Dyshimet se edukatorja po i keqtrajtonte fëmijën 4-vjeçar kanë bërë që një 29-vjeçare në Fier të shkojë në kopshtin shtetëror ku qëndronte i mituri dhe ta godasë me shuplakë edukatoren 44-vjeçare.

Sipas burimeve policore, fëmija nuk ka asnjë shenjë dhune, ndërsa nëna e tij, E. L., dyshonte se edukatorja E. P. e keqtrajtonte të miturin.

Pas ngjarjes, edukatorja ka bërë kallëzim penal ndaj nënës së fëmijës.

Policia ka nisur procedim penal për të dyja gratë, të cilat po hetohen në gjendje të lirë. Edukatorja dyshohet për keqtrajtimin e 4-vjeçarit, ndërsa nëna e tij për dhunën e ushtruar ndaj 44-vjeçares.

Njoftimi i plotë i policisë 

"Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Fier proceduan penalisht shtetaset E. P., 44 vjeçe, dhe E. L., 29 vjeçe, të dyja banuese në Fier, pasi 44-vjeçarja, edukatore në një kopsht shtetëror, dyshohet se ka keqtrajtuar në kopsht fëmijën 4-vjeçar të 29-vjeçares, ndërsa kjo e fundit dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj edukatores"

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë