Para fillimit të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror të Futbollit, pakkush mund të ketë ëndërruar se kombëtarja e Shqipërisë dhe përfaqësuesja e Kosovës (së bashku) do të kualifikoheshin për fazën Play-Off. Aq më pak mund të kenë menduar se që të dy fqinjët tanë jo fort të dashur, Serbia dhe Greqia, do të mbeteshin fare jashtë gare…
Greqia ka fituar Kampioniatin Europian jo larg në kohë, kurse Serbia ka qenë historikisht konkuruese në garat ndërkombëtare, si në nivel kombëtaresh, edhe klubesh.
Për ta ilustruar epërsinë e tyre paraprake ‘në letër’ ndaj shqiponjave të Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të përmendet se vlera aktuale e kartonave për vetëm tre futbollistë të Greqisë (Pavlidis, Tzolis, dhe Tsimikas) është baraz me vlerën e kartonave të të gjithë futbollistëve në formacionin standart të kombëtares së Shqipërisë, dhe sa dyfishi i vlerës së kartonave të të gjithë futbollistëve në formacionin standart të përfaqësueses së Kosovës.
Ndërkaq, edhe vlera aktuale e kartonave për vetëm tre futbollistë të Serbisë (Vllahoviç, Milenkoviç, dhe Pavloviç) është baraz me vlerën e kartonave të të gjithë futbollistëve në formacionin standart të kombëtares së Shqipërisë, dhe sa dyfishi i vlerës së kartonave të të gjithë futbollistëve në formacionin standart të përfaqësueses së Kosovës.
Por në fushën e blertë nuk luajnë vlerat e kartonave të futbollistëve – luajnë këmbët, zemrat dhe mendjet e tyre, si dhe mendja e trainerëve që i drejtojnë ata. E së bashku, kombëtarja e Shqipërisë dhe përfaqësuesja e Kosovës i lanë poshtë fqinjët tanë rivalë – Serbinë dhe Greqinë.
Ëndërr e bërë realitet për sportdashësit shqiptarë, kudo që ndodhen!
Komente






