“Në departamentin tonë, kemi edhe dy studentë pasuniversitarë nga Europa Lindore, me të cilët besoj se do të të hahet muhabeti.” Këto ishin ndër fjalët e para të profesorit që kishte ndërmjetësuar vajtjen time në universitetin Virginia Tech, fill pas takimit tonë në aeroport. “Sa mirë,” iu përgjigja profesorit me një kënaqsi të shtirur, ndërkohë që desha t’i thoja se ai ndoshta nuk e dinte që Shqipëria kishte pas qënë fare e shkëputur nga Europa Lindore për 30 vjet, dhe se, pikërisht prej e asaj shkëputje, ne shqiptarët nuk ngjasonim shumë me europiano-lindorët e tjerë.
I bindur për identitetin e veçantë shqiptar, që sipas konceptimit tim të atëhershëm (bëhet fjalë për dhjetorin e largët të vitit 1991), ishte latuar prej izolimit të Shqipërisë në disa dekada, kisha qejf t’i thoja troç profesorit se europiano-lindorët ishin për mua po aq të huaj sa cilëtdo të huaj të tjerë. Por u përmbajta thjesht për të ruajtur kortezinë e takimit të parë. Vetëm pak ditë më vonë, konstatova se kisha bërë mirë që nuk i kisha thënë ato fjalë.
Blloku eurolindor
Kur u njoha me dy studentët europiano-lindorë të departamentit tim - njëri gjermano-lindor e tjetri hungarez - e ndjeva se kisha të bëja me njerëz shumë të ngjashëm me mua. Repertori i shakave tona ishte pothuajse identik; barcaletat që tregonim dukeshin si përkthime të njëra-tjetrës; muzika që pëlqenim ishte e njëjtë; tifozlliku për klubet perëndimore të futbollit ishte njësoj i zjarrtë. Me pak fjalë, kur shoqërohesha me ta, më dukej vetja sikur isha ulur tek bordura pranë monumentit të Skënderbeut në Tiranë, i rrethuar nga shokët e vjetër të gjimnazit.
Çdo ditë që kaloja me miqtë e rinj europiano-lindorë ma përforconte mendimin se isha pothuajse njësoj si ta. Dhe gjatë provimit të parë që patëm së bashku në një nga kurset e programit të doktoraturës, i thashë vetes se nuk kishte më diskutim që edhe unë isha thjesht një europiano-lindor si gjithë të tjerët. Në atë provim, profesori ynë, pasi shkruajti pyetjet në dërrasën e zezë, u nis për në shtëpi dhe na tha t’i fusnim përgjigjet poshtë derës së zyrës së tij në mbarim të provimit. Dhe teksa ai po largohej nga auditori, ne europiano-lindorët kryqëzuam menjëherë vështrimet me njëri-tjetrin me habi dhe, që të jem i sinqertë, edhe me pakëz djallëzi. Ndërkohë, nga reagimi i studentëve të tjerë, kuptohej qartë se atyre nuk po u dukej se po ndodhte ndonjë gjë e jashtëzakonshme.
Stambolli, kryeqyteti ynë i dikurshëm
Për ca kohë pas atij provimi, bëra paqe me veten në lidhje me identitetin tim – ai, mendoja, kishte të gëdhendura në të gjurmët e të jetuarit në një shtet komunist, i cili kishte patur shumë tipare të ngjashme me shtetet e tjera komuniste të Europës Lindore. Por ajo paqe nuk zgjati shumë. Disa muaj pasi kisha filluar studimet pasuniversitare në Virginia Tech, u njoha me dy studentë ballkanas, njëri turk e tjetri grek. (Sesi ata kishin lidhur miqësi me njëri-tjetrin është një histori që ndoshta meriton një shkrim të veçantë.)
Vetëm pak kohë pas njohjes me ta, modeli identitar që kisha ndërtuar në mëndjen time u shkërmoq përsëri. Sa gjëra të ngjashme vura re tek miqtë e mij të rinj! Sa e sa herë më qëllonte t’u thosha se aksh zakon apo aksh preferencë kulinare apo muzikore të tyren e kishim edhe ne shqiptarët! Dhe kur i thoja ato fjalë, ata shpesh më përgjigjeshin: “Mos harro se kemi jetuar bashkë për pothuaj 500 vjet në të njëjtën perandori.”
Pas njohjes me miqtë ballkanas, u detyrova ta rindërtoja përsëri modelin identitar, i cili ishte modifikuar goxha që prej mbërritjes time në universitetin amerikan. Sipas modelit të ri, identiteti im ishte njëfarë hibridi që rrënjët e vjetra të Perandorisë Osmane i kishte pleksur me rrënjë më të reja, të lindura gjatë regjimit komunist.
Pasi e ndërtova këtë model në mendje, identifikimi i vetes në këtë botë të madhe, të mbushur me kultura nga më të ndryshmet, më dukej më i lehtë. Pra arrita në përfundimin se i kisha dhënë një përgjigje përfundimtare pyetjes rreth origjinës së identitetit tim kulturor. Por përsëri isha gabim.
Kalifati
Me kalimin e kohës, rrethi i shokëve të mij u zgjerua. Në të hynë edhe një bolivian, një italiano-jugor, një spanjoll, e një egjyptian. Dhe përsëri vura re se mund ta identifikoja veten lehtë me cilindo nga miqtë e rinj. Vija re tek ta të njëjtin predispozicion për ta shijuar çastin, edhe përkundër sfidave që mund të na prisnin të nesërmen (provime, teste, detyra, etj.); vija re tek ta të njëjtën dëshirë për t’u ulur rreth tavolinës së një kafeneje, e për ta tjerrë bisedën me orë të tëra; dhe ç’ishte më e rëndësishmja, vija re tek ta të njëjtin mentalitet fatalist që shpesh e kisha vënë re tek vetja kur mendoja për të ardhmen – futi një mendje të lehtë, mbaj mend t’i thosha vetes shpesh atëhere, sepse si të jetë e shkruar, do të bëhet…
Pas njohjes me miqtë e rinj, kuptohet që përsëri u vura në kërkim të rrënjëve të identitetit tim. Dhe zhbirilimet historike gjatë meditimeve rreth tyre më çuan në kohën e largët kur Kalifati Arab ishte shtrirë deri në Spanjën dhe Italinë Jugore, e kur qytetërimi i zhvilluar arab dominonte totalisht Mesdheun. Patjetër duhet të kemi rrënjë të përbashkëta nga ajo kohë, mendoja me vete, tek shija ngjasimin e habitshëm në mentalitet që kisha me miqtë e rinj. Pra, me pak fjalë, modelit identitar fillestar i bëra edhe modifikimin e fundit që prej mbërritjes në SHBA – atij i shtova edhe rrënjët mijëvjeçare të Kalifatit Arab.
Në përfundim
Shumë vite kanë kaluar nga dita kur shkela për herë të parë në SHBA, dhe kuptohet që nuk jam më ai studenti pasuniversitar që sapo kishte dalë nga burgu i quajtur “Shqipëria komuniste”. Por sadoqë jeta atje ma ndryshoi konstruktin kulturor (mardhëniet me shokët në universitet fillimisht, dhe me kolegët në punë e fqinjët në lagje më pas, vetvetiu e latojnë atë), modelin për shpjegimin e origjinës së identitetit tim që krijova në vitin e parë të qëndrimit në Amerikë ende e quaj të vlefshëm…
Komente










