Cristiano Ronaldo nuk është vetëm një makineri golash dhe kjo dihet tashmë, pasi portugezi kudo që shkel rrit edhe prestigjin e klubit. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me Juventusin, që në verën e 2018 shokoi duke transferuar 34-vjeçarin nga Reali i Madridit.
Në harkun kohor të 1 viti Juventus përveçse në fushë është rritur shumë për numër ndjekësish edhe në rrjetet sociale. Kjo si efekt i padiskutueshëm i Cristiano Ronaldos. Në momentin që portugezi mbërriti te kampionët e Italisë, Juventus numëronte në instagram 10 mln ndjekës, ndërsa vetëm brenda pak javësh arriti në shifrën e 20 milionëve.
Tashmë që është bërë viti Juventus renditet në vendin e tretë për numër ndjekësish në instagram përsa u përket klubeve të futbollit, duke parakaluar Manchester United. ‘Zonja’ numëron 31.1 mln ndjekës, ndërsa Manchester United 31 mln.
Në vendin e parë gjendet Reali i Madridit me 77.6 mln ndjekës, ndërsa në vendin e dytë Barcelona me 76.4 mln ndjekës. Kujtojmë se Cristiano Ronaldo është personi më i ndjekur në instagram, me 181 mln ndjekës, pas tij vjen muzikanta dhe aktorja Ariana Grande, me 163 mln ndjekës.