Në vitin e largët 1951, Mehmet Shehu bëri një inspektim në Burgun e Burrelit (ishte Ministër i Brendshëm atëherë). Një i burgosur (ish-oficer xhandarmërie) i bëri një lutje të çuditshme Mehmetit – aman priteni pemën e qershisë në oborrin e burgut! I çuditur, Mehmeti pyeti përse duhej prerë pema e pafajshme e qershisë. “Sepse m’u këput qafa duke pritur të çelë qershia” - iu përgjigj ish-oficeri i xhandarmërisë. Dhe më tej, ai e sqaroi se “filozofët” e qelive të Burrelit kishin disa vitet që e mbanin me gajret, se sapo të çelte qershia, do të zbarkonin anglo-amerikanët…
Nga viti 1951 deri në vitin 1991, anglo-amerikanët jo vetëm që nuk zbarkuan, por Mehmeti dhe të burgosurit që ai inspektoi në Burgun e Burrelit ndërruan jetë pothuajse të gjithë.
Vijmë në ditët e sotme…
Pas inkursionit të fortë amerikan të Delta Force për mbërthimin e Maduros në vilën e tij të fortifikuar në Venezuelë, shpërthyen parashikimet e “filozofëve” të këtushëm kafenetorë dhe të banaqeve nëpër televizorë: “Ramaduro i ka ditët e numëruara, Delta Force do ta mbërthejë në Surrel”.
Madje, Berisha mblodhi sot në një tavolinë persona të rëndësishëm publikë, për të krijuar një qeveri teknike. Ku nuk mungonin Nard Ndoka, Kujtim Gjuzi, Selami Jenisheri, Kostaq Papa, Ekrem Spahiu, etj. Sipas parashikimeve të “filozofëve” të këtushëm kafenetorë dhe të banaqeve nëpër televizorë, rënia e “Ramaduros” dhe krijimi i qeverisë teknike është çështje javësh, në mos ditësh.
Nuk pret puna sa të çelë qershia…
Komente










