“Merrëm ose lejëm” është kënga më e re që ju sollët në këtë sezon veror. Pse zgjodhët pikërisht këtë fabul?
“Merrëm ose lejëm” është një këngë e inspiruar e momentit...nuk është krijuar nga ndonjë inspirim i veçantë. Thjesht mora guximin ti them djalit në këngë se më pëlqen (qesh) domethënë personazhit në klip.
Kreativiteti ju bën të jeni ndryshe nga shumë këngëtarë, e ndjeni në çdo moment?
Po e ndjej! Më gëzon shumë fakti se të gjithë e potencojnë këtë gjë, ‘Jeni shumë e veçantë’. Tani detyra ime është kjo që të bëj gjëra që të dallohem nga të tjerët dhe të vij në shprehje kreativiteti im artistik.
Nga çfarë inspirohet Egzona ma shumë në muzikë?
Varet në çfarë gjendje jam dhe në cilën periudhë të jetës jam, çfarë momentesh jam duke kaluar... Më inspiron çdo lloj gjëje që është e bukur e kuptimtë dhe me vlerë.
Veç tingujve ju keni spikatur edhe me role në teatër. Si qëndron ky lloj dyzimi në shpirtin tuaj prej artistje?
Janë dy pasionet që më plotësojnë shumë. Nëse një aktor-e di të këndoj ka shumë avantazhe. Në përgjithësi njëra-tjetrën e ndihmojnë shumë. Thënë më shkurt, muzika dhe aktrimi nuk bëjnë pa njëra-tjetrën.
Cili është roli dhe bashkëpunimi më i veçantë?
Në teatër kam pasur role të shumta dhe të gjitha janë të veçanta sepse unë jam shumë e kujdesshme në përzgjedhjen e roleve. Gjithmonë jam përqëndruar të rolet e kundërta, ku secili personazh të jetë tërësisht ndryshe nga tjetëri dhe prandaj i dua të gjithë. S’i ndaj dot, i kam krijime të mijat dhe i kujtoj me shumë dashuri.
Po më i vështiri?
Nuk ka role të lehta! Secili do angazhim, punë, përkushtim, energji, do hapsirën e tij dhe prandaj nuk janë të lehtë aspak.!
Një aktore rebel në skenë, po në jetën e përditshme a jeni kaq rebele sa në rolet tuaja?
Po! Jam rebele në shpirt... Përderisa tentoj dhe dua të jem ndryshe, mund të them se jam rebele. Dua të dëgjohet zëri im në kuptimin e mendimit dhe të respektohen të drejtat e femrës në shoqëri, në familje, në përgjithësi. Unë edhe kur isha e vogël dhe tani, kur dikush më kundërshton dua të më argumentoj dhe kur nuk më pëlqen diçka nuk e bëj, gjithashtu e arsyetoj pse.
Çfarë e bën të lumtur Egzonën?
Lumturia është një koncept shumë i gjerë dhe ajo ndryshon dhe merr formë varësisht nga periudha apo faza e jetës. Gjërat që më kanë bërë të lumtur para 5 vjetësh, sot nuk më bëjnë përshtypje, por në parim të lumtur më bën familja, mirëqenia e tyre!. Unë i takoj një herë në vit dhe kur i takoj lumturohem. Kur dikush më ngarkon me një detyrë të jetë i kënaqur kur mbaron... Një muzikë e bukur.. Një libër i mirë, një film artistik ... Dashuria e shumë gjëra të tjera më plotësojnë atë që quhet lumturi.
Një artiste e kompeltuar ka dhe pikat e saj të dobëta dhe të forta. Cilat janë këto?
Pikat e mia të forta janë përkushtimi, besnikëria, humanizmi, ndërkaq të dobëtat nuk mund ti rrëfej, veç një pike e cila janë prindërit e mi, ata kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin tim dhe për ta jam në gjendje të bëj gjithçka.
Shpesh karakterizoheni për një stil të veçantë në muzikë, keni menduar të punoni për ndonjë album?
Do të mundohem sa të mundem të bëj gjëra të veçanta dhe sigurisht këngët e radhës, qoftë dhe albumi do të jenë në stil të veçantë.
Cilat janë projektet e radhës?
Kam disa projekte në mendje por, nuk do të zbuloj më shumë deri sa të fillojnë të realizohen sepse e kam ters të flas përpara. Falenderoj shumë Zotin që më ka dhënë shëndetin, familjen për përkrahjen, shoqërinë dhe të gjithë që pëlqejnë muzikën time. Ndërkohë, falenderoj Adrian Hilën për këngën e bukur dhe të gjithë stafin që punuan për klipin “Merrëm ose lejëm”.
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com",versioni print
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)