur turistik, një nga perlat kryesore të bregdetit të jugut të Shqipërisë, do të marrë vlerësimin që i takon në të gjitha fushat: në përfaqësim në institucionin më të lartë qeverisës, dhe me mbështetje e projekte që për tetë vite me rradhë kanë munguar ose janë përgjysmuar në mënyrë brutale nga një kryeministër dhe një qeveri në ikje pas 8 ditësh.

Kandidimi i kryeministrit të ardhshëm Edi Rama, në qytetin e Vlorës është një meritë e munguar për këtë qytet prej dekadash, ashtu sikurse është një motiv, për një mobilizim maksimal, të të gjithë strukturave, në rang qyteti dhe qarku, për të mbledhur çdo votë, për të bindur gjithkënd, për të harxhuar energjitë që ne kemi, për një kauzë më të madhe: jo vetëm të Rilindim Vlorën, qytetin tonë, por të Rilindim gjithë Shqipërinë.
 
Vlora të paktën për tre mandate është qeverisur nga socialistët. Si mund të bëhet Rilindja për këtë qytet kur në fakt, i pari i bashkisë suaj e ka pasur në dorë ta bëjë Rilindjen?
Eshtë mandati i tretë që pushteti vendor qeveriset nga socialistët, por për fat të keq ka qenë një bashkëqeverisje jo në unison me pushtetin qendror, sepse në këto 8 vite, pushtetit vendor në Vlorë i janë akorduar aq fonde sa për mbijetesë. Edhe ato investime që janë kryer në infrastrukturë, janë vetëm nga të ardhurat e mbledhura nga Bashkia Vlorë, nga mirëadministrimi i taksave, dhe vënies së tyre në funksion të të mirave publike. Qëllimisht në këto 8 vite, qeveria aktuale e ka lënë larg vëmendjes bashkinë e Vlorës. Edhe në raste kulminante për historinë e vendit tonë, siç ishte ngjarja madhështore e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, qeveria u mundua me të gjitha format e metodat, që investimet në qytetin tonë të mos përfundonin në afatin e caktuar.

Por, sigurisht, si në çdo përpjekje, edhe në këtë rast Berisha dështoi. Të qenurit larg vëmendjes së qeverisë, nuk afroi më shumë vetëm vlonjatët, por ne pamë solidaritet dhe mbështetje, nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe shqiptarët që erdhën përtej kufijve, nga Kosova, Maqedonia, apo edhe emigrantët. E përkundër gjithë thashethemnajës që kërkojnë të hapin ata që si sukses në tetë vjet kanë njohur vetëm dështimin dhe pengimin, Vlora, ia ka dalë mbanë, me një staf dhe ekip profesionistësh në krye të bashkisë, ashtu sikurse edhe me një staf dhe profesionistë edhe nesër në Kuvendin e Shqipërisë.

Përtej kësaj panorame, duket se kandidimi i Arben Malajt si deputet i pavarur i qarkut të Vlorës, duket se do të turbullojë ujrat në qytet. A do të ketë devijim të votës së socialistëve?
Ne e kemi thënë dhe ripërsëritur disa herë, ashtu sikurse edhe kryetari i Bashkisë Shpëtim Gjika e ka bërë. Strukturat e partisë së qarkut të kanë dalë kundër këtij vendimi. Jemi ende në kohë për t’i bërë thirrje Arben Malajt, në emër të të gjithë socialistëve, ata që duan nesër të shohin një Shqipëri më të mirë, të tërhiqet nga gara. Nuk e kërkojnë këtë vetëm socialistët vlonjatë, por gjithë strukturat në të gjithë vendin.

Megjithatë, unë jam i sigurt, se vota e çdo socialisti, vota e çdo qytetari të ndershëm dhe punëtor, vota e të gjithë atyre që kërkojnë të ndryshojnë jetën e tyre nesër, për mundësi më të mira punësimi, zhvillimi, investimesh, zhdukjes së varfërisë dhe analfabetizmit, për të gjithë ata që do të duan të kenë një dritë shprese në arsim e integrim të vendit në Bashkimin Evropian, do të shkojë për Partinë Socialiste, do të shkojë për numrin 29 në fletën e votimit, do të shkojë për një dritë shprese në fund të tynelit të errët që na futi kjo qeveri super e korruptuar.

Dhe të gjithë socialistët dhe ata që ende kanë dilema sesi do të votojnë në datën 23 qershor, duhet ta kenë të qartë, se një program i qartë social e ekonomik, me ide të qarta në luftën kundër krimit por edhe zhdukjen e varfërisë, materializohet vetëm me programin e Partisë Socialiste. Unë jam i bindur, se socialistët e ndershëm, do të lënë mënjanë emocionet e çastit dhe të momentit, për ti dhënë garancinë e duhur të fitores, socialistëve në mbarë Shqipërinë. Dhe këtë, Vlora e vlonjatët do ta tregojnë me votë, sikurse gjithmonë kanë ditur ta bëjnë.

Nëse fitoni çfarë do të bëni muajin e parë të qeverisjes? Çfarë do t’i kërkonit kryeministrit të ardhshëm?
Unë jam i sigurt se kryeministri i ardhshëm Edi Rama do të ketë prioritare jo vetëm Vlorën, por gjithë Shqipërinë. Privilegj për vlonjatët do të jetë qenia e tij i pari në listën e këtij qarku, ashtu sikurse jam i bindur, se do të jetë i pari që do të mbajë premtimet për punësim që në vitin e parë të qeverisjes, rikthimin e besimit te investitorët e huaj, krijimin e kushteve dhe heqjen e taksave për biznesin e vogël, ashtu sikurse edhe reformimin e sistemit arsimor e shëndetësor. Praktikat qeverisëse të PS, nuk do të jenë fragmentare sikurse e ka treguar këtë kryeministri “gjysh” në ikje Sali Berisha, por do të jenë të harmonizuara për të gjithë qytetarët në gjithë vendin. Sepse Edi Rama e ka treguar se di të administrojë dhe të qeverisë të gjithë shqiptarët, pavarësisht se në cilin krah ata janë orientuar.

Cilat janë pikat kryesore që Vlora të dalë nga informaliteti për t’u zhvilluar si një qytet turistik që duhet të jetë në qendër të vemendjes?
Për shumë vite me radhë, Vlora ka qenë mbretëresha e turizmit shqiptar. Edhe këto vite, nëpërmjet administrimit të pushtetit vendor, me sforco, kemi arritur të mbajmë këtë trofe që natyrisht e meritojmë. Ne do të rikthejmë në vlorë turizmin elitar dhe për këtë, do të kemi mbështetjen e qeverisë për më shumë politika stimuluese. Agjencia që do të ngrejë PS, për menaxhimin e bregdetit, nuk do të jetë një agjenci “private dhe klienteliste” si ajo që ngriti Berisha për dhëndrrin e tij, por do të jetë një agjenci në shërbim të qytetarëve vlonjatë, dhe mijëra turistëve nga brenda dhe jashtë vendit që do ta vizitojnë atë. Dhe unë, nuk kam asnjë dyshim për këtë.

A mendoni se do të jeni të privilegjuar në fonde nëse e majta fiton zgjedhjet?
Ne nuk kërkojmë privilegje, por kërkojmë kthimin e investimeve të mohuara gjatë gjithë viteve. Dhe sikurse e thashë, e gjithë kjo do të realizohet me votën e qytetarëve të të gjithë qarkut të Vlorës. Por, çdokush duhet ta ketë të qartë, se deri më sot, asnjë vlonjat nuk ka kërkuar thellimin e ndasive, ashtu sikurse Berisha e bëri për jugun e Shqipërisë në tetë vitet që keqqeverisi vendin. Ne do të kemi në shkallë kombëtare, politika të mirëintegruara që do ta kthejnë besimin e qytetarëve tek shteti.

Po nëse e majta humbet zgjedhjet, a duhet të ketë reformim të strukturave?
Për Vlorën dhe vlonjatët nuk ka dhe nuk mund të ketë humbje. Nuk ka ndodhur në asnjë rast në historinë tonë, dhe sigurisht që nuk do të ndodhë. Ata që do të humbasin, sigurisht duhet të reformohen. Ndërkohë Rilindja e Vlorës dhe gjithë Shqipërisë, jam i bindur se do të vijë në 23 qershor. Na ndajnë edhe 8 ditë dhe gjithçka do të kthehet natyrshëm aty ku duhet të ishte që para katër vitesh. Jam i bindur, se vlonjatët do të arrijnë të ruajnë Rilindjen tonë të përbashkët.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 15.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

GJKKO i hoqi 'arrestin shtëpiak' Berishës, Kthupi në 'Repolitix': Praktikë gjyqësore, dosja ka shkuar për hetim, Berisha nuk prish më provat! Gazetari: Bien akuzat e PD për kapje të drejtësisë

GJKKO i hoqi 'arrestin shtëpiak' Berishës, Kthupi në 'Repolitix': Praktikë gjyqësore, dosja ka shkuar për hetim, Berisha nuk prish më provat! Gazetari: Bien akuzat e PD për kapje të drejtësisë