KAJRO, 9 shkurt /ATSH-AFP/ - Presidenti rus, Vladimir Putin mbërriti sot në mbrëmje në Kajro për një vizitë dyditore që parashikon riforcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Bëhet fjalë për vizitën e parë të presidentit rus, Putin në Egjipt që prej 10 vjetësh.
"Presidenti rus mbërriti në aeroportin e Kajros ku u prit nga homologu egjiptian, Abdel Fattah al-Sissi", njoftuan zyrtarët aeroportual.
"Pas një takimi të shkurtër që zgjati rreth gjysmë ore, dy presidentët u larguan nga aeroporti për të shkuar në operan e Kajros", sipas të njëjtit burim.
Ata do të marrin pjesë në një spektakël kulturor që do të shfaqë historinë e marrëdhënieve mes Egjiptit dhe Rusisë.
Ekspertët theksojnë se Egjipti, aleat tradicional i Uashingtonit, bën pjesë në ato shtete ku Rusia, e izoluar dhe e kritikuar për krizën në Ukrainë, po bën përpjekje të avancojë në planin diplomatik dhe ekonomik./
/ec/









