KAJRO - Presidenti i përmbysur egjiptian Muhamed Mursi gjykimin e sotëm ndaj tij mbi akuzat për spiunazh e ka përshkruar si një "farsë", që detyroi prokurorët të ngrejnë kundër tij edhe një akuzë tjetër për ofendim të gjykatës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky reagim erdhi në pjesën e parë të gjykimit të Mursit dhe 10 të tjerëve të akuzuar për spiunazh për Katarin.

"Ky proces gjyqësor është një farsë. Ajo çfarë ndodhi më 3 korrik ishte një grusht shteti ushtarak dhe udhëheqësi i këtij sulmi duhet të jetë pas hekurave," tha Mursi brenda në sallën e gjyqit, duke iu referuar Presidentit aktual të Egjiptit Abdel-Fatah al-Sisi, i cili udhëhoqi përmbysjen e Mursit nga pushtetit në verën e vitit 2013.

Gjyqtari kryesues Muhamed Fehmi pas deklaratave të Mursit, fiku mikrofonin e tij, dhe tha se ai mendonte se fjala "farsë" është ofendim për gjykatën e Egjiptit.

"Gjykata nuk do ta shqyrtojë këtë ofendim gjatë kësaj seance por nuk do të ngurrojë të bëjë padi nëse përsëritet," tha gjykatësi.

Mursi si kreu i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike të Egjiptit, ishte rrëzuar nga ushtria në korrik 2013, dhe tani përballet me pesë gjyqe të veçanta për një numër të kallëzimeve penale, duke përfshirë spiunazh, dhe "ofendim të gjyqësorit". Mursi, si dhe të pandehurit e tjerë, besojnë se akuzat kundër tyre janë të motivuara politikisht.


Redaksia Online
(do.k/shqiptarja.com)