Edvin Ndreu është komanduar sot në detyrën e drejtorit të Policisë së Vlorës, pas ndryshimeve të fundit në strukturat drejtuese dhe largimit të Elidon Çelës. Ky i fundit u shkarkua nga detyra pas ngjarjes të dhunshme në Zvërnec, ku gjatë protestave kundër ndërtimit të një resorti u regjistruan akte dhune dhe përdorim i lëndës spray ndaj protestuesve nga rojet private të kantierit.
"Ai do të ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave në Vlorë, në funksion të shërbimit të qytetarëve dhe zbatimit të ligjit. Drejtori u shkarkua 2 ditë më parë për shkak të dështimit të menaxhimit të tubimit, por edhe për informacionin e pavërtetë për një qyet që u mor forcërisht dhe u godit nga rojet private të kompanisë së sigurisë” tha Skënder Hita duke prezantuar emërimin e Ndreut
Ndreu, i cili më herët mbante postin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Tiranë, do të drejtojë përkohësisht Policinë e Vlorës deri në një vendimmarrje të mëtejshme, siç raportojnë burimet e Report TV.
Kujtojmë se Elidon Çela u pezullua nga detyra më 30 maj, pas protestave të qytetarëve kundër projektit në Zvërnec. Sipas informacioneve të Report TV, pezullimi erdhi pas raportimit të gabuar lidhur me një nga protestuesit, i cili kishte pësuar dëmtime në trup nga punonjës të një shoqërie private.
Në njoftimin e Policisë së Vlorës thuhej se protestuesi ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, pretendim që më pas u kundërshtua nga Policia e Shtetit.
Përveç pezullimit të Çelës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, urdhëroi edhe nisjen e një hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës lidhur me menaxhimin e protestës.
Lajmi në përditësim
Komente











