Eduard Zaloshnja: SPAK-u ka filluar të gërmojë në gropën 20-miliardëshe

Eduard Zaloshnja: SPAK-u ka filluar të gërmojë në gropën 20-miliardëshe

Në një analizë të vjetshme në Shqiptarja.com, kam ekstrapoluar përafërsisht se, sikur niveli i evazioni fiskal në Shqipëri të ishte të paktën sa i Malit të Zi (për të mos pretenduar sa i Zvicrës), të ardhurat në Thesarin e Shtetit shqiptar do të ishin 22% më të larta. Po ashtu, në atë shkrim, duke iu referuar një studimi të Bankës Botërore, kam vlerësuar se 11% e parave që arrijnë të grumbullohen në Thesarin e Shtetit shqiptar, shpërdorohen më pas ose ndahen mes politikanëve apo zyrtarëve të korruptuar dhe korruptuesve të tyre.

Përqindjet e mësipërme përkthehen në një gropë 20 miliardë dollarëshe në 20 vjetët e fundit. Dhe SPAK-u së fundmi ka filluar të gërrmojë në këtë gropë. Pagesat fiktive nëpër inceneratorë, abuzime me pagesat për koncensionet e sterilizimeve dhe Check-up-it fiktiv, janë hapat e parë të SPAK-ut në thellësinë e gropës së korrupsionit. Mbetet të shihet se sa thellë do të gërrmojë në gropën 20-vjeçare që ekspozoi makro-analiza ime e botuar vjet në Shqiptarja.com...

Lexoni më poshtë një përmbledhje të asaj makro-analize:

Që lexuesi ta kuptojë magnitudën e shifrave të mësipërme, po u kthehem 20 viteve të fundit, gjatë të cilave kanë qeverisur njerëzit më të pushtetshëm të Shqipërisë së tranzicionit: Meta, Nano, Berisha e Rama.

Në 20 vitet e fundit, Mali i Zi ka arritur të fusë në Thesarin e Shtetit një përqindje më të lartë të Prodhimit të Brendshëm Bruto të tij se sa Shqipëria, edhe niveli i taksave e tatimeve, ekonomia, gjeografia dhe historia e të dy vendeve janë mjaft të ngjashme. Kjo do të thotë se evazioni fiskal është më i ulët në fqinjin tonë verior.

Shprehur në dollarë, mund të thuhet që, nëse do të kishim pasur të njëjtin nivel të evazionit fiskal sa të Malit të Zi, në Thesarin e Shtetit shqiptar, në 20 vitet e fundit, do të kishin hyrë rreth 13 miliardë dollarë më shumë seç kanë hyrë në faktikisht.

Nga ana tjetër, edhe një përqindje e atyre parave që kanë arritur të hyjnë në Thesarin e Shtetit tonë, janë shpërdoruar ose janë ndarë mes politikanëve apo zyrtarëve të korruptuar dhe korruptuesve të tyre. Nëse përdorim përqindjen mesatare të vendeve në zhvillim (të llogaritur nga Banka Botërore), i bie që në 20 vitet e fundit, gropa e shpërdorimeve dhe e korrupsionit të ketë thithur edhe rreth 7 miliardë dollarë të tjerë (gjatë kryerjes së shpenzimeve buxhetore).

Pra, gjithsej, kostoja e abuzimeve ka qenë rreth 20 miliardë dollarë në 20 vjet, me një mesatare 1 miliard në vit.

Po ku kanë shkuar këta 20 miliardë dollarë, të ndarë në raportin 13 me 7?

Një pjesë e atyre 13 miliardëve që nuk kanë hyrë në Thesarin e Shtetit, kanë shkuar në xhepat e biznesmenëve që kanë kaluar mallra në doganë pa paguar taksat doganore, akcizat e TVSH-në, ose që i kanë paguar ato në një nivel më të ulët se sa duhej t’i paguanin. Kuptohet këtu që biznesmenët e kanë shpërndarë një pjesë të “mospagesës” tek doganierët dhe shefat e tyre.

Pjesa tjetër e 13 miliardëve që nuk kanë hyrë në Thesarin e Shtetit, ka shkuar në xhepat e përfituesve të privatizimit të aseteve shtetërore (Armo, Cez, etj. etj.), si dhe të biznesmenëve të mëdhenj, të mesëm e të vegjël, që nuk e raportojnë sa ç’duhet xhiron, që punësojnë njerëz në të zezë apo që raportojnë rroga më të ulëta për ta, që punojnë me dy bilance etj., etj. Dhe kuptohet që një pjesë të “mospagesës” ata e kanë shpërndarë një pjesë të “mospagesës” tek taksidarët dhe shefat e tyre.

7 miliardë dollarët që kanë firuar gjatë shpenzimeve buxhetore, ka dy nënndarje. Sipas studimit të Bankës Botërore, një pjesë e kësaj firoje shkaktohet nga padija, paaftësia apo papërgjegjshmëria e politikanëve/zyrtarëve. Kështu, një autostradë apo një tunel mund të ndërtohet pa studiuar siç duhet terrenin apo fizibilitetin dhe për rrjedhojë, kostoja mund të dalë shumë më e lartë ose mund të zgjidhet një variant i papërshtatshëm ekonomikisht. Po ashtu, mund të ndodhë që paratë publike të shpenzohen për subvencionimin e koncensione jo-rentabël, mbjelljes së mijëra pemëve frutore pa efektivitet ekonomik, etj., etj., etj.

Megjithatë, pjesa më e madhe e firos së shpenzimeve buxhetore shkaktohet nga korrupsioni i politikanëve/zyrtarëve. Këtu bëjnë pjesë milionat që ndahen mes politikanëve/zyrtarëve dhe biznesmenëve në PPP-ra, në tendera, në koncensione e në kontrata shtetërore, si dhe abuzimet e vogla (por të shpeshta) me dietat e pagesat e telefonave, me blerjet e kancelerive e të karburantit, me pagat e punonjëse parazitë (militantë, kushërinj), me pagesat e invaliditetit për militantë e kushërinj të shëndoshë si molla etj., etj.

Epilog

Në 20 vitet e fundit, rreth 13 miliardë dollarë kanë firuar nëpër kanalet dhe kapilarët e evazionit fiskal, gjatë rrugës për në Thesarin e Shtetit. Dhe pasi Thesari i Shtetit ka grumbulluar aq para sa ka mundur, rreth 7 miliardë të tjerë kanë firuar gjatë kryerjes së shpenzimeve buxhetore.

Për të kuptuar magnitudën e kësaj firoje gjigande, vlen t’i përgjigjemi pyetjes se çfarë mund të ishte bërë në 20 vjet me 20 miliardë dollarët e abuzimeve?

Me ta mund të ishin bërë të paktën dy gjëra paralelisht: A – Mund të ishin ndërtuar pa borxh të gjitha rrugët dhe veprat e tjera publike që janë përfunduar në 20 vitet e fundit (aktualisht, borxhi shtetëror ka arritur vlerën e 12 miliardë dollarëve.) B – Në çdo vit të dy dekadave të fundit, pensionistëve mund t’u ishte dyfishuar pensioni.

Në vend që këta 20 miliardë dollarë të shkonin si më sipër, në dy dekadat e fundit kanë ushqyer “peshqit” e vegjël, të mesëm e të mëdhenj, duke filluar nga shitësit e vegjël të lagjeve (të cilët rrallë e japin kuponin tatimor), e deri te biznesmenët e politikanët më të mëdhenj.

Dhe pyetja tani është nëse do t’i hedhë SPAK-u rrjetat për kapjen e “peshqëve” të tejmajmur deri më sot me paratë publike, apo do të merret vetëm cironkat?

20 miliardë dollarë firo në 20 vjet
Evazioni fiskal                                                          13 miliardë
Shpërdorimet/abuzimet e fondeve buxhetore          7 miliardë
GJITHSEJ                                                                20 miliardë

S.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mergimtari: 18/08/2023 14:52

    Kur shteti funksionon pa kontroll(zyra e tatim tksave),evazioni fiskal eshte i dukshem.Ndertuam nje shtet ku vjdhia eshte e para.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ Shkëlqen Mbappe, Real Madrid fiton 4-2 kundër Sevillas dhe lë Barçën në vendin e tretë

GOLAT/ Shkëlqen Mbappe, Real Madrid fiton 4-2 kundër Sevillas dhe lë Barçën në vendin e tretë