Egnatia ka shkruar një tjetër faqe të artë në historinë e saj, duke u shpallur kampione e Shqipërisë për të tretin sezon radhazi. Skuadra rrogozhinase triumfoi edhe ndaj Dinamos, duke konfirmuar dominimin e saj në futbollin shqiptar dhe duke i dhuruar trajnerit Nevil Dede titullin e parë kampion në karrierën e tij si teknik.
Dede mori drejtimin e Egnatias vetëm në javën e 35-të të sezonit të rregullt, por arriti të udhëheqë skuadrën drejt trofeut më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Pas ndeshjes, ai vlerësoi punën e bërë nga të gjithë faktorët e klubit, duke theksuar se suksesi ishte rezultat i një projekti të ndërtuar prej kohësh, duke mos harruar edhe ish-trajnerin Edlir Tetova.
“Merita kryesore i takon presidentit Agim Demrozi, drejtorit Klejdi Zenelaj dhe punës së bërë nga Edlir Tetova. Unë pata mundësinë të bëja disa prekje të vogla në aspektin motivues dhe psikologjik. Cilësia e lojtarëve dhe organizimi i klubit sollën këtë sukses”, deklaroi Dede për RTSH Sport.
Tekniku elbasanas nënvizoi se Egnatia hyri si jo pretendente në fazën 'Final 4', por skuadra tregoi pjekuri dhe efikasitet në momentet vendimtare. Ai gjithashtu vlerësoi Dinamon për paraqitjen dinjitoze në garën për titull.
Duke parë nga e ardhmja, Dede vendosi objektiva të qarta në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, Egnatia ka fituar eksperiencën e nevojshme për të kaluar turin e parë kualifikues të Champions League dhe për të synuar fazat e grupeve në kompeticionet evropiane.
"Eksperienca që ka krijuar Egnatia, duhet të kalojë turin e parë (kualifikues) të Champions League, e kam motiv për veten time, është minimumi, që të kemi shanset për grupe. Vitet kanë kaluar për Egnatian, eksperienca është marrë. Ky është objektiv i arritshëm. Pak fat duhet, sidomos te shorti", tha Dede.
Në të njëjtën linjë ishte edhe presidenti i klubit, Agim Demrozi, i cili festoi suksesin e skuadrës së tij. Kreu i klubit theksoi se mentaliteti fitues është sekreti i Egnatias dhe shprehu bindjen se ekipi do të arrijë rezultate historike në Evropë.
“Vijmë nga vendi i tretë dhe fitojmë trofeun. Egnatia është krijuar për të fituar. Me punën e palodhur të djemve isha i bindur se do ta fitonim edhe këtë vit. U jap fjalën tifozëve se këtë sezon do të jemi në grupet e Evropës”, u shpreh Demrozi.
Pas suksesit dhe medaljeve në fushë, festa e Egnatias u zhvendos në Rrogozhinë ku nuk munguan as thumbimet ndaj rivalëve.
Komente








