Dy punonjës policie gjetën një çantë në rrugë me dokumente, 1000 euro dhe një celular, të një personi që ishte kthyer nga Italia.
Klejdin Lleshaj, punonjës në Qarkullimin Rrugor Lezhë) dhe Durim Xhakaj, punonjës në Qarkullimin Rrugor Shkodër, gjetën çantën teksa ishin jashtë shërbimit, mbrëmë rreth orës 22:30, në rrugën e Rinasit, duke u kthyer për në shtëpitë e tyre nga Tirana për në Lezhë e Shkodër, së bashku me familjarët e tyre.
Nëpërmjet pasaportës dhe rrjeteve sociale, ata bënë të mundur identifikimin dhe gjetjen e pronarit, si dhe kthimin e çantës me 1000 euro, dokumente dhe celularin 34-vjeçarit nga Kavaja.
Për këtë veprim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda u ka dërguar punonjësve të Policisë një mesazh falënderimi punonjësve për veprimin sa qytetar, aq edhe kuptimplotë, që nderon uniformën e Policisë së Shtetit.
“Të nderuar kolegë. Ju përgëzoj dhe ju vlerësoj maksimalisht për veprimin tuaj, i cili mbart në vetvete qytetarinë, humanizmin, integritetin dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj detyrës. Pavarësisht se ishit civilë, jashtë orarit të shërbimit, me veprimin tuaj treguat integritet dhe dëshmuat edhe njëherë se mijëra djem e vajza, gra dhe burra që shërbejnë në radhët tona nuk janë ashtu siç tentojnë t’i përbaltin, por janë njerëz që sakrifikojnë me ndershmëri për ligjin dhe qytetarin. Ky veprim rrit besimin e qytetarëve, pa të cilin misioni ynë do të ishte i cunguar. Mirënjohje për ju kolegë dhe për çdo punonjës të Policisë me integritet që nderon uniformën e Policisë së Shtetit", tha Proda.
Komente











